Fundamenti

Votohen propozime të rëndësishme – LDK braktisë seancën

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Kuvendi Komunal ka miratuar edhe Planet Rregulluese Urbane për lagjet ”Dheu i Bardhë 1”, ”Çezma e Petigocit”, ”Gllama” dhe ”Dheu i Bardhë 2”, të cilat i ka arsyetuar Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke nënvizuar se planet i kanë kaluar të gjitha procedurat paraprake, ndërsa janë prezantuar nga përfaqësuesit e kompanive hartuese Arion Xhemaj (XL Arkitekt) nga Prishtina dhe Ilir Gjinolli (Urban Plus).

Plani i lagjes “Dheu i Bardhë 1” përfshin një sipërfaqe prej 110 hektarësh dhe është zonë e destinuar për banim individual, kolektiv dhe afarizëm. Lagja “Çezma e Petigocit” përfshin një sipërfaqe prej 21 hektarësh, që në tërësi janë prona private dhe është zonë ku nuk ka pasur asnjëherë plan rregullues.

“Gllama” shtrihet në një sipërfaqe prej 18 hektarësh dhe është destinuar për banim dhe afarizëm, ndërsa “Dheu i Bardhë 2” kap një sipërfaqe prej 35 hektarësh dhe është e destinuar për banim dhe afarizëm.

Në të gjitha këto lagje, planet rregulluese parashohin edhe shkolla, çerdhe, administratë, shëndetësi dhe përmbajtje tjera publike, varësisht prej nevojave dhe kritereve urbanistike dhe zhvillimore, ka thënë Mahmuti.

Drejtoresha Bahrije Mahmuti si dhe përfaqësuesit e dy kompanive hartuese, Xhemaj e Gjinolli janë përgjigjur edhe në interesime konkrete të këshilltarëve komunalë. Sokol Haziri (AAK), ka kërkuar një zgjidhje për muret e larta, në mënyrë që të mos përfshihen si tilla në planet rregulluese, sepse janë një pasqyrë e keqe për qytetin në shekullin e digjitalizimit.

Kuvendi Komunal i është përgjigjur pozitivisht edhe kërkesës së Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe i ka ndarë shumën prej 9.904,00 euro, që janë të nevojshme për konservimin dhe mirëmbajtjen e stadiumit të qytetit. Këto mjete do të përdorën për blerjen e materialit dhe për punën në konservimin dhe mirëmbajtjen njëvjeçare të stadiumit të qytetit.

Drejtori i DRKS-së Veton Nevzadi, ka thënë se në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë mirëmbajtjen e stadiumit të qytetit, sipas standardeve më të larta të mundshme për rrethanat kosovare, prandaj është në gjendje të shkëlqyeshme.

Hidromorava

Kjo çështje ka nxitur reagimin e opozitës (LDK), e cila pas miratimit të vendimit e ka braktisur seancën, me arsyetim se nuk u krijua hapësira e duhur për t`i paraqitur vërejtjet e tyre.

Sokol Haziri (AAK), që gjithashtu vjen nga opozita, shprehu keqardhje për këtë që ndodhi, duke thënë se kjo ka të bëjë më së paku me demokracinë dhe interesat e qytetarëve, duke nënvizuar se rendi i ditës ka qenë i miratuar në Komitetin për Politikë dhe Financa.

Ndërkaq, kryesuesi Izmi Zeka, tha se edhe kjo është demokratike por, ndonëse nuk ka është përvojë e kësaj asambleje, duke nënvizuar se Kuvendi nuk është pronë e opozitës.

Veton Nevzadi, drejtor për Kulturë, tha se diskutimi për ndarjen e mjeteve financiare për stadiumin e qytetit, është zhvilluar në KPF dhe se ky veprim i opozitës (LDK) shkon në d[m të sportit gjilanas.

Vendimmarrësit gjilanas kanë miratuar edhe Strategjinë për zhvillim kulturor 2012-2016, të cilin e prezantoi Bujar Haziri, zyrtar nga Drejtoria e Kulturës, si dhe vendimin për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), sipas Udhëzimit Administrativ, që rregullon numrin e anëtarëve të KKSB, të takimeve vjetore si dhe çështjen e kompensimit, të cilin e paraqiti Omer Daku, nënkryetar i Komunës.

Opozita nuk e votoi këtë vendim, me arsyetim se komunat nuk janë pyetur fare për këtë Udhëzim Administrativ, të cilin e ka bërë Ministria e Brendshme.

Në fund të seancës, drejtorët komunalë, Bujar Nevzati (Arsim) dhe Behar Mehmeti (Shërbimet Publike) janë përgjigjur në disa interesime të këshilltarëve komunalë rreth incidentit në shkollën “Thimi Mitko”, emërtimit të tri shkollave, sikurse dhe për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve. /rajonipress/