VV dhe NISMA ende të pavendosura rreth bojkotimit të punës së Kuvendit

Vetëvendosje dhe NISMA për Kosovën ende nuk kanë qëndrim të qartë për largim nga Kuvendi, për dallim nga AAK’ja, e cila tashmë e ka marrë një vendim të tillë.Sidoqoftë, as AAK e as pjesa tjetër nuk do t’i dorëzojnë mandatet, por vetëm do ta bojkotojnë punën e Kuvendit, që sipas rregullores mund ta zgjas deri në 6 muaj. Megjithatë, edhe pse larg seancave plenare, deputetët e partive në fjalë, do të paguhen nga buxheti i shtetit.
AAK’ja vendimin për t’u larguar nga Kuvendi i Kosovës e kishte marrë para se të niste seanca e së enjtes, megjithëse deputetet e partisë së Ramush Haradinajt edhe dje u paraqitën në sallën plenare.
E kjo pjesëmarrje e tyre doli të jetë e fundit, të paktën për një kohë të gjatë.
Kreu i AAK’së, që mandatin e tij të deputetit e ka dorëzuar krejtësisht, tash e disa javë, të enjten pasdite, mediave u tha se nga Kuvendi, përveç deputetëve të partisë së tij, do të largohen edhe kolegët e tyre nga VV dhe NISMA.
Por, një ditë pas, gjërat dalin të jenë më ndryshe. Lëvizja Vetëvendosje insiston që të vazhdojnë pjesëmarrjen në Kuvend, duke e pamundësuar punën e këtij institucioni, qoftë me gaz lotsjellës, apo me forma të reja.
“Ende nuk kemi vendim të përbashkët si opozitë e bashkuar për diçka të tillë. Janë diskutuar gjerë e gjatë mendime e qëndrime rreth asaj se si duhet vazhduar protestën tonë brenda institucioneve”, citohet të ketë thënë zëdhënësi VV’së, Adonis Tahiri, të premten për një portal.
E, NISMA ende nuk ka marrë vendim të prerë, edhe pse kishin paralajmëruar se diçka të tillë do ta bënte të premten kryesia dhe deputetët e këtij subjekti. Megjithatë, NISMA e Fatmir Limajt shfaqet në vijë me AAK’në, sa i përket largimit nga Kuvendi.
Madje edhe vet kreu i kësaj partie, kishte deklaruar gjatë seancës të së enjtes “se gazi lotsjellës ka qenë efektiv, porse ka ardhur koha të mendojnë për veprime të reja”.
E të njëjtat qëndrime i transmeton, një ditë pas, edhe shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Valdete Bajrami.
“Opozita e bashkuar është duke u konsultuar në këtë drejtim dhe shumë shpejtë do të dalim me një qëndrim, sa i parket NISMA’s ne e kemi bërë me dije disa ditë më parë se është koha që opozita të marr vendim në lidhje me veprimet e përbashkëta opozitare duke e përfshirë këtu edhe daljen nga parlamenti”, tha për Gazetën Express, Bajrami.
Por AAK’ja duket e vendosur. Zëdhënësi i kësaj partie konfirmon se tashmë kanë një vendim, por siguron se kjo situatë kurrsesi nuk do të thotë se kanë heqë dorë krejtësisht nga mandati.
“Dalja nga Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk nënkupton kthim të mandatit”, tha zëdhënësi Nitaj për Gazetën Express.
Të njëjtën gjë e kishte thënë edhe shefi i tij, dje, pas takimit me kreun e opozitës në Shqipëri, Lulzim Bashën.
“Dalja nga Parlamenti është për kohë të pacaktuar, me qëllim të shkuarjes në zgjedhje. Nuk do të thotë që deputetët e opozitës nuk kanë më mandat si deputet”, kishte deklaruar Ramush Haradinaj.
E këtë veprim të AAK’së, që ndoshta mund t’i bashkohet edhe VV’ja e Visar Ymerit dhe NISMA, për Gazetën Express e ka sqaruar një zyrtar nga opozita, që thotë se deputetët me ‘largim’ nënkuptojnë vetëm bojkot të seancave të ardhshme, por jo dorëheqje nga deputeti, siç e ka bërë ish-deputeti Haradinaj.
“Është një lloj bojkoti që sipas rregullores kanë të drejtë me e majtë mandatin deri në 6 muaj, pa u paraqitur në seanca”, shpjegoi ky zyrtar.
Ai tha se gjasat që opozita të marrë pjesë në ndonjë nga seancat e ardhshme, janë vetëm nëse bëhet fjalë për ndonjë seancë të rëndësisë së veçantë apo solemne, apo pas 6 muajve, vetëm sa për ta ruajtur mandatin e tyre.
Mirëpo, deputetët e VV, AAK dhe NISMA, përkundër bojkotit, pagat do t’iu ecin edhe pse nuk do ta kryejnë punën e tyre për të cilën u zgjedhën nga qytetarët në zgjedhjet e fundit në vend.
Kjo pasi ata përkundër mos pjesëmarrës në seancat e ardhshme, atyre rregullorja e Kuvendit të Kosovës ua mundëson ruajtjen e mandatit deri në 6 muaj.
Sipas të njëjtës rregullore të Punës, humbja e statusit të deputetit të Kuvendit ndodh vetëm nëse në “në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit”, pa pasur ndonjë arsyeje të pranueshme nga Kryetari dhe Kryesia.
“Nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen Kryetarit të Kuvendit, Kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit Kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit”, thuhet në nënpikën “e”, të pikës së parë të nenit 25 të Rregullores së Punës së Kuvendit.
“Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës”, përcakton tutje ky nen. /GazetaExpress/.