Kurti me akuza të ekzagjeruara ndaj PDK, LDK e AAK që po ia kërkojnë dorëheqjen: Rebelim, sulm i paparë ndaj Republikës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ua hodhi fajin deputetëve të opozitës, duke thënë se ata “u rebeluan kundër betimit të deputetëve”.
Ai e quajti kundërshtimin opozitar për rrugën se si LVV-ja donte të procedonte me seancën konstituive të Kuvendit si “sulm brendainstitucional kundër Republikës së Kosovës”.
‘Deputët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre pasi nuk u votua një raport i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja votuan kundër këtij raporti, pasi thanë se Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë qeveritarë që janë zgjedhur deputetë do të duhej të jepnin dorëheqje.
LVV-ja tha se në komision u prezantua një letër e dorëheqjes së Kurtit nga posti i kryeministrit, por këto parti nuk e konsiderojnë dorëheqje të njëmendte, sipas ligjit të ri për Qeverinë.