Hidromorava

VV: Win – Win

/ 7 minuta lexim

Për 134-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, 13-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe katërvjetorin e pavarësimit të saj, sot jam me lëvizjen “Vetëvendosje”, me sinqeritetin e dëshmuar për një komb e një flamur.

Kjo lëvizje në Prizren politikës zyrtare “ua bani bajat” nacionalromantizmin e tyre pa asnjë mbulesë, duke “ua shqyer flamujt” dhe “djegur” fjalimet, prandaj VV “po luan” në sistemin “Win-Win”!
Një sondazh i bërë së fundi nga “Gallup Internacional” si pjesë e projektit “Balkan Monitor” nxjerr në pah sërish idenë e një Shqipërie të Madhe (ose etnike.) Në pyetjen se a do të mbështetni personalisht idenë e Shqipërisë së Madhe shumica e të anketuarve kanë dhënë përgjigje pozitive, atëherë vërtet nuk e di se çfarë pret shteti shqiptar.

Në bazë të këtij sondazhi, në Shqipëri 62. 8 për qind janë pro, 29. 7 janë kundër dhe 4.4 janë përgjigjur me “nuk e di”, kurse 3.1 për qind kanë refuzuar të japin një përgjigje. Në Kosovë shumica dërrmuese apo 81 për qind e respondentëve janë përgjigjur pro, 12. 6 për qind janë shprehur kundër, 2.9 kanë abstenuar dhe 2.6 nuk kanë dhënë përgjigje.

Sipas sondazhit, edhe në Maqedoni nga 1.000 persona, nga të cilët 66 për qind ishin maqedonas dhe 25.7 për qind shqiptarë, për idenë e bashkimit ndërshqiptarë janë shprehur 51.9 për qind, pra edhe shumë maqedonas, kurse vetëm 35.1 për qind e kanë kundërshtuar këtë ide, 9.1 për qind “nuk e dinë” dhe 3.7 nuk janë përgjigjur. T’i “shtyjmë” numrat tutje. T’i kthehemi realitetit.

Nëse ndikohemi nga sondazhe të tilla, absolutisht gjërat duhet ndërruar kahen.

Në këso situate, nuk ka nevojë tutje për pikë kufitare në Morinë dhe për polici e dogana. Ata duhet të zhvendosen në veri të Kosovës!?

E në këtë situatë, lëvizja “Vetëvendosje” në vend që të mësyjë kufijtë veriorë e lindorë të Kosovës (Merdar e Dheu i Bardhë) duhet ta mësyjë atë të Morinës, t’ia vër flakën dhe ta vetëdijesojnë “shtetin amë” dhe këtë “shtetin artificial kosovar” se ky kufi është absurd, qesharak madje deri në përmasa karikaturiale.

Jam i vetëdijshëm se nacionalizmi është paranojë kolektive dhe individuale, por gjithnjë e më shumë, kësaj letre të djegur në vitet ’90 dhe kryesisht nga fashizmi serb i drejtuar nga Milosheviqi, po i rikthehen elitat kulturore dhe veçmas ato politike në Ballkan, saqë gjithandej në këtë rajon po vlojnë “nacionalistët e rinj” madje duke fituar fuqi politike për të drejtuar shtetet. Por ata duke qenë mediokër dhe duke mos pasur zgjidhje për shtetin e deetnizuar e demokratik të së drejtës dhe shoqërinë e mirëqenë, pra edhe për kombin, ata e rikthejnë historinë në skenë, e cila ulërin, e cila buçet, kështu që klasat aktuale në Ballkan po e përdorin diskursin e shekullit 19 për t’i kontrolluar më lehtë masat, madje qytetarët që mendojnë ndryshe nuk ngurrojnë t’i cilësojnë si klasa të deklasuara, përkatësisht të mundura në luftë, për t’ia imponuar shoqërisë mendimin kolektivist për tjetrin si armik.

Nacionalizmi etnogjuhësor pos që është primitiv është edhe agresiv, nuk lë njeri pa e sharë, secilin që nuk mendon kolektivisht si bartësit e këtij nacionalizmi, ose që nuk i duartroket krimit qeveritar. Ky lloj nacionalizmi paranoik ofron të vërteta të gatshme, përfundimtare, indoktrinare, të paqortueshme dhe secili që e ka një mendim ndryshe stigmatizohet si tradhtar, antikombëtar, UDB-ash etj…

Kurse kosovarët janë zotuar për një shtet demokratik, ku debati dhe fjala e lirë nuk mund të pengohet nga askush (censura është e dënueshme sipas Kushtetutës), janë zotuar se do të jenë koshientë që ta përdorin në secilin rast forcën e argumentit kundër argumentit të forcës.

Uji Dea

Pse Qeveria e Kosovës stimulon këtë valë të “nacionbaliztëve të rinj” etnogjuhësorë (me abetare unike, bashkim kombëtar, rrugë kombi etj.) e në anën tjetër u vërsulet me polici aktivistëve të Lëvizjes VV që flamurin Kuqezi e kanë në programin e tyre legal politik!?

‘Nacionalizmi politik i shtetit kombëtar po bashkëjeton me vështirësi ose është në konflikt me nacionalizmin etnik të bashkësive të tij – një rrethanë kjo që ka ekzistuar që nga viti 1945 dhe që nuk po tregon shenja qetësie apo zgjidhjeje”, – thotë teoriku i famshëm Anthony D. Smith (Kombet dhe nacionalizmi në erën globale”, Botimet Dudaj, Tiranë, 2008, fq. 26).

Në këtë kontekst, duke folur e shkruar për një nacionalizëm shtetëror kosovar, dua të vë në siklet qeveritarët kosovarë, të mendojnë qoftë vetëm për një çast: A po krijojnë masë kritike që e do shtetin që ata e drejtojnë, apo pavetëdijshëm po fabrikojnë kundërshtarë të tij, të shtetit kosovar pra?

Ku tretën synimet integruese euroatlantike të kosovarëve si interes vital kombëtar, sipas fjalimeve të përditshme të kryeministrit dhe a e di ai se fryma e nacionalizmit romantik të shekullit 19 për hegjemoni e shtete të mëdha nuk është kongruente me frymën integruese dhe vlerat e përbashkëta europiane.

Në rastin e festës “private” të Lidhjes së Prizrenit (demek si vazhdues të saj!?) ata zhvatës të pushtetit që “shesin” me bollëk patriotizëm arkaik e metanarracione të shekullit 19, e si kundërshpërblim popujve të tyre u ofrojnë zhele, ata e dëshmojnë anën e tyre prej mashtruesish e dhunuesish të shprehjes së lirë. Në këtë kontekst, aktivistët e Lëvizjes VV jo vetëm që janë të sinqertë në atë që e besojnë, por në një shoqëri demokratike edhe kanë të drejtë ta manifestojnë atë që e duan dhe atë që nuk e duan. Pra nuk e duan flamurin kosovar. A duhet që shteti të përplaset me ta?

Jo në asnjë mënyrë. Shteti duhet t’u përgjigjet sfidave dhe sfidantëve përmes debatit, rinegociimit, rivlerësimit, pra pushteti duhet të tregojë vullnet politik për të qeverisur me opozitën duke ndjekur rrugën e konsensusit. Jo lëvizja VV, por përfaqësuesit e pushtetit që folën aq gjatë e në mënyrë marroqe për “ideale kombëtare”, ata e kanë shkelur me dyja këmbët secilën ide çlirimtare e kombëtariste… Nuk e kam idenë përse qytetari i rëndomtë u vete prapa në këso festash të mjera këtyre kleptokratëve që i kanë kapur shtetet e shqiptarëve, shtetet e qytetarëve që u janë luajalë.

Festojnë dy shtete të mjera e të leckosura, të bashkuara në krimin e organizuar e në korrupsionin galopant, e diku në prapavijat e tyre rrahin të rinjtë idealistë, që u kanë besuar librave të historisë-albanologjike, betejave të UÇK-së, thirrjes së atdheut për t’i dalë në ballë…

Thjesht, i rrahuri dhe i ndjekuri i sotshëm në Prizren jam unë.

Prandaj sot jam VV!