UBT

VV: Qeveria aktuale, e korruptuar

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Lëvizja Vetëvendosje u bëri thirrje subjekteve opozitare që mos ta mbështesin Qeverinë e Kosovës për të hyrë në dialog me Serbinë. Sipas Shpend Ahmetit dhe Glauk Konjufcës, edhe ngutja për të festuar për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë është një përpjekje për të blerë kohë që kjo qeveri të mbetet edhe më tutje në pushtet.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, në një konferencë për media të mbajtur sot, tha se mbikëqyrja e pavarësisë nuk përfundon derisa shumë institucione të huaja me fuqi ekzekutive mbesin në Kosovë, madje me përpjekje që të futen në Kushtetutë. Ai tha se në vend se ta ndërrohet kushtetuta për të fituar sovranitetin e plotë, Qeveria po e zbutë edhe këtë sovranitet.

“Ngutja e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare dhe qeverisë për të përfunduar misionin e Zyrës Ndërkombëtare Civile është për të filluar një mision të ri të dialogut politik dhe koncesioneve të reja për Serbinë në veri. Bashkësia Ndërkombëtare tanimë e ka pranuar se oferta Ahtisari për Serbinë është refuzuar nga vet Serbia dhe tani ka nevojë për një ofertë të re”, u shpreh Ahmeti.

Sipas Ahmetit, qeveria aktuale e pranon dialogun sepse vetëm nëpërmjet tij mbetet në pushtet, ndërkaq Serbia, sipas tij, nëpërmjet dialog bëhet vazhdimisht “faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan” duke ja rritur çmimin vetës.

Ai kujtoi fjalët e kësaj Qeveria, kur, sipas Ahmetit, patën deklaruar se “kurrë nuk do të dialogojnë për veriun, e më vonë thanë se nuk do të ketë asnjëherë dialog politik”.

Uji Dea

“Tani thotë që është e gatshme për dialog madje për atë politik”, u shpreh Ahmeti.

Ndërkaq Glauk Konjufca e quajti fillim të bisedimeve politike Kosovë-Serbi, pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq në mbledhjen e KS të OKB-së, ku pritet të diskutohet për zhvillimet në Kosovë në tremujorin e fundit.

Konjufca tha se deri sot, po duket që subjekti politik më i interesuar për të hyrë “në këtë valle të turpshme të Qeverisë është AAK-ja”.

“…Ose, më saktë, jo AAK-ja, por nënkryetari i saj, Blerim Shala. Blerim Shala njihet si njeri i negociatave. Angazhimi i tij kryesor politik kanë qenë negociatat. Por ne i lutemi Blerim Shalës, që nëse ai është që t’i bashkëngjitet pazareve të Qeverisë me Serbinë për veriun, le të shkoje atje i vetëm, por jo për dore me AAK-në”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje i inkurajon zërat alternativë brenda AAK-së që janë kundër bisedimeve për veriun dhe kundër një koalicioni me këtë Qeveri të korruptuar, duke shpresuar që “vullneti personal i zotërisë Shala të mos jetë qëndrimi zyrtar i AAK-së”.

Drejtuesit e Vetëvendosjes thanë se edhe përmendja e Luginës së Preshevës si mundësi për të qenë pjesë e dialogut me Serbinë, vetëm i ndihmon humbjes së veriut. Vetëvendosja beson se hapja e dialogut për veriun, do të çojë drejt autonomisë së kësaj pjese, ndërkohë u bën thirrje Kosovës dhe Shqipërisë si shtete që gjithë kombit shqiptar, duke përfshi edhe Luginën e Preshevës, t’i dalin në mbrojtje. Por, sipas Vetëvendosjes, “një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, derisa në shteti udhëhiqet nga qeveria aktuale”. /Zëri/