Gjermanët i bëjnë presion Kosovës, por i tregojnë se nuk janë të plotfuqishëm në Europë për t’ia kryer punët
Në përpjekje që të arrihet marrëveshje për CEFTA’n, Gjermania ka marrë rolin kryesor. Berlini, nëpërmjet emisarit Manuel Sarrazin, po përpiqet ta bindë Kurtin që të pranojë pakon e negociuar nga ta: Kosova* në CEFTA si zëvendësim për UNMIK’un, pjesëmarrja në Tregun Rajonal dhe heqja e masave ndaj mallrave serbe. Për këtë gjermanët kanë lëshuar edhe kërcënime duke thënë se bashkëpunimi rajonal mund të ecë përpara pa Kosovën. Por, pavarësisht presionit ndaj Qeverisë së Kosovës, emisari i saj Sarrazin tregoi se vendi i tij i ka limitet e veta.
Gazeta Express
Teksa negociatat mes dy vendeve po zhvillohen intensivisht, Sarrazin dje ka zgjedhur të nxjerrë pak “sekrete” diplomatike lidhur me atë se çfarë ka bërë Gjermania muajt e fundit në arenën ndërkombëtare. Diplomati gjerman formalisht ka ardhur për Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, por në sfond të tij ishte angazhimi për ta bindur Qeverinë që t’i pranojë kërkesat e Berlinit. Kurti s’ishte në Kosovë, kështu që Sarrazin u mor me Bislimin. Konfirmuan bisedimet për CEFTA, por s’dhanë shumë detaje.
Në misionin e tij Sarrazin përdori edhe atë që, siç tha ai, Gjermania ka bërë për Kosovën duke theksuar se dërgimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE është proceduar në Asamblenë Parlamentare në Strasburg për shkak të Gjermanisë.
“I kemi bërë të gjitha përpjekjet lobuese, kohën tonë, të Ministres time, Kancelarit tim dhe gjithë fuqinë tonë për ta shtyrë presidencën islandeze për ta hedhur në votim, e që nuk ishte votë unanime, që disa njerëz thonë se është diçka e zakonshme në Strasburg. Atë kohë po ashtu iu thamë partnerëve tanë se ne po shtyjmë përpara ju na ndiqni sepse kjo do të çojë në progres pozitiv në dialog”, tha Sarrazin.
“Një vit më vonë këta partnerë thanë dëgjoni djemë, çka ndodhi në terren kështu që kjo është situata”, tha Sarrazin duke aluduar se s’janë përmbushur zotimet në dialog.
Tutje, ai tha se e di që ka zhgënjim që s’ka ndodhur anëtarësim duke rrëfyer se as Gjermania s’ka qenë për ta ndërlidhur anëtarësimin në KIE me dërgimin e statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, por në fund është pranuar kjo dhe se për këtë ka theksuar se nuk është “i lumtur”, por “jeta është e tillë”.
Sipas tij, kjo edhe ka qenë arsyeja që s’është procesuar tutje çështja e anëtarësimit pasi Gjermania s’ka qenë e vullnetshme ta rrezikojë procesin.
“Pohimi është se nëse Gjermania do të donte ne do të mund t’i shtynim francezët, italianët dhe të tjerët që të jenë më pozitivë për këtë. Por dua të them se Gjermania s’është e plotfuqishmja e Europës, e veçmas jo në raport me Francën dhe së dyti ka mjaft tema mes Gjermanisë dhe Francës. Kosova s’ka qenë tema e vetme në raportet tona bilaterale”.
Tutje Sarrazin ka thënë se Kosova s’duhet të bazohet vetëm te Gjermania që ta bëjë punën diplomatike.
“Puna duhet të bëhet edhe nga Kosova për ta bindur partnerët tjerë”, theksoi ai.
Prishtina “vlon” nga Gjermanët – Osmani në Gjermani
“Ai [Procesi i Berlinit] është para së gjithash një format konsistent dhe gjithëpërfshirës për që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Kështu e prezanton veten Procesi i Berlinit në faqen e tij zyrtare – platforma e krijuar më 2014 me qëllimin e rritjes së bashkëpunimit të Gjermanisë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Më 2024, në prag të shënimit të 10-vjetorit të këtij procesi, gjermanët janë angazhuar që nga presidenti, kryediplomatja, emisari i posaçëm e ambasadori që të mbajnë këtë zotim për gjithëpërfshirje në mënyrë që Kosova të mos përjashtohet nga ky proces meqë e rrezikon atë për shkak të kokëfortësisë për të mos lëshuar pe në një marrëveshje të propozuar mbi CEFTA-n.
Nën hijen e një kërcënimi nga Gjermania se Kosova mund të përjashtohet nga CEFTA, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, udhëtoi drejt Berlinit dy ditë më parë për takime me homologun e saj, si dhe me kryediplomaten e vendit.
Në takim me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, Zyra e Presidentes tha se diskutimet në këtë takim ishin për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Osmani i tha Steinmeier se vendi i saj e vlerëson Gjermaninë për mbështetjen në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.
“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, tha Osmani.
Ndërkaq, Steinmeier bëri një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook për takimin që pati me homologen kosovare. Ai tha se Gjermania e mbështet Kosovën në rrugën e saj të nisur drejt BE-së dhe Këshillit të Europës, por tha se vendi i Ballkanit duhet të krijojë vetë kushtet për këtë.
“Gjermania është shumë e interesuar për stabilitetin e rajonit dhe mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës”, theksoi presidenti federal gjatë bisedimeve.
“Vendi duhet të punojë për të krijuar kushtet e nevojshme për këtë”, shtoi ai.
Situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë ishin gjithashtu tema të diskutimit mes presidentes Osmani dhe ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Osmani i tha asaj se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, porse një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe presidenti i saj.
Në këtë kontekst, Zyra e Osmanit tha se ajo ka potencuar se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka treguar përkushtim për t`i adresuar çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit rajonal.
“Kosova e ka pranuar marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-të, ndaj marrëveshja duhet të zbatohet si e plotë”.
Nga ky takim, ZPRK tha se u “konfirmuan marrëdhëniet e mira” mes dy vendeve.
Në anën tjetër, Baerbock pas një konference përgatitore për samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor, tha: “Ballkani Perëndimor i takon Europës. Anëtarësimi në BE i shteteve të Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri gjeopolitike. Nuk ka vend për zona gri në Europë”.
Çfarë tha tjetër emisari gjerman?
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, pasi mori pjesë në takimet e Osmanit me shefen e tij, erdhi në Prishtinë për t’i bërë jehonë tregut të lirë.
Vendi i tij vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që ta largojë masën e sigurisë për mallrat serbe duke e cilësuar këtë masë në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Europës Qendrore (CEFTA).
Sarrazin ka thënë se ndalimi i mallrave të prodhuara në Serbi që prej qershorit të vitit të kaluar është kundër parimeve të CEFTA-s dhe në këmbim të heqjes së ndalesës ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj me fusnotë dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Aty ai tha se investuesit që shkojnë në ndonjërin prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e shikojnë edhe potencialin që e jep rajoni si i tërë. Pas fjalimit, ai pati një takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi ku diskutoi për CEFTA-n.
Para audiencës, pjesë e së cilës ishte edhe Besnik Bislimi, Sarrazin tha se aktualisht shumica e investitorëve shkojnë në Serbi për këtë arsye. Këtu ai bëri thirrje që të ndryshohet kjo dhe që Kosova të jetë pjesë e një tregu rajonal – të cilin e përshkroi edhe si një ndihmesë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Për t’u treguar shumë i sinqertë, sot shumë prej investitorëve shkojnë në Serbi derisa duan të investojnë në Serbi dhe të bëjnë biznes me tërë rajonin. Le ta ndryshojmë këtë. Le t’ju tregojmë investitorëve gjermanë që ju investoni në Kosovë dhe ne bëjmë një treg të përbashkët rajonal që e bën të mundshme që prej këtu ju mund të keni sukses në rajon”.
Më i sinqertë dhe më i ashpër, Sarrazin u bë në një tryezë pas forumit ekonomik gjermano-kosovar në Prishtinë në një panel që e kritikuan qasjen e qeverisë gjermane ndaj Kosovës.
“Ju nuk mund të besoni vetëm në Gjermaninë duke bërë vetëm punën tuaj diplomatike. Është edhe punë e vetë Kosovës që të bindë edhe partnerët tjerë dhe jo të na lë vetëm neve që t’i bindim ata”, tha Sarrazin.
Ndërkaq, kritikat që Kosova u kushtëzua me Asociacion në mes të rrugës për Këshill të Europës pasi plotësoi të gjitha kriteret e vendosura, Sarrazin tha se vendimi për Manastirin e Deçanit erdhi shumë vonë dhe Kosova u vonua të kapte momentumin.
“A mund të them diçka sinqerisht dhe më ndërprisni nëse jam shumë i sinqertë. Dëgjoni, në botë gjërat ndryshojnë dhe nëse juve ju ik momentumi, mos u ankoni më pas që gjërat ndryshojnë. [Manastiri] Deçani erdhi shumë vonë. Erdhi shumë vonë. Jam shumë i sigurt, ky nuk është qëndrim zyrtar i qeverisë gjermane, nëse do bëhej gjysmëviti më herët sot do të ishit në Këshill të Europës. Erdhi shumë vonë qartazi. Dhe nuk po them se kjo është e drejtë, mund të qeshni, por kjo është jeta”.