VV: Mos kyçja në autostradën “Arbën Xhaferi” me pasoja afatgjata për vitiasit
Viti – Injorimi kësaj radhe do të jetë me pasoja afatgjatë, që njëherit do të përbën dështimin më të madh për qytetarët e komunës së Vitisë thuhet në reagimin e LVV dega në Viti.
Komuna e Vitisë, me rastin e kyçjes përmes rrugëve alternative në autostradën Arbën Xhaferi, do të pësoj jashtëzakonisht shumë, pasi qytetarëve të saj do i duhej t`i kalonin edhe disa kilometra deri në hyrjen e lejuar. Pra, kyçja në Autostradën “Arbën Xhaferi” përmes rrugëve alternative është injorim dhe diskriminim për gjithë qytetarët e komunës së Vitisë, si nga Qeveria lokale aktuale ashtu edhe nga Qeveria qendrore.
Deputeti i Komunës së Vitisë, nga radhët e Lëvizjes VV, Salih Salihu, e kishte ngritur këtë shqetësim të qytetarëve të Vitisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke kërkuar që Vitia të lidhet në Gërlicë e jo me rrugë alternative nëpër fshatra të Vitisë për tu kyçur në Bibaj.
Pastaj, Lëvizja VV! në bashkëpunim me opozitën në Viti, e kishin nxjerrur në kuadër të aktiviteteve edhe një Rezolutë në Kuvendin Komunal për t`i dhënë mbështetje këtij projekti të madhe por fatkeqësisht edhe kjo ishte injoruar si nga Qeveria Lokale ashtu edhe nga Qeveria Qendrore.
Tash, Sokol Haliti, i cili ka mandatin dhe përfaqëson vullnetin qytetarë për t’i mbrojtur dhe përfaqësuar qytetarët e Vitisë në mënyrë të denjë dhe të jetë në shërbim të tyre, ky po injoron tej mase qytetarët e Vitisë përmes heshtjes manipulative. Sokol Haliti, përmes rrugës së heshtjes dhe pasivizimit të pareshtur po mundohet të manipulojë më qytetarët e Vitisë, duke u sjellur sikur nuk di asgjë dhe nuk është në dorën e tij për ta zgjidhur këtë problem.
Edhe pse Sokol Haliti nënshkruan memorandume me Ministrinë e Infrastrukturës për kyçje alternative, është momenti vendimtar që qytetarët e Vitisë mos ta lëshojnë rastin dhe t’i thonë “JO” kyçjes alternative, e cila nëse arrihet të merrë formë kategorike atëherë do të jetë tejet e kushtueshme dhe përjetshëm i vendosur në mënyrë negative. Ndryshe memorandumi i nënshkruar nga kryetari Haliti dhe ministri Zarku për financimin e disa projekteve në ndërtimin e disa rrugëve është vetëm çështje e cila do të jetë në letër dhe asnjëherë i implementueshёm për qytetarët e Vitisë.
Botërisht dihet se është në dorën e Komunës së Vitisë për ta stopuar këtë të keqe, pasi që Komuna e Vitisë udhëhiqet nga Sokol Haliti që përfaqëson LDK-në, Ministria e Infrastrukturës udhëhiqet nga Lutfi Zharku nga LDK-ja dhe Ministria e Industrisë dhe Tregtisë udhëhiqet nga Hykmete Bajrami edhe kjo është nga LDK-ja. Por si duket nënshtrimi i Sokol Halitit karshi eksponentëve te LDK-së në pushtetin qendrorë po e instalon këtë të keqe me pasoja afatgjatë dhe me dëme të pariparueshme për qytetarët Vitias. Pra për shkak të mos prishjes së rehatimit me bashkë partiakë të vet, ai arrinë të shmangë një projekt më rëndësi të madhe ekonomik dhe që do të jetë tejet i kushtueshëm për banorët e kësaj ane.
Lëvizja VV! në Viti, ndanë këtë shqetësimin me qytetarët e Vitisë, dhe do të përdorë të gjitha mjetet demokratike që të stopoj këtë gjë, e cila do të këtë pasoja afatgjate dhe të pariparueshme për qytetarët e Vitisë, si në aspektin ekonomik, gjeostrategjik, por ashtu edhe në pikëpamje kohore.
Pra, ne nuk do të rrimë duar kryq karshi kësaj padrejtësie e cila falë neglizhencës së Sokol Halitit dhe falë pretendimeve të tija për të pasur hapësirë të mëtejme politike edhe pas mandatit lokal. Ne si subjekt në kuadër të mjeteve paqësore nuk do të kursehemi asnjëherë dhe bashkë më gjithë angazhimin e qytetarëve tanë do të kundërshtojmë këtë diskriminim afatgjatë thuhet në reagimin e Lëvizjes VV dega në Viti./rajonipress/


