Vllasi: Qytetarët ta rrethojnë Kuvendin deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit

Juristi Azem Vllasi ka thënë se nëse nuk ka zgjidhje të krizës në Kuvend, ku po dështon zgjedhja e kryetarit, duhet të ketë presion nga qytetarët.
Ai ka thënë se qytetarët duhet të mblidhen në numër të shumtë dhe ta rrethojnë Kuvendit dhe nëse deputetët nuk e zgjedhin kryeparlamentarin të mos t’i lejojnë të dalin nga aty.
“Masi po luajnë kështu deputetët e parlamentit me vullnetin votueseve në dëm të popullit dhe shtetit, është mirë të mblidhen disa mijëra qytetarë – votues, kur të mblidhen deputetët ta rrethojnë Kuvendin e ta bllokojnë mirë, në mënyrë paqësore, pa dhunë, eventualisht t’i marrin do vezë dhe nëse nuk kryejnë punë dhe nuk e zgjedhin kryetarin e parlamentit dhe tentojnë të dalin, mos të lejohen të dalin deri sa ta zgjedhin kryeparlamentarin, përndryshe i presin vezët shpinës”, ka thënë Vllasi në Teve1.
Ai ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje, nuk sheh zgjidhje tjetër, përveçse ngritjes së popullit në Kuvend.
Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk duhet të shihen si opsion.