ARKATANA

Votuesit legjendar

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Blerina (Rogova) Gaxha – Nuk më mjafton të udhëtoj vetëm me mend dhe të shpresoj, që imagjinata të më vizatoj diçka konkrete prej asaj që politika më thotë. Do të më mjaftonte shumë më pak nga ajo që thuhet dhe të cilën mund të prek. Do të doja që hipokrizia të mos ma zë frymën dhe të kisha më shumë pavarësi për ta kërkuar lirinë.

Do të doja që të mund ta ajrosnim “shtëpinë” tonë të përbashkët, nga parullat patetike dhe nga absurditet që kanë shkuar në skaj. Bile, në mos për tjetër gjë, për arsye higjiene do të më pëlqente që të mos kontaminoheshim nga fjalët me jargë të të paktës gjysmës së atyre që edhe njëherë do ta kërkojnë votën.

Dikush thotë:”Guxo, kur ditë e re të nisë! Guxo të qeshësh! Kur të jetë terr, guxo të ndezësh dritën! Kur të ketë padrejtësi, guxo i pari ta dënosh!” Por, çfarë ndodh kur s’ke asnjë armë për ta bërë atë?

Një komedian kosovar thotë se ky popull meriton më së shumti të qeshë, por çfarë nëse as për këtë nuk i jepet koha. Njeriu mund të qeshë atëherë kur diçka vërtetë është “hajgare”. E ne, përtej “zgërdhirjes” politike, më shumë prej zorit kemi vënë buzën në gaz.

Kandidati, tashmë për “kryeministër legjendar”, që ka zgjedhur pozën e hyjnive të vjetër, i bën ballë me ironi dhe sarkazëm zvetënimit të politikës dhe tjetërsimit të saj.

Në këtë kohë, ngazëllimi dhe trishtimi zgjedhor, sikur e largon për pak kohë thelbin e jetës, përvojat e shtypura nga dhuna e historisë, e aq më shumë përpiqet ta largojë mendjen nga përjashtimi i rregullave shoqërore dhe jargët e politikanëve.

ARKATANA

Në një shtet ku bazamenti i jetës së përditshme është si një kullë papirusi, që mund të shembet në çdo moment, koha e zgjedhjeve si “kohë dreqi” të çon mendjen te vrulli, te nismat ( jo ato partiake) dhe te ajo shpresa e vogël për të ardhmen. Ndoshta edhe vetëm për pak të largon nga atmosfera e varfër, e zënë ngërç prej vështirësive të përditshme ekonomike.

Këto janë personazhet e maskave magjike, fytyrat reale të të cilëve, janë fytyra “legjendarësh” partish e jashtë partish, funksionarë e jo funksionarë, të bërë “sheikë” ligjshëm e kundra tij, falë nomenklaturës dhe popullit, që derisa i është dashur që çdo gjë ta nisë nga zeroja, sy s’kishte për t’i parë.

Edhe “koha e pushtimit politik”, si e çdo pushtimi tjetër, nëse guxojmë t’i referohemi kështu, ka nevojë për heronj, por sigurisht jo për heronj fjalimesh të fjalëve të mëdha, të bindur se po e luajnë rolin e trimave të kohës së vetë. Nuk është se na duhen muskujt, tallja dhe kurajoja komike. Do të preferoja më shumë “një trim” që i përbuzë marshimet, dhe “një trim” që s’ka frikë edhe të pozojë nudo dhe pa pikë fytyre të hajë rrush, derisa i kërkon popullit ta votojë! Bile kjo e fundit ka një kuptim përballë hipokrizisë, me bollëk, politike në fushatën për kokrra!

Një anekdotë për Napoleonin thotë se atij i parapëlqente më tepër ta kryente “atë punë” shpejt e shpejt, sesa të bënte dashuri. Në këtë lidhshmëri sikur mund të jetë edhe sjellja e shumicës së “gjuetarëve të votës”, që edhe një herë duan t’ia fusin popullit. Koha ka mbetur pezull.

Sa herë vinë stinët e zgjedhjeve, përshtypja e parë është se shumëçka do të nisë nga e para, se do të ketë diçka të re dhe se çdo shënim do të jetë një prolog që nga letra hedh në realitet, por nga stinët në stinë koha ka mbetur pezull dhe bashkë me të pezull kemi mbetur edhe ne.

T’i ndërrojmë ata, apo ta ndërrojmë veten! Kanë kaluar pothuaj 15 vjet dhe ne nuk kemi arritur t’i ndërrojmë as ata e as këta që do të vijnë, që me ne ose pa ne, do të zgjedhen. Kjo do të duhej të ishte punë më e kollajtë sesa ta ndërronim veten, gjë që s’po mund ta bëjmë tash e 100 e kusur vjet! Jemi ende të pashpresë se do të ndërrojmë vetë, prandaj do të vazhdojmë të luajmë “me tope”, bile edhe për 100 vjet të tjera. Këtij vendi i mungojnë votuesit legjendarë!