VV e fryu çmimin – Sahat Kulla kushtoj 41 mijë euro

Gjilan – Edhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Gjilan ka reaguar ndaj performancës së Vetëvendosjes e cila akuzojë pushtetin komunal dhe atë qendror se ka shpenzuar 80 mijë euro për Sahat Kullën.
Por sipas Artan Hoxhës drejtor në QRTK e vërteta është krejt ndryshe.
Sipas Hoxhës QRTK qysh në fillesë të veprimtarisë së saj kishte konstatuar me të drejtë se do të ishte mirë që Gjilanit t’i rikthehej ndonjë nga vlerat e trashëgimisë që dikur i kishte qyteti. Pra, bëhej fjalë për vlera të mundshme dhe si e tillë doli të jetë vetë Sahat Kulla. Prandaj, QRTK ka hartuar projektin ideor dhe zbatues dhe ka kërkuar mbështetjen e MKRS-së, e cila e ka parë të arsyeshme ta mbështesë projektin e Qendrës.
QRTK, pastaj ka kontaktuar udhëheqjen komunale me qëllim që ajo të ndajë lokacionin e dikurshëm, atje ku ka qenë Sahat Kulla. Por, pas privatizimeve që ndodhën në komunën tonë, mundësia për një rikthim të Sahat Kullës në ish-vendin e saj nuk qe e mundshme. Këshilltarët komunalë i ndanë lokacionin pranë objektit tjetër që është i vendosur në Listën e objekteve të MKRS-së, – është fjala për objektin e depos turke, sot selia e LDK-së. Edhe ashtu, tani këto dy objekte korrespondojnë mirë mes vete.
Ndërsa, për sqarim të opinionit konstatojmë se janë shpenzuar 41,135 € për rindërtimin e Sahat Kullës, – mjete financiare të ndara nga MKRS.
QRTK nuk e konsideron të arsyeshme të flasë për vlerat e trashëgimisë kulturore, se sa ato janë të rëndësishme për njeriun, por është e bindur se të gjithë duhet të bëjmë më shumë në fushën humane, pra në fushën e trashëgimisë kulturore ka thënë Artan Hoxha në reagimin e tij./rajonipress/