Fundamenti

Vonoi emërimin dhe përzgjodhi joprofesionalizmin

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Agron Shurdhani – Kryetari Lutfi Haziri mbushi 60 ditë të plota. Në këtë 60-ditshin e parë filloi zhgënjimi tek qytetarët me mosangazhimin serioz në punë, me vonimin e emërimit të drejtorëve etj.

Ky vonim për zgjedhjen e drejtorëve tek qytetarët, por edhe tek ne si opozitë, na bëri të menduakemi se ndoshta do të emëron njerëzit me profesionalizëm, apo njerëzit e duhur në vendin e duhur. Ndonëse mori aq shumë kohë, ai në vend të profesionalizmit, vendosi t’i emërojë drejtorët nga radhët e veta, të cilët janë militantë që i ndihmuan në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe disa kolegë nga partitë e tjera politike, me të cilët ndanë kulaçin e qeverisjes.

Nga radhët e subjekteve tjera politike, kryetari Haziri emëroi drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit, një ish drejtor për kulturë, rini dhe sport, i cili u pat rrahur e fjalosur me disa zyrtarë të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër e Pronë, dhe u pat shkarkuar nga Qemajl Mustafa, ish kryetar i komunës. Krejt ky emërim është bërë me inate personale, ku këtë drejtori e pat udhëhequr ish drejtori Ismet Hajdini, i cili ishte asokohe bashkëpartiak me Selver Xhelilin në PSD, por ky i fundit u largua nga ky subjekt dhe formoi Lëvizjen Republikane.

Në atë kohë, PSD-ja dhe Ismet Hajdini, nuk e patën mbështetur dhe përkrahur Selver Xhelilin, i cili po shkarkohej nga posti i drejtorit për Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Drejtori aktual i Inspeksionit, z. Xhelili, u gëzua tejmase, sepse e zëvendësoi ish bashkëpartiakun e tij, z. Hajdini, të cilit tash po i ‘hakmerret’, duke i përçuar mesazh simbolikisht: “Ja, unë u shkarkova, dola nga PSD-ja, formova Lëvizjen time Republikane, e fitova një ulëse dhe tash një drejtori, bash atë drejtori të cilën e pati PSD-ja, ish partia ime e dikurshme politike!”.

Po ashtu, në radhët e PD-së, emëroi Labinota Murtezi-Demi, e cila vinte nga fusha e gjuhës dhe letërsisë, ndërsa tani udhëheq Drejtorinë për Shëndetësi. Na thuani z. Haziri, ç’lidhje ka gjuha dhe letërsia me shëndetësinë, respektivisht me profesionalizmin që e premtuat në fushatën elektorale?!

UBT

Nga radhët e partisë së tij, thuajse të gjithë janë politikanë tashmë të konsumuar, të cilët kanë një moshë jashtëzakonisht të shtyrë, me energji jo të re të punës, jo gjeneratë interneti, larg inovacioneve teknologjike për t’i reformuar këto drejtori, qoftë në aspektin administrativ, teknik e teknologjik, por edhe për t’i ofruar shërbime të kënaqshme dhe cilësore qytetarëve nga këto drejtori. Po ashtu, e emëroi drejtor në Drejtorinë për Shpëtim dhe Emergjencë, njeriun me asnjë bazë profesionale, as meritokratike dhe me mungesë të përvojës në këtë fushë. Madje, ai thuhet se ka qenë një punonjës në fushën e gjyqësisë së asaj kohe që perëndoi!
Pra, ja shihni qytetarë të Gjilanit, se çfarë emërimesh bëri Lutfi Haziri, ndërsa u vonua dy muaj të plota kinse për profesionalizëm dhe e shndërroi krejt këtë ndarje drejtorish në pazare politike!

Lufti Haziri, përveç gabimeve të thella në emërimin e drejtorëve, vonesat në konsolidimin e strukturave udhëheqëse komunale, nuk doli në fshatra e lagje të qytetit të Gjilanit, sikur Shpend Ahmeti në Prishtinë për t’u marrë me zgjidhjet e problemeve të qytetarëve, por po merret vetëm me të ardhmen e zgjedhjeve parlamentare, po flet vetëm në pozicionin e politikanit që vjen nga LDK-ja, po merret me Isa Mustafën dhe kritikat ndaj tij që bëri një marrëveshje dhe takim me Hashim Thaçin.

Haziri në vend se të fliste si kryetar komune në Gjilan, për Gjilan dhe vetëm për qytetarët e Gjilanit, ai fare nuk po merret me aq shumë probleme të komunës si: mungesa e ujit të pijshëm, kanalizimet, rrugët e paasfaltuara, mungesa e ndriçimit publik në shumë pjesë të komunës, e shumë halle e derte të qytetarëve të komunës së Gjilanit.

Për neve ka qenë gjithmonë e ditur se Lutfiu nuk ka qenë alternativë e Gjilanit, sepse kemi parë punën e tij që moti, por edhe kësaj radhe, ndonëse qytetarët ia dhanë shansin për të përmirësuar gabimet, ai po zhytet thellë e më thellë në to. Si duket që në muajt e parë të qeverisjes së tij lokale, ai nuk do të mund ta çojë as këtë mandat gjer në fund!

Agron Shurdhani – ekonomist
Lëvizja VV – Gjilan