VV: Terrori ndaj shkollës shqipe në Preshevë, vazhdimësi e politikës antishqiptare

Lëvizja Vetëvendosje reagon ndaj situatës së djeshme në Luginën e Preshevës, me ç’rast inspektorët serbë janë futur në shkollën Fillore “Zenel Hajdini” të fshatit Raincë, në Komunën e Preshevës, kanë ndërprerë mësimin dhe kanë konfiskuar librat shkollorë të nxënësve shqiptarë aty.
“Ky veprim është vazhdim i diskriminimit sistematik që Serbia po ja bën popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës. Konfiskimi i librave nën pretekstin se nuk na qenkan me planprogram të Serbisë, është terror shtetëror ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe të drejtës universale për arsim në gjuhën amtare, të fëmijëve shqiptarë atje.
Veprimi i Qeverisë së Serbisë na e dëshmon edhe njëherë që politika e saj ndaj shqiptarëve nuk ka ndërruar, por është e njëjta ajo e Milosevicit, për t’ia u bërë jetën të pamundshme shqiptarëve atje, politikë kjo të cilën me zell po e ndjek pasardhësi i tij, njëkohësisht partneri në dialog i Hashim Thaçit, Ivica Dacic”.
Sipas VV-së, këtë politikë të Serbisë po e aprovon në heshtje Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Thaçi, “të cilët jo që asnjëherë nuk e ngritën Luginën e Preshevës si çështje, por duke bërë koncesione të dëmshme, për çështje të brendshme të Kosovës, në dialog me Serbinë, po e legjitimojnë politikën antishqiptare të Serbisë në përgjithësi”.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga Qeveria e Kosovës, Qeveria e Shqipërisë dhe faktorët ndërkombëtarë, që të bëjnë presion mbi Qeverinë e Serbisë, që të heqë dorë nga politikat diskriminuese antishqiptare në Luginë të Preshevës dhe të garantojë të drejtat universale të shqiptarëve, përfshirë edhe të drejtën për arsim, të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare.