Vllasi: Thaçi kryeministër, Isa president

Isa Mustafa është Kryeministri më i përgatitur për punët që e presin Kosovën, kurse Hashim Thaçi duhet ta përkrahë liderin e LDK-së në pozitën e re. Mirëpo, pas dy vitesh, Thaçi do të rikthehet në pozitën e Shefit të Qeverisë e Mustafa do të ngjitet në Presidencë. Kështu thotë analisti Azem Vllasi.
“Isa Mustafa është Kryeministri nga i cili mund të pritet më së shumti në lëmin e cila duhet të jete prioritet i Qeverisë, e kjo është zhvillimi ekonomik. Me profesion është ekonomist dhe ka përvojë jetësore nga punët në këtë lëmi. Për dallim prej të gjithë të tjerëve që ishin në këtë post pas lufte, Isa është më i përgatituri për punët që Kosova i ka në prioritet… “, ka thënë Vllasi për Express.
Ai thotë se kushdo që e ka në zemër interesin e shtetit dhe popullit para se pushtetin dhe ambiciet personale, pra edhe Hashim Thaçi, tani duhet ta përkrahin Kryeministrin Mustafa që ky me sukses ta kryejë detyrën që e ka. “… Besoj se Isa Mustafa nuk do të lejojë që të jetë Kryeministër-kukull”.
“Unë besoj se Isa Mustafa mirë e ka vlerësuar se karrigia e Kryeministrit është e nxehtë. Njeriu, kur e merr me vetëdije detyrën që kërkon guxim, vendosmëri dhe sakrificë, atëherë vendos që të jetë i tillë. Më i guximshëm sesa në jetën private dhe në punë të vogla. Kur merr për detyrë me udhëheq shtetin, nuk i takon vetëm vetes dhe familjes, por një pjesë të komoditetit personal gjithsesi dedikon detyrës që ke marrë. Besoj se Isa të gjitha këto i ka llogaritë mirë”.
“Thaçi lakmon në pushtet real e efektiv e jo protokolar. Ndërsa Isa pas dy viteve edhe mund të lodhet pak dhe sipas moshës, para pensionit, vendi i Presidentit do t’i vinte mirë”
Vllasi vlerëson se “sipas numrit të vendeve në Parlament, ky koalicion është stabil dhe mund qëndrojë deri në fund të mandatit”.
“Por, pasi që në marrëveshje është përfshi posti i Presidentit për Hashim Thaçin, pas dy viteve, është e mundur që pas dy viteve Isa e Hashimi t’i ndërrojnë vendet. Thaçi lakmon në pushtet real e efektiv e jo protokolar. Ndërsa Isa pas dy viteve edhe mund të lodhet pak dhe sipas moshës, para pensionit, vendi i Presidentit do t’i vinte mirë”, tha Vllasi, duke potencuar se udhëheqja e LDK-së, me vetëdije ka hyrë në këtë koalicion qeverisës duke kërkuar vendin e Kryeministrit me Isa Mustafën. “Prandaj, do të ishte joserioze që mos t’i vazhdohet Isës mandati si Kryetar i LDK-së”. /Express/