Xhaka: Lojtarët mund t’i shajnë, flamuri s’preket

Taulant Xhaka ka rrëfyer tmerrin e përjetuar në Beograd, derisa ndihet krenar që nuk lejoi përdhosjen e flamurit të Shqipërisë së madhe. Taulant Xhaka e ka hundën disi të ënjtur, por sytë i shndrijnë nga gëzimi pak orë pas ndeshjes. “Nuk tallet askush me flamurin tonë. Askush nuk mund ta prekë atë”, të thotë mesfushori kosovar i kuqezinjve gjatë qëndrimit në aeroport në udhëtimin e kthimit.
Futbollisti u përpoq me të gjitha mënyrat që të mbronte flamurin, edhe pse një turmë e egërsuar serbësh iu hakërryen keqazi atij dhe shokëve të skuadrës.
Taulant, si ndiheni tani që jeni larg stadiumit?
Njësoj si në stadium. I qetë dhe krenar për veten time dhe skuadrën time.
Çfarë ndodhi në fushë?
Asgjë e keqe nga ana jonë. Ne u përpoqëm të luajmë futboll dhe ishim duke luajtur mirë. Mendoj se gjithçka ndodhi prej serbëve.
Pse mendoni kështu?
Sepse ju e patë vetë se na provokuan dhe na shanë gjatë gjithë kohës. Deri këtu është e pranueshme, por me flamurin nuk kanë punë. Flamuri është i shenjtë për të gjithë dhe me atë nuk tallet askush.
Kush ju goditi në fytyrë?
Nuk e mbaj mend mirë. Më goditën në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes.
Nuk menduat se rrezikuat shumë kur vendosët të përplaseshit edhe me tifozët?
Nuk u përplasa me tifozët. Thjesht mbrojta flamurin tim.
Çfarë ju thoshin serbët gjatë kohës që ju kishit flamurin në duar?
Nuk e mbaj mend çfarë thoshin, thjesht u thashë të mos ma preknin flamurin.
A keni folur me vëllanë tuaj pas ndeshjes?
Jo, e kam pasur të pamundur.
Ju ka rastisur ndonjëherë më parë kjo?
Jo, kurrë. Dhe shpresoj të mos ndodhë më.
Nëse do ndodhte sërish, a do t’i bënit të njëjtat veprime?
Po, patjetër që po.
Çfarë menduat kur kishit gjithë ata serbë përballë që ju kërkonin të dorëzonit flamurin?
Nuk mendova shumë… nuk e di as se çfarë mendova… Thjesht do ta godisja çdo njeri që do ma merrte flamurin.