VV e do privatizimin e PTK-së me kushte

Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë ka kundërshtuar privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, në të kundërtën kanë thënë se para privatizimit duhet të sigurohet kodi ndërkombëtar, dhe të hetohet ecuria e menaxhimit që nga paslufta e deri tani.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri në një konferencë për medie e ka kundërshtuar privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, për të cilën ka thënë se është ndër asetet e vetme të cilat duhet të menaxhohen nga shteti.
Ai akuzojë Qeverinë e Kosovës se po dëmton ndërmarrjet publike.
“Në vend se Qeveria e Kosovës të merret vetëm me privatizimin e ndërmarrjeve publike, Qeveria e Kosovës si menaxhues i qind për qind të aksioneve publike do të duhej ta kishte fokus kryesor zhvillimin e ndërmarrjeve. Ndërkohë, që në Kosovë po ndodh pikërisht e kundërta, pra Qeveria në njëfarë mënyre po ia plotëson dëshirat blerësit të mundshëm edhe konkurrencës në dëm të ndërmarrjeve publike, e kjo më së miri shihet në rastin e PTK-së”, ka deklaruar Ymeri.
Sipas tij, Qeverisja e parë e Thaçit e ka dëmtuar fillimisht këtë kompani publike duke ia ndaluar investimet kapitale.
“Shembull, vendimi që e ka marrë Ahmet Shala për të mos investim ka qenë pikërisht në përputhje me vendimin për privatizim. Pra, arsyetimin ka qenë se me qenëse po e privatizojmë nuk po investojmë në të dhe rrjedhimisht, ky vendim për privatizimin e kompanisë ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në dëmtimin e ndërmarrjes edhe në uljen e vlerës së kësaj ndërmarrjeje”, është shprehur Ymeri.
Ndërsa, eksperti i telekomunikacionit në Vetëvendosje, Ismet Hamiti, i ka numëruar disa arsye se pse nuk duhet të privatizohet kjo kompani publike, duke thënë se në qoftëse do të menaxhohej si duhet, PTK do të kishte të hyra vjetore rreth 130 deri në 140 milionë euro.
Sipas Hamitit, edhe nëse kjo kompani publike duhet që patjetër të privatizohet, për një gjë të tillë Qeveria e Kosovës duhet që t’i plotësoj disa kushte siç është sigurimi i kodit ndërkombëtar, e që sipas tij duhet të merret ai i Shqipërisë +355, si dhe të hetohet fillimisht nga Prokurori i Shtetit e gjithë ecuria e menaxhimit të saj nga paslufta e deri tani.
“Të hetohen nga organet e sundimit të ligjit të gjitha keqpërdorimet në sektorin e telekomunikacionit në tërë periudhën e pasluftës, përfshirë edhe procesin e fundit të privatizimit të PTK-së. Keqpërdorimet janë të shumta dhe lehtësisht të dokumentueshme por duhet vetëm vullnet për këtë. Ne jemi të gatshëm për të dhënë fakte e dëshmi për krimet e rënda që janë bërë në këtë sektor në tërë periudhën e pasluftës”, ka deklaruar ai.
Hamiti ka thënë se ka bërë kallëzime penale disa herët dhe për secilin keqpërdorim që nga viti 2000 e këndej, por është shprehur se Prokuroria nuk ka nevojë të pres që vetëm të ngritët padi ndaj një procesi të jashtëligjshëm, pasi Prokuroria duhet që vetë t’i hetojë rastet e tilla.