VV: Nuk kemi lëshuar pe në qëndrimet tona

Lëvizja Vetëvendosje ka demantuar lajmin e plasuar në media se Blloku LDK-AAK-NISMA ka pranuar parimet e kësaj lëvizjeje, si dhe atë se VV ka lëshuar pe në qëndrimet e saj për dialogun me Serbinë.
“Sot, në disa media elektronike është përhapur lajmi se kinse koalicioni LDK-AAK-Nisma i ka pranuar parimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe se edhe VETËVENDOSJE! ka pranuar të lëshojë pe në qëndrime tona për dialogun me Serbinë.
Duam t’ia bëjmë me dije gjithë opinionit publik se ne nuk kemi pasur takime me përfaqësues të koalicionit LDK-AAK-Nisma, që nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës më 17 korrik”, thuhet në reagimin e VV-së.
“Rrjedhimisht Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka lëvizur dhe nuk lëviz nga qëndrimi i saj. Qëndrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është ai i dakorduar në draftmarrëveshjen e 16 korrikut, e cila nuk u nënshkrua nga koalicioni LDK-AAK-Nisma, të nesërmen, më 17 korrik”, thuhet në reagimin e VV-së.
Mediat, portalet informative, sonte kanë publikuar një raport të transmetuar një Rrokum.Tv, ku citohen zyrtarë të LDK-së, Kujtim Shala dhe ai VV-së, Dardan Molliqaj, për përafrim qëndrimesh dhe mes Bllokut opozitar dhe Lëvizjes Vetëvendosje. /Telegrafi/