UBT

Xhaka këndon himnin shqiptar dhe zemëron zviceranët

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

“Unë e kam prejardhjen që e kam dhe i qëndroj asaj. I dua të dy vendet me gjithë zemër. Njerëzve shpirtngushtë nuk kam çfarë të bëj”.

Në Borussia Mönchengladbach ku talenti shqiptar nga Zvicra Granit Xhaka është duke luajtur së fundi, praktikohet një ritual që të gjithë futbollistët të këndojnë para kolegëve të tyre nga një këngë që zgjedhin vetë.

Xhaka është përcaktuar për himnin kombëtar shqiptar! Dhe kjo ka ngjallur nervozë te gazeta Blic kam Sonntag e cila e ka intervistuar Xhakën me këtë pretekst.

I pyetur përse ka kënduar himnin shqiptar, Xhaka ka thënë se, “si fëmijë i mësojmë disa këngë të caktuara. Dhe, sinqerisht, është kënga e vetme që mundem ta këndoj edhe pse, vetëm strofat e para… Bashkëlojtarët u shprehën të befasuar, ata nuk e dinin se prindërit e mi vijnë nga Kosova”.

Ndërsa pyetjes përse nuk ka zgjedhur të këndonte himnin e Zvicrës, Granitin i është përgjigjur se nuk e dinte tekstin e asaj kënge. “Si fëmijë, natyrisht nuk e kam mësuar pasi që prindërit e mi nuk janë rritur në Zvicër”.

Fundamenti

Më tutje i konfrontuar nga gazetari me vërejtjen se ai është duke luajtur për kombëtaren zvicerane, Xhaka thotë: “Unë them gjithmonë: Ndjehem 80 për qind si zviceran dhe 20 për qind si kosovar. Unë jam zviceran por rrënjët e mia janë pjesë imja dhe ashtu do të mbeten përgjithmonë. Unë nuk kam asnjë problem lidhur me këtë”.

“Por, shumë njerëz në Zvicër nuk e shohin me sy të mirë që ju të këndoni himnin shqiptar”, ka qenë ndërhyrja e radhës e gazetarit, të cilës Granit Xhaka i është përgjigjur: “Mua më duhet të jetoj me këtë. Unë e kam prejardhjen që e kam dhe i qëndroj asaj. I dua të dy vendet me gjithë zemër. Nëse dikush mendon me një shpirtngushtësi të tillë, unë nuk kam çfarë të bëj. Dhe, ka edhe zviceranë të qindpërqindtë që nuk dinë ta këndojnë himnin zviceran. Mua, thjesht, më duket e vështirë për ta mësuar. Por, të jem i qartë: unë dua dhe do ta mësoj atë. Është një qëllim afatmesëm imi”.

Ndërsa në ndeshjen që luhet në shtator në mes të Zvicrës dhe Shqipërisë, Xhaka nuk do ta këndojë asnjërin himn. Kështu i është përgjigjur pyetjes së radhës të gazetarit.
Granit Xhaka është pyetur edhe për frikën, që sipas gazetës, që “disa futbollistë me rrënjë shqiptare” nuk do të paraqiten në ndeshjen kundër Shqipërisë. “Ju a do të luani?”. “Qind për qind po”, ka qenë përgjigja e vendosur e futbollistit të ri. “Madje edhe sikur të mos nominohesha nga trajneri nacional. Përgjegjësit e Federatës Shqiptare e dinë përse unë jam përcaktuar për Zvicrën dhe jo për Shqipërinë”.

Pyetja e fundit për Xhakën ka qenë se a do të mund të imagjinohet që ai ta ndërrojë kombëtaren në rast se Kosova së shpejti do të ketë mundësi të luajë në ndeshje ndërkombëtare. “Pavarësimi (lejimi i kombëtares kosovare në ndeshjet ndërkombëtare) është shumë larg dhe unë nuk merrem fare me këtë gjë”.(albinfo.ch)