Eko Higjiena

Vogel: Me administratën Trump presioni mbi Kosovën do të jetë disproporcional

/ 20 minuta lexim
RCCOLA

Bashkëpunëtori i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, Toby Vogel, tha se “presioni është mbi Kosovën tani për tani sepse mendohet se nëse zhbllokohet Asociacioni, të tjerat do të vazhdojnë”, por e ka kundërshtuar këtë ide.

Vogel, në njëintervistë për RTV21, tha se në Bruksel është ende një ndjënjë “që fillimisht Kosova ta themelojë Asociacionin e pastaj BE-ja të heqë sanksionet ndaj saj”.

Ballkani sërish duket të jetë në një perspektivë të zymtë sot. Republika Serbe po provon të ndahet. Tensione të rritura në Mal të Zi, probleme në pjesën veriore të Kosovës, tensione brenda Serbisë pas zgjedhjeve të parakohshme. A po rikthehet ky rajon në ditët e tij të vështira?

Toby Vogel: Nuk mendoj se po kthehemi në ditët e vështira të viteve 1990, por nuk ka dyshim se, duke folur në aspektin rajonal, dhe në shumë raste individuale të cilat ju sapo i përmendët, këto janë, mbase, ditët më të vështira dhe javët e muajt, që kur luftëra të ndryshme dhe konflikte janë ndalur ose ishin ndaluar. Dhe, natyrisht kur i vëni të gjitha këto gjëra së bashku ju e shihni realisht një faktor, një shtytës të destabilitetit dhe ajo është Serbia e Aleksandar Vuçiqit.

Tensionet në Ballkan janë rritur njëkohësisht me luftën në Ukrainë dhe me konfliktin në Lindjen e Mesme. Kishte shkëndija të përplasjeve të fuqishme në pjesën veriore të Kosovës, posaçërisht pas 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Dhe natyrisht, ka përforcime të NATO-s, por me sa duket gjendja është ende e brishtë. Mund të druajmë se mund të shohim më shumë tensione këtë vit? Më shumë se sa kishte më parë? Dhe ju e përmendet shkakun, Aleksandar Vuçiq?

Toby Vogel: Unë hezitoj që të spekuloj se çfarë mund të ndodh. Por, mendoj se të gjithë përbërësit për përplasje të përsëritur, e kuptoni, trazira të përsëritura janë aty. Dhe një nga arsyet pse është kështu është sepse nuk kishte absolutisht zmbrapsje pas Banjskës, asnjë. Kishte pak retorikë nga Bashkimi Evropian, nga Gjermania, nga SHBA-ja, por asnjë pasojë për Serbinë dhe qeverinë e Serbisë. Nuk kishte zmbrapsje fare. Dhe përderisa e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare është e përkushtuar që të vazhdojë punën si zakonisht me Serbinë e Vuçiqit nuk e shoh se situate do të përmirësohet. Dhe e njëjta ndodh edhe me dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, i cili, siç dini, nuk ka prodhuar asgjë realisht që nga e ashtuquajtura marrëveshje e Ohrit dhe ne mund debatojmë gjatë nëse vërtetë ishte një rezultat sepse njëra palë më pas e bëri shumë të qartë se nuk ishte e interesuar, se nuk e sheh veten të detyruar me këtë marrëveshje.

A nuk e vuri në pikëpyetje vet BE-ja dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me faktin se Kosovës i vuri sanksione për kryeneçësinë, ta quaj kështu, në ndërlidhje më zhvillimet në veri dhe e la të pandëshkuar, siç thoni, Serbinë për të gjitha ngjarjet që ndodhën më 24 shtator të vitit të kaluar?

Toby Vogel: Kjo është shumë e vërtetë! Por dialogu ishte në një gjendje të vështirë edhe më parë, do të thosha më herët, me nismën franko-gjermane që definoi qëllimet e dialogut, që përcaktoi këtë qëllim të ndërmjetëm duke ndalur njohjen reciproke. Ky ishte, tashmë, një sinjal i fuqishëm se nuk po ecte mbarë. Por edhe me këtë ambicie të reduktuar, dialogu vërtetë nuk ka shërbyer si asgjë më shumë se një forum për zgjidhjen e konfliktit, nëse mund ta quaj. Pra, ka një krizë shumë shpesh të prodhuar, të projektuar nga Beogradi. Dhe dialogu duhet të shtendosë krizën në vend se të përqendrohet në atë pse dialogu ekziston. Në radhë të parë është një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me njohje, de facto njohje apo de jure njohje mund të debatojmë për këtë. Por ky ishte qëllimi i përcaktuar i dialogut. Tani, nëse e keni përcaktuar këtë dhe nëse thoni tashmë se është shumë vështirë të arrihet, që kërkon disa hapa të ndërmjetmë atëherë po e pranoni tashmë se një numër vitesh, apo diçka e tillë, të dialogut, kanë prodhuar shumë pak, jo asgjë, por shumë pak.

Çfarë po i kërkoni BE-së dhe SHBA-së të bëjnë në raport me Serbinë sot dhe posaçërisht në raport me Presidentin Vuçiq i cili, siç e thatë, është një nga arsyet pse po rriten tensionet çdo ditë? Çka prisni nga BE dhe SHBA të bëjnë?

Toby Vogel: Siç e thash më parë, ka një përkushtim nga ana e BE-së dhe SHBA-së dhe nuk ka dallime ndërmjet dy palët në këtë çështje. Ata janë të bashkuar rreth kësaj, në përkushtimin e tyre që të kryejnë punën si zakonisht. Askush nuk dëshiron ta lëkundë varkën dhe mendoj se, ju e përmendët Ukrainën, e përmendët Palestinën, vet fakti se këto dy luftëra në këtë fqinjësi po e absorbojnë vëmendjen e politikave aktualisht nënkupton se edhe më shumë se sa ishte më parë, askush nuk do ta që ta lëkundë varkën, askush nuk do që të bëjë diçka që mund ta prishë ‘status quo-n’. Prandaj, ata më parë do të donin një ‘status quo’ të keqe se sa të provojnë të arrijnë një ndryshim pozitiv. Kjo është ajo dinamika që na duhet. Që ta thyejmë këtë na duhet një vëmendje e lartë për këtë, në kuptimin e SHBA-së dhe flas për Presidentin dhe jo për sekretarin e shtetit dhe sigurisht jo për burokratët të cilët aktualisht drejtojnë politikat dhe në BE, diçka e ngjashme duhet të ndodh. Pra, vendet anëtare të BE-së, qeveria Gjermane në veçanti, qeveria Franceze, duhet të marrin përsipër këtë proces dhe të thonë, shikoni kjo nuk ka funksionuar, ne po futemi tani, ne po e nisim me synime të reja, synime të reja të artikuluara duke ndjekur një politikë rishikimi të asaj se çfarë ka shkuar keq deri tani. Natyrisht, shoh pak gjasa që të ndodh kjo për shkak të asaj që thash për shkak të Ukrainës, Gazës, ato po absorbojnë gjithë vëmendjen politike, por gjithashtu, natyrisht, marr parasysh zgjedhjet e ardhshme, edhe në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara, në nëntor.

Ju jeni në kryeqytetin Evropian. Jeni në Bruksel. Dikush do të thotë se BE-ja është shumë i ngathët në raport me Ballkanin. Është e vërtetë apo jo?

Toby Vogel: Po, do të pajtohesha me këtë diagnozë. Për një kohë të gjatë BE-ja e ka parë Ballkanin tërësisht përmes thjerrëzave të zgjerimit të anëtarësimit në BE. Ideja ishte që anëtarësimi në BE, procesi do të çonte këto elita politike në çdo vend drejt reformave, në mënyrë kuptimplote reformë, transformimit të ekonomive të tyre dhe qeverive të tyre, shteteve të tyre. Dhe kjo nuk ka ndodhur. Dhe një arsye për këtë është se, është mjaft evidente, një numër të elitave në detyrë dhe liderët aktualë në rajon në fakt nuk duan që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Kështu që unë mendoj se BE-ja ka nevojë që ta njoh më në fund këtë dhe të ndërmarrë një spektër të plotë, të gjërë të rishikimit të qasjes së tij aktuale dhe pse nuk ka rezultat. Kjo do të ishte vërtet një parakusht për ndryshim kuptimplotë. Por siç e thashë më parë, ka shumë pak oreks për këtë dhe veçanërisht në një vit zgjedhor.

Vogel: Rruga e Kosovës drejt BE-së e bllokuar, përderisa 5 vendet anëtare të BE-së të mos e njohin

A duhet BE-ja në përgjithësi, gjithashtu, ta rishikojë veten ne raport me pesë vendet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, me qëllim që… Më lejoni të them pesë vendet mos njohëse a nuk janë ato një lloj pengese për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? A nuk i dha kjo hapësirë Rusisë që të ndërhyjë në proces?

Toby Vogel: Unë personalisht besoj se de vendet mos njohëse duhet ta njohin. Mendoj se kjo do të ishte një gjë pragmatike për ta bërë. Kësaj pesëshe jo njohëse gjithashtu duhet t’ia shtojmë edhe Hungarinë që e ka njohur Kosovën por që është kthyer në shumë, shumë armiqësore vitet e fundit. Por çështja është se vetë Bashkimin Evropian, për sa i përket një institucioni, Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Këshilli i Bashkimit Evropian, ata nuk munden, nuk mund t’i detyrojnë këto vende për të njohur. Kjo është në kompetencë të një shteti anëtar. Pra, varet nga secili shtet anëtar individual që të vendos nëse duan ta njohin. Unë shoh se ka pasur lëvizje në atë drejtim herë pas here në disa vende. Këtu, për shembull, mendoj për Greqinë, por kjo lëvizje, zakonisht, ndërpritet për arsye të ndryshme. Por nuk mendoj se kjo domosdoshmërisht duhet të jetë, nga nevoja, një pengesë për dialogun. Unë mendoj se dialogu mund të vazhdojë në mungesë të një njohjeje të plotë. Ajo që nuk mund të shkojë përpara, natyrisht, është procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE. Përderisa ka shtete anëtare që nuk e njohin Kosovën, Kosova do ta shohë rrugën e saj të bllokuar. Është kaq e thjeshtë! Mund të ketë hapa pragmatikë, sapo kemi parë, për shembull, Spanjën që ka njohur përfundimisht pasaportat e Kosovës. Ky është një hap pozitiv, pragmatik. Mund të ketë të tjerë në atë drejtim. por në fund të fundit, kjo është diçka që secila prej këtyre pesë qeverive do të duhet të pyesin veten nëse nuk janë..; nëse ata në fakt nuk po e bëjnë situatën më keq sesa më mirë.

Vogel: Spanja nuk është më afër njohjes së Kosovës

A mundet kjo qasje e re e Spanjës ndaj Kosovës të bëjë disi një ndryshim me këto pesë vende mos njohëse? A mundet ta shtyjë disi procesin përpara?

Toby Vogel: Unë nuk mendoj kështu, sepse është, një hap mjaft teknik. Mjaft… Dua të them, ka implikime, padyshim, shumë të ngushta. Është një hap shumë i prekshëm për kosovarët, për qytetarët e Kosovës dhe një hap pozitiv për ta. Por nuk mendoj se kjo do të thotë se Spanja tani është më afër njohjes së Kosovës.

Dhe kjo situatë më thoni: meqë për çfarëdo që po flasim ka të bëjë me sigurinë dhe BE-ja e SHBA-ja më shumë janë marr me situatën e sigurisë në Kosovë pas 24 Shtatorit dhe madje edhe para kësaj dhe jo me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe në Ohër. A jemi më larg nga zgjidhja apo a ka ende mundësi që këtë vit të kemi një përfundim? Marr parasysh këtu zgjedhjet edhe në BE edhe në SHBA?

Fundamenti

Toby Vogel: Unë jam shumë skeptik për këtë, për një arsye: unë mendoj se shumë aktorë në këtë shfaqje në thelb janë në ngecje deri në momentin kur presin që një administratë Trump 2 ta marr detyrën. Ju mund ta shihni këtë lojë vonese, ju mund të shihni njerëz që nuk angazhohen plotësisht. Tani do të kemi një situatë ku për muaj e muaj e muaj përpara, kur do të ketë vetëm një qeveri në detyrë në Serbi që i jep presidentit Vuçiq pretekstin për të mos bërë asgjë, për të mos ndërmarrë asnjë hap madhor politik derisa nuk është në interes të tij ta bëjë. Dhe për sa kohë që nuk ka presion mbi Beogradin për të përmbushur nga ana e tij, në premtimet e tij, unë me të vërtetë nuk e shoh të ketë lëvizur. Dhe të mos harrojmë gjithashtu se njerëzit që menaxhojnë dialogun do të jenë mjaft të shpërqëndruar deri në zgjedhjet evropiane të qershorit. Sigurisht, Përfaqësuesi i Lartë Borrell ndoshta nuk do të mund t’ia përkushtojë vëmendjen e tij të plotë kësaj. Në formatin aktual, e kam shumë të vështirë ta shoh këtë përmbushje në muajt e ardhshëm.

Vogel: Brukseli do që Kosova ta themelojë Asociacionin, pastaj t’i heqë sanksionet

Siç po më thoni: a mund të them dhe të përfundoj se nuk ka heqje të sanksioneve ndaj Kosovës deri në zgjedhjet e Bashkimit Evropian?

Toby Vogel: Mendoj se ka një ndjenjë të përgjithshme në Bruksel që Kosova duhet të zbatojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të miratojë statutin dhe ta nis atë. Unë mendoj se nëse Kosova do ta bënte këtë ndoshta do të jetë mjaft e vështirë për të mbajtur sanksionet. Por ka ende një ndjenjë në Bruksel, shumë të fortë dhe në Uashington gjithashtu, që për të motivuar Beogradin që ta njohë Kosovën, ne duhet t’i japim diçka Beogradit. Pra, kjo shihet si lëshim reciprok. Dhe unë mendoj se ndoshta kjo nuk është korniza analitike më e dobishme, jo mënyra më e dobishme për të menduar për dialogun.

Pra ju jeni pesimist se Kosova do ta zbatojë obligimin e saj për zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe se Serbia do të ecë pastaj drejt njohjes ta quaj de facto të Kosovës?

Toby Vogel: Më duket se procesi është mjaft i mbërthyer në këtë moment. Dua të them, ne kemi pasur pak lëvizje me targat, kjo sigurisht është e mirëpritur. Por, ju e dini, në skemën e përgjithshme të gjërave, kjo është një çështje relativisht e vogël. Nuk po them se është thjesht simbolike. Ka implikime praktike, implikime praktike pozitive, por nuk është një hap i madh politik, sipas mendimit tim. Që kjo të ndodhë. mendoj se kushtet do të duhet të ndryshojnë. dhe nuk shoh që kushtet po ndryshojnë për të gjitha arsyet që sapo i kam përshkruar, duke përfshirë fokusimin e të gjithëve në Gaza dhe Ukrainë

Vogel: Asociacioni nuk zhbllokon hapat që kërkohen nga Serbia

Brukseli thotë se marrëveshjet e arritura janë ligjërisht të detyrueshme edhe pa nënshkrim. Kosova ka kërkuar nënshkrimin si masë për zbatim. Serbia refuzon të nënshkruajë. Tri, si të thuash, pozicione të ndryshme me sa e kuptoj. Ka apo jo një marrëveshje dhe a ka apo nuk ka një zbatim të tyre?

Toby Vogel: Ka një marrëveshje, në kuptimin se ka një tekst që ka titullin e marrëveshjes. Nuk mendoj se ka një marrëveshje në kuptimin se dy palët në fakt kanë rënë dakord me të dhe janë obliguar me të dhe janë përkushtuar ndaj saj. Dhe Serbia e ka bërë shumë të qartë, duke përfshirë në formën e shkruar në një letër nga kryeministrja Brnabiq, disa javë më parë, ku thoshte shumë qartë se cilat janë vijat e kuqe të saj dhe ato vija të kuqe kalojnë pikërisht mespërmes marrëveshjes. Kështu që nuk jam shumë i sigurt. Dhe pika tjetër në lidhje me nënshkrimin gjithashtu është nëse vërtet pajtoheni me diçka, Unë me të vërtetë nuk shoh ndonjë arsye pse ju nuk do të nënshkruani. Është kaq e thjeshtë. Pra, po, nuk do të shkoja aq larg sa të thosha ne kemi një marrëveshje. Nuk mendoj se kjo marrëveshje është kuptimplotë. Tani, SHBA dhe BE po punojnë fort për ta bërë realitet dhe ata janë duke u fokusuar kryesisht tek pala më e dobët në procesin negociator që është Kosova. Pra, i gjithë presioni është mbi Kosovën tani për tani sepse mendohet se nëse e zhbllokojmë Asociacion, të tjerat do të vazhdojnë. Mund ta merrni me mend se unë jam në të vërtetë shumë skeptik për këtë analizë. Unë nuk mendoj se Asociacioni thjesht do të zhbllokojë të gjithë hapat e tjerë që kërkohen posaçërisht nga Serbia.

Vogel: Dialogu duhet të riformatohet – nuk është kuptimplotë

Me sa kuptoj, a mund ta them se dialogu ka “vdekur”?

Toby Vogel: Unë e kam bërë, unë i kam përdorur ato fjalë në të kaluarën. Ndoshta nuk është gjëja më konstruktive për të bërë. Mendoj se për aq kohë sa dialogu ka një shans për të ofruar, ne duhet të përpiqemi ta bëjmë atë të funksionojë, por jam shumë, shumë, shumë skeptik se mundet. Mendoj se e kemi kaluar pikën ku ky është një format kuptimplotë, ku palët angazhohen në mënyrë kuptimplote në një dialog aktual. Përsëri, për arsye që kam theksuar dhe për sa kohë që është kështu, mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm se ajo që i nevojitet dialogut është një rinisje. Ka një, ka nevojë për një riformatim. Dhe ndryshe nuk besoj se kjo me të vërtetë do të zgjidh ndonjë gjë.

Ju keni qenë shumë skeptik me planin franko-gjerman dhe unë do t’ju citoj: “çfarë më shqetëson është se qëllimi i fazës së re, faza përfundimtare e negociatave duket të jetë diçka më pak se njohja. Ju e thatë këtë kur erdhi puna për të parë planin franko-gjerman. A jemi sërish dhe sërish në gjysmë të rrugës?

Toby Vogel: Plani franko-gjerman supozohej të ofronte një lloj momenti të ripërtërirë në dialog duke përcaktuar një lloj faze të ndërmjetme. Problemi me këtë ka qenë gjithmonë që sapo keni arritur atë fazë të ndërmjetme, gjithë presioni mbi palët për të arritur një marrëveshje përfundimtare do të hiqej, të gjithë stimujt e vjetër thjesht do të binin. Dhe kështu me siguri do të mund të shihnim nëse do të kishte pasur një marrëveshje sipas planit franko-gjerman, ndoshta do të shihnim një ngërç të vazhdueshëm, harresë për Kosovën për sa i përket njohjes së saj ligjore e kështu me radhë e kështu me radhë. Tani, mendoj se qeveria gjermane e ka pranuar këtë dhe ka theksuar se sigurisht, marrëveshja finale, obliguese dhe gjithëpërfshirëse për normalizim nënkupton se njohja de facto e Kosovës nga Serbia është e dobishme. Në një farë kuptimi, ne po kthehemi tek faza e parë e ditëve të para të dialogut kur ishte shumë, shumë i qartë qëllimi përfundimtar. Por është pak zhgënjyese se u deshën vite për të ecur, siç e dini, nga ajo pikë deri në një pikë sa po themi sërish ajo që u tha në 2011 për qëllimin final. Pra, ju e dini, e gjithë kjo ka pasur shumë kthesa diplomatike, shumë e shumë rrotullime boshe të rrotave pa dhënë vërtet rezultat dhe kjo është zhgënjyese.

Vogel: Me administratën Trump presioni mbi Kosovën do të jetë disproporcional

Më lejoni t’ju pyes, z. Vogel, kur përmendët Trump dy, administratën e re që mund të vijë pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe kur të kemi një lidership të ri në Bashkimin Evropian pas zgjedhjeve këtë vit, a mendoni se do të ketë më shumë presion mbi Kosovën që të përmbsuhë obligimet e saj apo do të ketë presion të balansuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Toby Vogel: Kjo, natyrisht, është shumë e vështirë të parashikohet. Dua të them, së pari, ne nuk e dimë nëse do të ketë një administrate të dytë Trump. Ne madje as nuk e dimë nëse do të ketë një administrate të dytë Biden, në rast se Trump humbet. Ka pengesa të ndryshme ne nuk e dimë vërtet si do të duket gara. Por duke supozuar për një moment, për hir të diskutimit, se do të ketë një Administratë të dytë Trump, mendoj se presioni do të jetë në mënyrë disproporcionale mbi Kosovën, madje edhe më disproporcionale se sa është aktualisht. Pra, në njëfarë kuptimi, në fakt nuk mendoj që politika e administratës së Biden karshi Ballkanit, në aspektin rajonal dhe Kosovës e Serbisë në veçanti, është plotësisht ndryshe nga Trump 1 ose Trumpi 2 i mundshëm. Por unë mendoj se është çështje e shkallës dhe nivelit

Jam shumë ngurrues të them pyetja e fundit sepse s’ka një pyetje të fundit meqë ky është një bashkëbisedim dhe mund të vazhdojë. Por dua t’ju pyes a e shihni, apo a ka një mundësi që Kurti dhe Vuçiq do të përmbyllin këtë marrëveshje ndërmjet tyre?

Toby Vogel: Nuk shoh arsye pse të mos e bënin. Dua të them, nuk mendoj se kjo është një pyetje e të pasurit lider konstruktiv ose më pak konstruktiv në vend. Është një çështje e stimujve politikë nga të dyja palët. Dhe ku hyn në lojë personaliteti mendoj se bëhet fjalë për një vullnet të caktuar për të bërë kompromis dhe për të qenë pragmatik. Ne kemi parë në proceset e tjera negociuese, për shembull, nëse mendoni për bisedimet për zgjidhjen e Qipros, ku mund të keni udhëheqës të cilët madje ishin miq personal dhe të cilët ishin të vendosur për të arritur një zgjidhje dhe nuk mundën për shkak se kushtet nuk ishin të favorshme. Mendoj se Kosova dhe Serbia është paksa një rast i ngjashëm. Kështu që unë sigurisht nuk do ta përjashtoja këtë. Unë mendoj se Vuçiq është plotësisht i gatshëm për të bërë gjëra jo popullore nëse janë në interesin e tij. Por pyetja është si i formojmë këto interesa? Si ta ripërcaktojmë fushën e lojës që ai të ndjehet se nuk ka zgjidhje ose e ndjen se kjo është mënyra më e mirë e veprimit? Dhe këtu mendoj se jemi ende në fazat shumë, shumë të hershme. Për sa i përket qëndrimit ndërkombëtar përballë këtij problemi. ka një punë të madhe për të bërë, punë politike, jo punë teknike. Jo punë ligjore, por punë politike./rtv21/