Fundamenti

Vlera edukative dhe arsimore e romanit “Ëndrra e malit” nga Bilall Maliqi

/ 14 minuta lexim
Hidromorava

Nga Hysen Këqiku – Autori i romanit Bilall Maliqi –Bim-i, e begaton romanin me elemente bashkëkohore siç është celulari, të cilin e përdorë Mali për t’i treguar Gjyshit se vërtetë e ka vizituar ose se ka qenë te Xharrima.

PARATHËNIE
Letërsia për fëmijë është pjesa më e mirë, më e dashur dhe më e përzemërta e letërsisë së përgjithshme kombëtare, e cila u krijua nga ndjenjat e dashurisë dhe shpirtit të çiltër të krijuesit për lexuesit e vegjël. Kjo letërsi u krijua nga dashuria për ta pasur fëmijën në prehër, dorë për dore, në çerdhe, në bankat e shkollës e kudo ku është më së miri, për të qenë të mirë, të shëndetshëm e të zgjuar. Me këtë dashuri u rrit dhe u kultivua e bukura në letërsinë për fëmijë.

Prindërit në kontaktet e tyre, në doçkat e njoma të ferishteve u dhurojnë ndonjë sheqerkë për t’ua ëmbëlsuar gojën dhe, duke i mbajtur në prehër u recitojnë vargje të përshtatshme nga krijimtaria letrare për fëmijë. Kështu sheqerkat dhe poezitë janë bërë mjete, me të cilat prindi përkatësisht të rriturit ndaj tyre shprehin dashurinë e tyre për rritën e mbarë dhe të shëndetshme të fëmijëve. Krahas rritës dhe zhvillimit psikik të fëmijëve u rrit edhe krijimtaria letrare për ta. Sot fëmijët, kemi mundësi të mos u afrojmë krijime qoftë poezi apo prozë, të cilat e lodhin me porosi, por krijime që e fusin fëmijën në botën shpirtërore, e cila edhe e argëton edhe e ndihmon shumë zhvillimin psikik dhe imagjinativ të tij.

Nga një synim i tillë u krijua letërsia për fëmijë, e cila kapërceu ndikimet tradicionale. Baza e zhvillimit të një letërsie, çfarë e kemi në realitet, e që sot është shumë e pranueshme nga fëmijët dhe që synojnë lartësitë, ende të pakapshme, është letërsia që e krijuan Rilindësit tanë pa e ndalur kurrë ritmin e natyrshëm të rritës deri në ditët tona kur konstatojmë se kemi një letërsi të konsoliduar mirë përshtatshmërish tt me rrethanat historike deri te kjo bota aktuale moderne.
Letërsia që u krijua në Luginën e Preshevës, si ajo për të rritur dhe për fëmijë u zhvillua normalisht duke arrirë suksese të mëdha, pa e lënë prapa letërsinë për fëmijë. Me këtë rast pa ndonjë anim apo simpati po i përmendi krijuesit e kësaj fushe të cilët u bënë pjesë e krijuesve të letërsisë kombëtare për fëmijë. Këta krijues si Demir Behluli, Jonuz Fetahaj, Mexhit Mehmeti, Bilall Maliqi dhe ndonjë tjetër, iu qasën me shumë dashuri edhe krijimtarisë për fëmijë duke lëruar edhe gjininë e gjatë krijuese, romane për fëmijë.

Në krahasim me krijuesit e përmendur, të këtij relievi gjeografik, Bilall Maliqi startoi suksesshëm duke lëruar tregimin dhe romanin me një përmbajtje krejt origjinale dhe të një vlere emblematike të thundruar.

BIOBIBLIOGRAFI E SHKURTËR E BILALL MALIQIT

Bilall Maliqi u lind më 08. O4. 1969 në fshatin ElezBali, komuna e Preshevës. Shkruan poezi dhe prozë për të rritur dhe për fëmijë. Merret me kritikë letrare. Deri tash ka shkruar mbi 40 vepra letrare dhe të ndryshme. Për fëmijë ka shkruar këto vepra:
“Kodra e luleve”, poezi për fëmijë, SHB “Feniks”, Preshevë, 2007; “Hëna flet me lule” poezi për fëmijë, SHB “Nositi”, Dardanë, 2010;”Këngë zogu”, poezi për fëmijë, SHB “Atunis”, Prishtinë,

2015; “Ëndrra që më dha gëzim”, poezi për fëmijë, “Lena”, Prishtinë, 2018; “Sytë e Erës”, poezi për fëmijë, “Lena”, Prishtinë, 2019;” Lule për kurorë”, poezi për fëmijë, “Lena” Prishtinë, 2021; “Ejani të vallëzojmë”, poezi për fëmijë, “Lena” Prishtinë, 2022.”Gëzim dhe drojë”, tregime për fëmijë; “Shtëpia afër pyllit”, tregime për fëmijë; “Blini në Blinishtë”, tregime për fëmijë;” Ëndrra e Malit”, roman për fëmijë.

Nga këto vepra, të spikatura për fëmijë, zgjodhëm romanin e parë dhe të vetëm deri tani “Ëndrra e Malit”, botuar nga Shtëpia Botuese “Lena” në Prishtinë më 2022. Vepra në fjalë jep sinjale se Bilall Maliqi nuk do të mbetet me vetëm një roman nga opusi botues i tij.

HYRJA NË ROMAN
Fjala e parë e romanit dhe e personazhit kryesor është Mali, heroi, i cili do ta marrë përsipër një udhëtim për në vendin që me rrëfimin e magjishëm ia bën të praruar gjyshi i tij Bimi, mbase ky është edhe autori i romanit. Cili është ai vend, ku gjendet, sa është larg, pse gjyshi i Malit e lëshoi atë vend që nuk e harronte dhe kishte dëshirë që të fliste për të e veçmas me nipin Malin, të cilit i interesonte aq shumë të mësonte sa më shumë për atë fshat. Rrëfimi i Bimit gjysh e rrëmbeu Malin, pasi kuptoi se vendlindja nuk harrohet kurrë dhe se sakrifica për ta ruajtur vendlindjen është aq e madhe dhe aq e shtrenjtë për të cilën të gjithë duhet ta duan dhe përkushtimi për atë vend të jetë sublim. Mali, pas një bisede të ngrohtë me gjyshim Bim, shkoi për të fjetur. As në gjumë nuk u shkëput nga dëshira për ta vizituar atë vend që për gjyshin ishte i shenjtë. Pastaj ëndrra e gjumit e mori Malin, “e çoi larg diku në një pyll shpeshtak”, pastaj në një udhëkryq “ku njëra rrugë të shpinte në fshatin mbi Kodrën e Luleve, tjetra të kthente mbrapa nga ishte nisur. Për fat të mirë , zgjodhi udhën në të djathtën e udhëkryqit dhe nisi të ecte, duke fishkëllyer sa për ta mbytur vetminë”…

Uji Dea

SHTEGËTIMI ËNDËRROR I MALIT

Çdo vepër e re letrare, e cilës do gjini qoftë, po që e pasqyron letërsisë tonë të re, është shprehje e synimit bashkëkohor dhe e senzibilitetit të ri krijues në këtë lëmë është edhe shkas i përshtatshëm që të bëjmë fjalë për synimet dhe realizimet e kësaj gjinie kurdo e kërkuar dhe aktuale përherë e diskutueshme dhe e përcjellur me një tipar të paevitushëm: me domosdoshmërinë e pasurimit me vepra temash dhe idesh të reja, me nevojën e plotësimit të kërkesave gjithnjë e më të mëdha për ngritjen e nivelit të dijes me shkrirjen e një vargu elementesh karakteristike dhe të arsyeshme si janë narracioni, fabula, lidhja me folklorin dhe historinë në njërën anë dhe senzibiliteti i ri, imagjinata krijuese, përgjithësimi i temave dhe ideve, prezenca e saj që ka të bëjë me jetën reale dhe ireale e të tjera … Të gjitha këto gërshetohen dhe e ndihmojnë njëra tjetrën që të bëjnë një brendi të romanit jo vetëm artistik por edhe njerëzor dhe shpirtëror. Pasi të futemi në roman, nuk na duket se Mali është duke parë ëndërr por se është duke rrugëtuar për ta realizuar ëndrrën e tij sublime – gjetjen e vendlindjes së gjyshit dhe të kënaqet me pamje sikur edhe me rrëfimin imagjinativ të Tij. Personazhet e tjerë, Mali i gjen gjatë udhëtimit dhe ata e kënaqin me cicërima të ëmbla për mikun që e duan dhe e përcjellin në rrugëtimin e tij të pakthyer. Sikur edhe lepuri, që i paraprinë në rrugëtimin e tij sublim. Për Malin i pakëndshëm është takimi me gjarpërin e vizatuar si me grafite mrekullie. Nëmoment Malit i hiqet frika nga gjarpëri sepse i kujtohet këshilla dhe rrëfimi se “gjarpëri nuk të sulmon nëse nuk e ndien veten në rrezik”. Mali gjatë udhëtimit, në shoqërim me lepurin kalon nëpër vende që i kujtohen se si i quante gjyshi, Tuma e Madhe dhe Xharrima.

Autori i romanit Bilall Maliqi –Bim-i, e begaton romanin me elemente bashkëkohore siç është celulari, të cilin e përdorë Mali për t’i treguar Gjyshit se vërtetë e ka vizituar ose se ka qenë te Xharrima.

Mali, heroi i romanit “Ëndrra e Malit”, udhëtimin e tij e begaton me pyetje sugjestive për të cilat nuk i përgjigjet askush po të vërtetën e kupton duke i përkujtuar mësimet e mësueses Shegë, e cila sipas brendisë së kujtesës së Malit na delë shumë e përkryer në detyrën saj të shenjtë në mësimdhënie. “Vallë, ku banon Lepuri? ku banojnë lepujt e tjerë? a kanë shtëpi apo pyjet janë mburojë e të mirave dhe e të këqijave të tyre? a i ha ujku, ariu apo?! Eh, edhe xha gjahtari mund ta vrasë lepurin me pushkë! Kështu më pati thënë gjyshi. Të njëjtën gjë na e ka shpjeguar edhe Mësuesja”… Shtegëtimi ëndërror i Malit dhe rrëfimet e tij ireale na duken si reale dhe i njëjti na del si një eksplorues i shkëlqyeshëm duke na e paraqitur edhe begatinë e malit nga shtegton me florën dhe faunën Duhet ditur se një ndërmarrje e tillë si shtegtimi i Malit nuk mund të zhvillohet pa ndonjë pengesë, frikë, mëdyshje, mos gjetje të rrugës, me paraqitjen e dukurive fantastike si paraqitja e Mbretit të malit me qortimin e tij pse ai bredh, ndoshta pse krejtësisht i vetëm, bie shi, vetëtinë e murmuron e të tjera. Por Mali nuk dorëzohet, vendosmëria e tij është e çelikosur dhe për të nuk ka prapa… Me këtë guxim dhe vendosmëri e bën lexuesin të bindur se Mali do ta gjej vendlindjen e gjyshit Bim… Mali e ka fituar bindjen se Vendlindja është e shtrenjtë, është madhështore, është pjesë e atdheut, është ajo ku njeriu për herë të parë, kur ka lindur, e ka shijuar ujin, ajërin, ngrohtësinë, shijen e bukës e të tjera… E ka kuptuar se nuk ka vend më i shtrenjtë se Vendlindja dhe se kudo që të shkojë nuk e gjenë shijen e bukës, të ujit; ngrohtësin e diellit e bukurinë e hënës, përkëdheljet e nënës e trimërinë e babait e të gjyshit… si në vendlindjen e tij. E ka kuptuar se vetëm vendlindja dhe atdheu paguhen dhe mbrohen me gjak… Ky është edhe ideali i autorit, i cili me shprehje të përzgjedhura e ka forcuar çdo figurë që shpalon atdhedashuri…

MALI NË VENDLINDJEN E GJYSHIT

Fëmija është qenie e njomë njerëzore, prandaj sjelljet ndaj tij duhet të jenë të kujdesshme specifike dhe spontane. Nën presionin e madh të seriozitetit të tepruar, vullneti dhe dëshira e tij për lexim apo për të njohur realitetin objektiv, mund të kenë pasojë dobësimin e intensitetit të kërshërisë.

Nga ky aspekt përgjithësisht romani “Ëndrra e Malit” i Bilall Maliqit nuk përjeton asnjëfarë lloj krize, sepse autori si një pedagog që i përcjell shkëlqyeshëm dëshirat e fëmijëve e ka pasur parasysh trasimin e rrugës nëpër të cilën ka kaluar Mali për ta gjetur vendlindjen e Gjyshit të tij. Autori nuk e kundron as rrugën as ngjarjen për të na e paraqitur përmes një eseu por, bëhet personazh i pandashëm i ngjarjes në vazhdimësi. Ai e ndërton atë dhe i jep intensitete duke e stolisur dhe mbrujtur me figura të zgjedhura në funksion të rrjedhës së ngjarjes se si të ndërtohet me ecjen vendimtare të Malit deri në gjetjen e vendlindjes, gjithmonë duke e pasur parasysh karakterin edukativ, artistik deri edhe përmes një situate të thuash edhe zbavitjes. Cili prej lexuesve nuk do ta ndiente veten i zbavitur, i gëzuar për fitoren e Malit, i kënaqur për triumfin e tij e të tjera e të tjera…. Unë e kam një bindje tjetër se lexuesit me ndjenja të sinqerta, të gjalla e të përqendruara në ngjarje, pjesën e fundit të titulluar me numrin romak XX, nuk do të jetë krejtësisht i pa emocione gëzimi për Malin i cili në ëndërr, ose siç themi shpesh “si në ëndërr”….

Autori i romanit Bilall Maliqi e ka përfunduar romanin me një triumf të papërjetuar diku në letërsinë tonë ashtu si në romanin “Ëndrra e Malit”. Dialogjet që personazhet e e kësaj pjese përfundimtare të romanit, nëna dhe babai i Malit – Lisi, janë tejet të shqetësuar, nuk e dinë shkakun, pse i është ngritur temperatura, pse nuk zgjohet nga gjumi, pse flet në gjumë, kë thërret, kush ishin ata sepse askush nuk e kishte përjetuar një ëndërra me personazhet që i përmendte Mali. Çdo gjë , këtu, zhvillohet me një intenzitet të shpejtuar, të ngarkuar me brengosje, me frikë se çka do të ndodh dhe se cili do të jetë epilogu i krejt asaj që zhvillohej: “-Lis, o Lis! –e zgjoi nga gjumi të shoqin. -Çka ke, oj grua? –e pyeti i befasuar ai. -Pse? Sa është ora? -Dy e mesnatës! -Ç’ke pra, që më zgjon në këtë orë? -Mali është i sëmurë. Ka temperaturë. Duhet ta çojmë te mjeku…” Ose: -Mjerë unë më shkoi djali…! -Mal, o Mal, Zgjohu shpirti i babit” Mali kishte temperaturë të lartë. Mjeku i jep gjilpërë dhe i zbret temperatura. Të gjithë e kuptojnë ëndrrën e Malit. Triumfin e tij dhe qëllimin e autorit. … se për ta pasur vendlindjen, shtëpinë ku ke lindur, tokën që të ka ushqyer, historinë e bujshme të atdheut, duhet sakrificë e të rriturve, e atyre që janë rritur, janë mplakur dhe janë sakrifikuar në altarin e tokës amë… pa ikur nga ajo tokë e rimur me gjak e shumë sakrifica.

PËRFUNDIM
Çdo përfundim nuk mund të jetë përfundim. Përfundimi i një vepre të tillë mund të jetë fillimi i një vepre të madhe, i një vepre që pasqyron peshën e lotit të dashurisë për tokën, vendin e të parëve, lavdin sublim për të qenë aty ku çeli veja e parë frutin e gjallë për të lëvizur në këtë tokë të bekuar, për të krijuar plang gjallërimi… Romani “Ëndrra e Malit” nga Bilall Maliqi, është një vepër e rrallë që me aq dell poetik, me aq mbrujtje, skalitje e zhdërvjelltësi u realizuar për të qenë film i shfaqur në imagjinatë duke qenë një personazh fëmijë që bredh rrugëve për ta gjetur itakën e gjyshit…. Është një vepër që me personazhet që i thërret në e jerminë e përgjumshme nga temperatura, krijon një ngjarje të lëshuar në një ëndërr të shkurtër të një vepre të gjatë e të rimur me lot… Është vepër që meriton shumë./rajonipress/