Eko Higjiena

Vullnetarizmi i të rinjve sfidë për institucionet dhe legjislacionin

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Flamur Hyseni & Burim Haliti – Pasuria e vetme e kristaltë e shoqërisë kosovare është rinia dhe perspektiva e saj e ndritur për të ardhmen, por sa jemi duke e trasuar këtë rrugë në binarë të shëndoshë është çështje tjetër dhe kërkon më shumë angazhim, vullnet dhe mirëbesim jo vetëm nga të rinjtë por nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

Shoqëria kosovare nuk është që nuk ka punuar në këtë drejtim sepse ka bërë një punë relativisht të mirë në aspektin e rregullimit të kësaj çështje në aspektin ligjor, por këto akte ligjore duhen mbikëqyrë për tu zbatuar, duhet krijuar mekanizma të mirëfilltë për tu marrë vetëm me këto akte ligjore dhe me këto institucione që merren me rininë.

Në Republikën e Kosovës kjo çështje ka një bazë ligjore e cila relativisht mirë e rregullon këtë çështje sepse është ligji për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, me nr. 03-L-145 i cili ka hy në fuqi në vitin 2009. Ky ligj e obligon MKRS-ën që të aplikojë dhe zbatojë dispozitat ligjore së bashku me drejtoratet e rinisë, kulturës dhe sportit të komunave të Kosovë dhe po ashtu edhe KVQR – Këshillin e Veprimit Qendror Rinor dhe njësitë lokale të tij KVRL-ët që t`i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme dhe t’i respektojnë procedurat ligjore kur kemi të bëjmë me organizimin e punës vullnetare tek të rinjtë.

Ky është një ligj i vonshëm sepse në Kosovë ka shumë raste dhe të rinj të cilët kanë kryer punë vullnetare si me organizatat vendore po ashtu edhe me ato ndërkombëtare, por atyre nuk ju njihet kjo si përvojë pune, sepse ligji nuk e rregullon këtë çështje në mënyre retroaktive.

Sipas legjislacionit të gjithë ata të cilët dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në aktivitetet e punës vullnetare duhet të jenë të moshës 15 – 24 vjeçe dhe duhet të jenë të kyçur në organizata të ndryshme joqeveritare, institute të ndryshme dhe grupe tjera formale dhe jo formale.

Puna vullnetare e të rinjve përveç bazës ligjore ka edhe institucionet e saj qendrore dhe lokale të cilat janë përgjegjëse për të mbikëqyrë organizimin e aktiviteteve të punës vullnetare.

Institucionet të cilat e rregullojnë dhe mbikëqyrën fushën e punës vullnetare tek të rinjtë janë:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si mekanizmi kryesor i pushtetit ekzekutiv qendror,

Drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunat e Kosovës – në nivel lokal të pushtetit ekzekutiv, Këshilli Qendror i Veprimit Rinor – si ombrellë qendrore e të rinjve, Këshilli Lokal i Veprimit Rinor – udhëheqje lokale e të rinjve, Qendrat rinore – si mekanizma organizativ të të rinjve.

Të gjitha këto institucione janë të obliguar të respektojnë procedurat ligjore për organizimin e punës vullnetare tek të rinjtë: së pari, OJQ, instituti, shoqatat e ndryshme apo edhe grupet e ndryshme formale dhe jo formale duhet të respektojnë këto procedura ligjore:

Shpallin një ftesë-thirrje për rekrutimin e vullnetarëve, për organizimin e këtij aktiviteti,
Të bëjnë përzgjedhjen e vullnetarëve që kanë aplikuar,

Organizuesi duhet të bëjë kërkesë në drejtoratin e rinisë në komunë që të pajiset me aq libreza për punë vullnetare sa ka pranuar vullnetare, Duhet të nënshkruhet një marrëveshje ndërmjet palëve – OJQ-së si organizatore dhe vullnetarit si i interesuar për të kryer punë, Drejtoria e Rinisë në Komunë duhet të vendosë për vlefshmërinë e marrëveshjeve të nënshkruara,

Pas marrjes së librezave organizatat janë të obliguara që ti plotësojnë librezat me të dhënat elementare, Pas përfundimit të punës vullnetare, vullnetarit i lëshohet një vërtetim mbi kryerjen e punës vullnetare si dëshmi e përfundimit të këtij aktiviteti.

UBT

Përveç ligjit për fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë dhe institucioneve të ndryshme shtetërore ekzistojnë edhe akte tjera të cilat e rregullojnë këtë çështje si: udhëzimi administrativ 10/2010 i nxjerrë nga MKRS-ja dhe Rregulloret e Komunave për punën vullnetare të të rinjve.

Ne duhet të ndërmarrim hapa të shpejtë dhe të rëndësishëm nëse dëshirojmë që të ecim në këtë drejtim më sigurt, hapat e tillë mendojmë se janë:

Tu pranohet në mënyrë retroaktive përvoja si vullnetar e të gjithë personave të cilët para datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr. 03/L – 145 për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, të datës 30 shtator 2009, kanë qenë të përfshirë në aktivitete të aktivitete të tilla, por në mungesë të kuadrit ligjor të kësaj fushe nuk i njihet statusi i tillë;

Të kërkohet nga personat e tillë se, statusin e vullnetarit për ta fituar duhet të ofrojnë dëshmitë e verifikuara nga institucioni/organizata që ka organizuar punën vullnetare;

Të bëhet evidentimi i të gjitha kontributeve vullnetare që ofrojnë të rinjtë në veprimtari të ndryshme;

Të organizohen takime nga të gjitha KVRL-të dhe KVRQ-ja lidhur me sensibilizimin e opinionit për konceptin e vullnetarizmit dhe të ofrohen njohuri praktike për format e organizimit të punëve vullnetare;

Të mbahen takime dhe trajnime të rregullta nga KVRQ-ja, KVRL-ët në bashkëpunim me MKRS-ën për kuptimin e ligjit nr. 03/L – 145 për fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë, pikërisht për sqarimin e dispozitave lidhur me organizimin e punës vullnetare të cilën e bëjnë subjektet e caktuara;

Të mbahen takime dhe trajnime të rregullta nga KVRQ-ja, KVRL-ët në bashkëpunim me MKRS-ën për kuptimin e Udhëzimit administrativ nr. 10/2010 për punën vullnetare të të rinjve, pikërisht për sqarimin e dispozitave lidhur me organizimin e punës vullnetare, veprimtari të cilën e organizojnë subjektet përkatëse, si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal;

Të mbahen takime dhe trajnime në komuna ku janë nxjerrë rregulloret për vullnetarizmin dhe në ato komuna ku nuk janë nxjerrë që të nxjerrjen rregullore të tilla për punën vullnetare;

Në komunat ku ekzistojnë rregulloret për vullnetarizmin, drejtoritë për kulturë, rini dhe sport të mbajnë takime informuese në bashkëpunim me organizatat e interesuara dhe ato që janë aktive për çështje të rinisë, në veçanti me KVRL-ët për sqarimin e rregulloreve të tilla, që organizatat përkatëse të mos kenë probleme dhe paqartësi rreth organizimit të një pune vullnetare dhe statusi i vullnetarit të fitohet konformë ligjit, udhëzimit dhe rregullores për punën vullnetare;

Tu sqarohet me kohë të rinjve që dëshirojnë të jenë pjesë e një veprimtarie – pune vullnetare për të drejtat dhe përfitimet nga veprimi i tillë vullnetarë dhe për statusin e tyre konform kuadrit ligjor që rregullon këtë fushë;

Të bëhet rregullisht sensibilizimi i opinionit për organizimin e punëve vullnetare në komuna nga subjektet përkatëse, kjo të bëhet në afate të caktuara kohore në mediet e shkruara dhe elektronike lokale dhe qendrore, të jetë sa më gjithëpërfshirëse, duke eliminuar në masë sa më të madhe “bashkëpunimin monopolistik” të disa organizatave dhe institucioneve lokale të komunave përkatëse që favorizojnë grupe jo formale për të eliminuar të tjerët që kanë vullnet për tu marrë me vullnetarizmin.

(Flamur Hyseni, Dr.sc.cand. në Të drejtën Kushtetuese dhe Administrative. Burim Haliti ka titullin shkencor Master i shkencave Juridike – Financiare)