RCCOLA

VV: Qeverisja komunale në Kamenicë po përfundon me një mori dështimesh

/ 4 minuta lexim

Kamenicë – Sikur dy vitet e kaluara, edhe viti i tretë qeverisës i pushtetit të Begzad Sinani me aleatët e tij qeverisës, po përfundon me një mori dështimesh, vazhdim të premtimeve e gënjeshtrave, fat ky që e ka përcjellë qytetarin e komunës që nga paslufta. Qeverisja e koalicionit aktual në Dardanë, duke marrë për model qeverisjen e ish kryetarit Surdulli dha shumë premtime, kurse solli vetëm zhgënjim dhe keqqeverisje thuhet në reagimin e LVV qendra në Dardanë.

Krejt çka ditën këta të punojnë mirë, është akomodimi i tyre në funksionet politike që i kanë, duke dekoruar zyret dhe duke blerë nga një veturë të re për shefat e koalicionit, të cilat buxhetit të varfër të komunës tonë, po i kushtojnë me mijëra euro shpenzime mujore.
Gjithashtu, ndër punët që kanë ditur t`i bëjnë më së miri, janë punësimi i familjarëve të tyre dhe militantëve të subjekteve që përfaqësojnë.

Këta erdhën me premtime që do të rrisin buxhetin, do të hapin fabrika me qindra vende të reja të punës, do të ndryshojnë gjendjen në arsim e shëndetësi, e në realitet po hkatërrojnë çdo gjë.

UBT

S’do shumë analizë dhe menjëherë vëren se këta duke keqmenaxhuar me buxhetin e komunës, duke punësuar militant me kontrata mbi vepër, duke ndarë një normë në arsim për dy e më shumë militant të tyre, të cilët paguhen me paga të plota, duke dëshmuar performancë të dobët në punën e tyre, duke korruptuar skajshmërisht aktivitetet e prokurimit, ku dëshmi për këtë e kemi edhe Raportin e Auditorit të Përgjithshëm ose shembullin konkret ku Dardana është ndër komunat në Kosovë që drunjtë për ngrohje i paguan më së shtrenjti edhe pse jemi komunë eksplotuese e drurit në shumicën e Republikës së Kosovës.

Këta abuzues të pushtetit, e mbyllën vitin 2016 me zero subvencione në bujqësi, me fare pak investime në infrastrukturë edhe atë falë donacioneve qendrore dhe organizatat ndërkombëtare, me një shëndetësi gjithnjë e më tepër të politizuar, me degradim të sistemit arsimor, pa kurrfarë kujdesi social për kategoritë në nevojë dhe me një administratë të politizuar e të demotivuar për punë. Një qeverisje e tillë nuk i duhet Dardanës, andaj ju pushtetarë komunal bëhuni gati për llogaridhënie!

Lëvizja VV në Dardanë, ua kujtojmë edhe njëherë premtimet e dhëna dhe të pa realizuara të pushtetit aktual: Urën në fshatin Topanicë, funksionalizimin e Ujësjellësit Lagjen Qamëria, si dhe në fshatrat Koretin, Roganë, Shipashnicë e Epërme dhe Ulët, Koperrnicë dhe fshatrat tjera, shkollën e re në Berivojcë, Busavatë dhe në Krilevë, ambientet shkollore në të gjitha shkollat e komunës me kushte dhe standarde bashkëkohore, sallat e edukatës fizike në secilën shkollë, investime në infrastrukturë për mbështetje të bujqëve, ndërtimeve përmes partneritetit publiko-privat, funksionalizimin e qendrave të mjekësisë familjare nëpër të gjitha fshatrat e mëdha të komunës, projekte për zhvillim të turizmit malor, shëtitore në zona malore, përfundimi i palestrës sportive në qytet, objektin e Komunës së Re, spital të mushkërive në bjeshkët e Dardanës, trafo e energjisë elektrike në Sfircë dhe lagjja e Oranëve në Busavatë, ndriçimi i rrugës në fshatin Kopërnicë, asfaltimin e rrugëve lokale në qytet dhe nëpër fshatra, rregullimi i sistemit të kanalizimit nga i cili banorët e fshatrave Koretin dhe Topanicë po rrezikohen nga ndonjë epidemi vdekjeprurëse, hapja e një rruge në Koretin ku janë të bllokuar 500 hektar tokë punuese, sjellja e investitorëve në fusha të ndryshme prodhuese për gjenerim të punësimit, hapja e fabrikës së kërpudhave dhe projekte të shumta të tjera të premtuara me partnerët tuaj në bashkëqeverisje, të cilat si duket do të mbahen mend si rrena mbi bazën e të cilave ju e morët pushtetin dhe po e sundoni qytetarin thuhet në reagimin e LVV qendra në Dardanë./rajonipress/