Mobi Casa

Vokrri priti vëllezërit Blendian e Ardrit Rushiti

/ 3 minuta lexim

Prishtinë- Kryetari i FFK-së Fadil Vokrri, ka pritur në selinë e FFK-së, vëllezërit Blendian e Ardrit Rushiti, nga Gjilani, por të cilët jetojnë dhe janë futbollistë në Lucern të Zvicrës.

Vëllai i madh Blendiani është anëtar i FC”Lucern” dhe luan për grup-moshën U-18, ndërsa i vogli Ardriti luan për U-17 të skuadrës KF” Emmenbrucke”. Me këtë rast kryetari Vokrri i njohu mysafirët me angazhimin dhe përkushtimin që ka FFK-ja për grup-moshat e reja me një theks të veçantë për lojtarët shqiptarë që gjenden në mërgatë nëpër shumë shtete evropiane.

Vokrri ka thënë se Zvicra tashmë e është e njohur si çerdhe e futbollistëve shqiptarë të Kosovës që kanë bërë emër në futbollin e evropian. “Në këtë drejtim FFK-ja me kujdes është duke i përcjellur këta futbollistë dhe për këtë në uebfaqen e FFK-së është hapur një kënd i veçantë ku mund të regjistrohen lojtarët dhe talentët e rinj që gjenden në mërgatë, në mënyrë që FFK-ja të ketë një pasqyrë reale të tyre. Po ashtu FFK-ja do të përpiqet që të organizojë edhe kampe të ndryshme për të parë talentin e tyre nga afër. Në këtë drejtim që tri vite me radhë është duke u organizuar Kampi Nacional Edukativ për U-15 e ku ka pasur të përfshirë edhe shumë futbollistë nga mërgata. Ne edhe në të ardhmen do të punojmë shumë me futbollistët jashtë Kosovës, që ata një ditë të bëhen pjesë e përfaqësueseve të Kosovës”, u ka thënë Vokrri vëllezërve Rushiti që po shoqëroheshin nga babai i tyre Berati.

RCCOLA

Nga ana e tyre vëllezërit Rushiti kanë falënderuar kryetarin Vokrri për këtë pritje duke shprehur admirimin e tyre se i ka pritur, siç u ka thënë babai, njëri ndër lojtarët më të mirë jo vetëm të Kosovës, por të krejt trojeve shqiptare legjenda e futbollit Fadil Vokrri.

Ata kanë premtuar se do të japin gjithçka për futbollin e Kosovës dhe ëndërr e tyre është që të veshin fanellën e Përfaqësueses së Kosovës, duke shprehur gatishmërinë që në çdo kohë t’i përgjigjen ftesës së FFK-së. Ata kanë thënë se për futbollin e Kosovës kanë mësuar nga babi i tyre dhe nga mjetet e informimit sikur edhe nga njerëzit kur vijnë këtu në Kosovë.

Natyrisht ata i brengos fakti që në Kosovë mungon infrastruktura duke marrë parasysh se Kosova ka shumë talente, të cilët punojnë dhe zhvillohen në kushte tejet të vështira. /rajonipress/