RCCOLA

Votat vendimtare për primat

/ 5 minuta lexim

Rezultati zgjedhor i një dhjetorit do ta përcaktojë se cili subjekt politik do ta ketë primatin në nivel vendi. Prandaj, partitë politike “luftën” më të madhe gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti e kanë bërë me qendrat më të mëdha të vendit.

Përpos Prishtinës, garë e ashpër është zhvilluar edhe për Prizrenin, Gjilanin, Pejën, etj., pasi që fitimi i shumicës së votave në këto komuna është avantazh për zgjedhjet e ardhshme nacionale, të cilat mbahen vitin tjetër.

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Demokracia për Zhvillim”, Leon Malazogu, ka thënë të shtunën për “Zërin” se primare për partitë politike do të jetë fitorja në komunat e mëdha, sepse me fitimin e atyre komunave krijohet përshtypja e fuqizimit të subjektit politik.

“Kuptohet parimisht, komunat më të mëdha janë më të rëndësishme dhe për secilin subjekt ka rëndësi që të duket që ka ngritje. Humbja apo fitimi i një komune të madhe e krijon përshtypjen se ajo parti është në rënie apo në ngritje, përveç që i jep pushtet në një komunë i jep në njëfarë mënyre krah për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka thënë ai.

Sipas Malazogut, komunat e vogla kanë më pak rëndësi për subjektet politike, ndërsa ato mesatare ku rezultati është i ngushtë sigurisht që janë të rëndësishme për partitë, prandaj edhe liderët më tepër janë fokusuar në komunat ku rezultati është i ngushtë. Ndërsa, siç thotë ai, rëndësi të madhe do të kenë edhe disa komuna që janë bastione të partive të caktuara.

“Disa komuna janë aq emblematike dhe disa parti politike janë të lidhura shumë me ato komuna, ku humbja e tyre mund të ketë një peshë më të madhe simbolike se sa fitimi i ndonjë komune tjetër që nuk e ka pasur më parë”, ka deklaruar ai.

Beteja për çdo komunë

Ndërsa Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika dhe Hulumtime, ka theksuar se partitë politike po bëjnë “luftë” që të fitojnë sa më shumë komuna, madje suksesin e tyre po e matin me numrin e komunave, duke vendosur kështu, siç thotë ai, në të njëjtin rang komunat e mëdha me të voglat.

“Beteja po bëhet për çdo komunë njëlloj, por megjithatë rëndësia sa i përket fuqisë politike nuk llogaritet me numrin e komunave të fituara, por me cilat komuna të mëdha. Kemi dëgjuar se si partitë i numërojnë komunat, duke i përfshi dhe vendosur në të njëjtin rang komunat e mëdha dhe ato shumë të vogla. Kjo është matematikë e gabuar elektorale dhe më shumë i ngjan vetëkënaqësisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, një pjesë e komunave relativisht të vogla siç është Suhareka, Mitrovica, Lipjani, Podujeva megjithatë llogariten si të rëndësishme. Ndërsa komunat më të vogla siç janë Malisheva, Kaçaniku, Kamenica kanë fituar rëndësinë për shkak të specifikave të tyre për faktin se një numër i liderëve vjen nga këto komuna dhe në veçanti për faktin se në këto komuna siç është Malisheva kësaj here është zhvilluar një betejë e vençantë dhe e madhe politike me ndikim në konfiguracionin politik në qendër.

UBT

Komunat serbe, të rëndësishme për Kosovën

Shpend Kursani, analist, ka thënë se komunat më të rëndësishme, edhe pse të vogla, janë komunat me shumicë serbe. Kjo për faktin se në bazë të rezultatit të zgjedhjeve në këto komuna do të shihet ndikimi i Serbisë në Kosovë.

“Mendoj që komunat më të rëndësishme jo vetëm për partitë politike në Kosovë, por edhe për funksionimin e ardhshëm të vendit janë: Mitrovica veriore, Shtërpca, Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, e Parteshi, për shkak se varësisht nga rezultatet në këto komuna do të shihet edhe ndikimi i Serbisë në funksionimin e Kosovës”, ka thënë Kursani.

Ndërsa sa i përket rëndësisë së komunave për partitë politike, ai ka thënë se më të rëndësishmet janë komunat e mëdha. Por sipas tij, Prishtina ka rëndësi të veçantë për shkak se është komuna më e madhe por edhe sepse është kryeqytet.

“Fitorja në kryeqytet mund të ketë një vlerë të madhe për secilën nga dy partitë konkurruese edhe për zgjedhjet qendrore”, ka thënë Kursani.

Ai ka shtuar se Gjakova dhe Peja janë të një rëndësie të veçantë për disa parti politike. Po aq e rëndësishme është edhe komuna e Mitrovicës.

Testi për rrugën evropiane të Kosovës

Profesori universitar, Emrush Ujkani, konsideron se procesi zgjedhor gjithsesi duhet të jetë korrekt, në të kundërtën Kosova mund të bartë pasoja në rrugën e integrimeve evropiane.

“Në raundin e parë kemi pasur procesin më të rregullt, por ky proces mund të llogaritet si i tillë vetëm pasi që të përfundojë i tëri. Nëse procesi nuk do të jetë i rregullt, konsekuencat do të jenë shumë të mëdha për Kosovën. Kur procesi nuk ecën siç duhet, kur nuk respektohen parimet e demokracisë, nuk besoj që do të ecim përpara. Për këtë kemi shembuj nga rajoni, Shqipëria për katër vite ka qenë peng i një procesi të deformuar zgjedhor për të marrë statusin e vendit kandidat”, ka thënë Ujkani./zeri/