Uji Dea

VV: Kryetari dhe kryesuesi kanë uzurpuar Kuvendin Komunal

/ 7 minuta lexim

Gjilan – Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! , në Gjilan gjatë një konference shtypi paraqitën një sërë shkeljesh ligjore në komunën e Gjilanit. Fazli Behluli, koordinator i Nënkomitetit për Legjislacion dhe Administratë Publike, numëroi disa nga shkeljet ligjore të kryetarit të komunës dhe nga ana e Kuvendit Komunal, duke u bazuar në nenet që kanë të bëjnë me Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale, Rregulloren e Kuvendit Komunal, Statutin e Komunës, Ligjin mbi ndërmarrjet Publike, dhe mbështetur në ligjet e tjera.

Sipas Fazli Behlulit kryesuesi i kuvendit komunal të Gjilanit, Izmi Zeka ka shkelur nenin 2 pikën 2.1 duke i neglizhuar mendimet e këshilltarëve gjatë fjalimit të tyre, me gjuhë jo demokratike e cila parashihet në nenin 2.1 pika (c) dhe (f). Citoj: “Ju opozita kur të vini në pushtet dhe fitoni zgjedhjet, i bëni politikat.” Me këtë fjali, kryesuesi ka marrë të drejtën dhe fuqinë e zërit të asambleistëve, duke ua mohuar atyre kontributin në debatin gjatë seancave, pavarësisht a i takojnë pozitës apo opozitës” – tha Behluli nga radhët e profesionistëve të Qendrës.

Duke folur për tejkalimin e kompetencave të kryetarit të komunës, Behluli përmendi disa raste konkrete. “Vendimi i Kryetarit të Komunës, nr. 02-384/11 datë 11. 07. 2011, ku thotë se “Obligohen të gjitha shkollat e mesme në Gjilan, në këtë vit shkollor (klasat e dhjeta), të mos lejojnë të regjistrohen mbi 35 nxënës…”, nuk është kompetencë e kryetarit Qemajl Mustafa, por kjo çështje rregullohet me aktet juridike të nxjerra nga Ministria e Arsimit, në nivel vendi dhe kjo nuk është në kompetencat e kryetarëve të komunave, pasi e kemi edhe udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit në nivel vendi” – theksoi Behluli, duke përmendur rastin tjetër ku kryetari i Komunës, kishte arritur marrëveshje me Bashkësinë Islame, që 12 nxënëseve të shkollave të Gjilanit, që janë të mbuluara, t’i vijojnë mësimet, nëse krahas mbulesës fetare veshin edhe uniformën shkollore, dhe kjo marrëveshjeje është shënuar se vlen vetëm për një vit dhe bartja e mbulesës do të ndalohet tërësisht më pas. “Absolutisht kjo nuk i takon kryetarit të komunës dhe i takon Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë” – u shpreh Behluli.

Lidhur me kushtëzimin kundërligjor të cilin e kishte përkufizuar si të tillë edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) drejtuar komunave, ai kërkoi që menjëherë ky vendim të hiqet, ngase nuk ka asnjë bazë juridike. “Secili zë që fliste kundër kushtëzimit të qytetarëve për shërbimet ndaj kompanive publike dhe atyre në koncesion Publiko-Privat (“Hidromoravës’’ dhe ‘’Eko-higjienës’’), paraqitej një listë presioni para këshilltarëve komunal, për t’u shndërruar Kuvendi Komunal në inkasant. Ne po ashtu, shprehim zemërim për devijimin e interpretimit nga pushteti komunal dhe kryetari i komunës, që po mundohen që kundërshtimin e kushtëzimit të qytetarëve ta interpretojnë sikur duhet legjitimuar borxhet ndaj kompanive publike, e që është huqje krejtësisht e interpretimit të saktë. I takon kompanive të krijojnë politikat e tyre menaxhuese dhe të inkasimit të borxheve, ekziston ligji për ndërmarrjet publike, janë kompetencat e kufizuara të Kuvendit Komunal dhe bashkërendimi i tyre me Qeverinë, por Kuvendi Komunal nuk mund të ecën trajektores së dëshiruar nga kryetari i komunës, pushteti komunal dhe kompanitë që kryejnë këto shërbime. Kuvendi duhet t’i shërbejë interesave të qytetarëve dhe interpretimi mbi kundërligjshmërinë nuk duhet t’i mbetet kompanive përkatëse, por organeve përkatëse. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka përkufizuar si të paligjshme dhe u ka dërguar shkresë sqaruese komunave lidhur me këtë, ndërsa kryetari i komunës akuzonte MAPL-në që po kundërshton kushtëzimin, thuase kryetari është gjykatës interpretues i ligjeve” – përfundoi Behluli.

UBT

Ndërsa nënkryetari i parë i Qendrës, Nevzad Isufi, prezantoi qëndrimet e Qendrës rreth seancës së fundit të Kuvendit Komunal, pas monitorimit nga vëzhguesit e VV. Isufi u ndal sidomos në skandalin gjatë seancës së fundit, ku temat mbi vlerat kombëtare, përvjetorët e dëshmorëve, u përfolën në mënyrë krejt jo serioze. “Kryesuesi i Kuvendit Komunal në fillim të seancës përmendi përvjetorin e Jasharajve dhe disa këshilltarë të tjerë komunal kërkuan që të ndërpritet seanca për të shkuar në orën 11:00 në “Varrezat e dëshmorëve”, për të nderuar të gjithë të rënët për liri dhe sakrificën e Jasharajve, mirëpo, seanca u ndërpre rreth orës 13:00, kur kryesuesi i Kuvendit Komunal e përmbylli seancën me njoftimin për të shkuar në drekë në “Bojanë”, të të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal.

Ne konsiderojmë se Kuvendi Komunal ka qenë jo serioz dhe jo i dinjitetshëm në mënyrën se si fliste për përvjetorin e vlerave të dëshmorëve të kombit, madje kryetari i komunës në një rast i tha një asambleistit: “Mos derdh lot…!”, në shenjë ironie e sarkazme ndaj përmendjes së vlerave të dëshmorëve”. Ai shtoi se, “ne kritikojmë ashpër këtë ligjërim aq jo serioz nga Kuvendi Komunal, Kryetari i komunës dhe disa këshilltarë komunalë, të cilët nuk janë të përgjegjshëm që kur të flitet për përvjetorët e Jasharajve dhe përvjetorët e tjerë të dëshmorëve të kombit, nuk do të duhej në asnjë mënyrë që seancën ta fillonin për përvjetor e të përfundonin në dreka. Ky kalim i padinjitetshëm nga vizita te “Varrezat e Dëshmorëve” në restorantin “Bojana” flet për karakterin e këtij pushteti komunal”.

Nënkryetari Isufi duke marrë shkas 7 Marsin, Ditën e Mësuesve, paraqiti një rast diskutimi në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, kur një asambleiste kishte shprehur propozimin për ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e shpenzimeve për udhëtimin e mësuesve, ndërsa kryetari i komunës menjëherë kishte reaguar duke thënë se nuk mund të marrim vendim për diçka që ka kosto financiare, e në anën tjetër, drejtori për buxhet dhe financa kishte pohuar kategorikisht se nuk ka shanca për kompensimin e shpenzimeve për udhëtimin e mësuesve, thua se këto janë nën vullnetin e tyre personal e jo të miratimit të tyre nga organi vendimmarrës – Kuvendi Komunal.

Sipas Isufit, menjëherë pas kësaj pike, kryesuesi i Kuvendit Komunal i kishte njoftuar asambleistët për të drekuar në “Bojanë”, ndërsa siç e dimë, shtoi ai, asambleistët marrin mëditje për seancë dhe po shpenzojnë krejt paarsyeshëm duke ngrënë drekë me para shtesë të buxhetit komunal. “Kjo tregon edhe për qasjen jo të drejtë ndaj arsimtarëve, ku urimet për 7 Marsin vetëm mbeten improvizime verbale, ndërsa realisht nuk çmohet kontributi i tyre në mënyrë më serioze, ngase drekat e asambleistëve për punën që paguhen për secilën seancë, më e arsyeshme do të ishte t’i paguheshin për udhëtimin e arsimtarëve, sesa për ushqimin luksoz të asambleistëve” – tha Isufi./rajonipress/