ARKATANA

Vota për institucionet

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Vjosa Osmani – Sadriu : Në kohën kur të flisje shqip, të shkruaje shqip dhe të kërkoje të drejtat e tua, përfshirë të drejtën e votës, ta rrezikonin jetën, një grup intelektualësh morën guximin ta udhëheqin popullin drejt betejës për liri. Kjo betejë nuk nënkuptonte vetëm të qenit të lirë nga Serbia, por edhe marrjen e përgjegjësisë për ndërtimin e institucioneve dhe ndërtimin e shtetit. Në kohët më të vështira për popullin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës udhëhoqi procesin e shtetformimit dhe kauzën për një Kosovë që ka institucionet e veta legjitime e demokratike që respektohen nga të gjithë qytetarët. Dhe këtë proces nuk e udhëhoqi vetë, por krah për krah me miqtë që i qëndruan popullit të Kosovë në tërë këtë betejë për liri e shtetndërtim.

Pas kurorëzimit të lirisë, lufta për ndërtim institucionesh më nuk kishte nevojë të bëhej jashtë atyre institucioneve, sepse për herë të parë shqiptarët do të fitonin të drejtët të zgjidhnin vetë, dhe nëpërmjet votës së tyre të ndërtonin institucionet që do t’i përfaqësonin. Asnjëherë nuk u mendua se këto institucione, të ndërtuara me aq shumë mund e sakrificë, do të sulmoheshin e denigroheshin nga vetë shqiptarët.

Ende pa u ndërtuar e fuqizuar si duhet, këto institucione filluan të dëmtoheshin nga partia që tani e udhëheq Qeverinë e Kosovës, duke keqpërdorur pushtetin për fenomene si korrupsioni dhe duke shkatërruar imazhin e shtetit dhe të institucioneve që e përfaqësojnë këtë shtet. Në anën tjetër, këto institucione sulmoheshin edhe prej jashtë, me gurë e ngjyra që shkaktonin dëme që i kushtonin buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve kosovarë qindra mijëra euro. Ç’është më e keqja, këta të fundit po zotohen se do të vazhdojnë me taktikat e njëjta, edhe kur janë vetë pjesë e këtyre institucioneve, duke tentuar që t’i zaptojnë ato me dhunë, dhe po ashtu dhunshëm të pengojnë së vepruari të tjerët, pavarësisht se përfaqësojnë një pakicë që atyre kurrë nuk do të mund t’ua sigurojnë qeverisjen, sidomos tani pasi votat u ranë përgjysmë.

Uji Dea

Se këto dy grupe veprojnë me logjikë të ngjashme të rrënimit të institucioneve, po dëshmon edhe përkrahja që ata në mënyrë indirekte po i japin njëri-tjetrit. Të përballur me rritjen e LDK-së, ata u bënë bashkë më shumë se kurrë për të sulmuar. Përkrahja publike që i dhanë VV-së nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, qëndrimet e përbashkëta me VV-në të zëdhënësit të PDK-së Blerand Stavileci, e së fundi edhe vetë deklarimet e Kryeministrit Thaçi në Kuvend, e dëshmojnë këtë sinkronizim të qëndrimeve. Por mbi të gjitha, dëshmojnë se këto dy subjekte kanë shumëçka të përbashkët, duke përfshirë këtu, në veçanti, talentin për të shpifur në mungesë të fakteve e argumenteve. Pavarësisht shumë sulmeve për ta dëmtuar LDK-në, qytetarët e Kosovës e kuptuan se shteti nuk ndërtohet duke shkatërruar institucionet që përfaqësojnë atë shtet. Ata patën mundësi të shohin se ku e shpijnë shtetin dhe interesin e qytetarëve partitë e tilla shtetrrënuese. Qasjet e tilla e shndërruan Kosovën në një vrimë të zezë që ndërkombëtarisht identifikohet me krim të organizuar e korrupsion, me një vend nga i cili ikin të rinjtë, dhe vend ku Kuvendi gjuhet me gurë e me ngjyra, ku deputetët e ambasadorët e shteteve mike sulmohen fizikisht vetëm pse nuk mendojnë njëjtë me një subjekt politik që organizon këto sulme.

Në këto zgjedhje lokale, prandaj, qytetarët nuk do të vendosin vetëm për komunat e tyre. Vota e tyre do të jetë një mesazh për partitë politike në Kosovë dhe për qasjen që këto parti kishin ndaj institucioneve. Në mes të atyre që ndërtuan institucionet dhe atyre që kanë synim t’i shkatërrojnë e sulmojnë ato, qytetarët anekënd Kosovës më 3 nëntor përkrahën alternativën e parë duke konfirmuar besimin dhe shpresën e tyre në LDK. Kjo përkrahje do të vuloset edhe një herë më 1 dhjetor.

(Autorja është anëtare e Kryesisë dhe deputete e LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna).