ARKATANA

Vjeshtë e gjetheve të rinuara

/ 18 minuta lexim
ARKATANA

(Trokite netëve të vona, rrëzë Çepurit, e më gjete, me një gotë verë të kuqe e, përherë me një mur të bardhë përpara dhe Ty, në zemër)

REPUBLIKA E ZEMRËS

Hapësirave ku s’preket fshihet
thellë nëpër shtresat e shpirtit ndjehet
vetëm me majën e gjuhës vizatohet
nëpër ëndrra që s’ nxinen e virgjër ruhet
damarëve përmes pikash gjaku ndjehet
pa një zemër si jotja nuk hapet
përherë rinohet kur buzësh puthet
oqeaneve të pafundme të qenies mbetet
si vetja ime që tash tek ti prehet

( 27 tetor 2015 )

HESHT DHE LERMË TË TË DUA

Mespërmes alpeve tona përbirohesh
e troket në dritaren time

Merr vetëm ate që është e jotja
e veten tënde tek unë lë

Ku të të strehoj
kur stinë e shiut s’ka të ndalur
e tjetra që ma ngrinë shpirtin
prej mungesave pa pra më kafshon

Vetëm ajo fytyrë e njomë
ata sy që m’ pushtojnë dhe nga larg
përmes buzëve më ngushëllojnë

Je ti
apo ajo ëndërr jete që po e pres

Hesht e lermë të të dua se ndryshe nuk jam më

( 28 tetor 2015, )

NJOMËZ E KËSAJ NATE

Një natë më parë ndeze mesnatën
përmes asaj ndjenje që shkrepi papritur

E një natë më pas
gjithë atë zjarr nën gjuhë e fshehe

Po hirin e trupit tim ku e hodhe

Ti njomëz që trandë Çepurin
nën qiellin e kthjelltë të kësaj nate

Mos e ndrydh fjalën që s’e thua
je lindur të dashurosh me mua

( 29 tetor 2015 )

VETËM DASHURI MBJELL

Jam rrëmbyer i tëri
mbetur jam diku atij buzëgazi

Nën atë vezullimë dritash
e mjaltësi buzësh
trupit tënd po rinohem

Ti mbyll sytë n’ atë dhomëz gjumi
krahërorit tim e përgjumur shtiresh

Zemrës së etur
atë shpirt të paqtë
ia falë

Pa çka pse më vjen si ëndërr
mesnatës si flutur

Një ditë të re syve të mi sjell

Buzëgazi im i njomë
hapësirës sate vetëm dashuri mbjell

( 31 tetor 2015 )

KOHËN QË S’E JETOVA

Nuk kam çka shtoj tjetër

Më shumë se dje e dua
e më pak se nesër

I lidhur për Fjale mbes
kohën që s’e jetova pres

( 31 tetor 2015 )

NËSE NUK E MBYLL ATË PORTË ZEMRE

Pluhurin e një dite shkunda
pëlhurën e errtë të kësaj nate shkeva
për t’u nisur kah ti

Sa udhë lugje e male kam për të trupuar
e sa kodra si Çepuri im kam për t’i ngjitur
i vetëm tek ti për të arritur

Nëse nuk e mbyll atë portë zemre
si flutur a ëndërr a si puhi mëngjesi
nëpër vrushkujt e nxehtë të trupit tënd
kam për t’u nxehur

Atë lule me rrënjë shpirti duke thithur
Mos më pyet si erdha në u lodha
gjuhën ku e zura a këmbën ku drodha
të shkuarat në theqafje i hodha

Se jam aty ku kam dëshiruar
pemën që lumnon duke shijuar
( 1 nëntor 2015 )

PA MË PUTHUR PARRESHTUR
( variant i parë )

Sa vjeshta ka ardhur e shkuar
ti s’ je shfaqur
a unë ditë e natë
ata sy të blertë i kam dëshiruar

Shpresash nuk jam braktisur
as kur trungjesh jam prerë e rrëzuar
a degësh thyer e shkundur

Kam shprushur secilën lule
e s’ të kam parë
në çdo pëshpërimë ere
damarëve jam tharë

Gjetheve të rëna skutave kam prekur
e nuk të kam gjetur

Ti erdhe si sot krejt papritur
me atë blertësi stine syve mbledhur
para meje pranverë e buzëqeshur

Ç’kisha për t’ thënë harrova
liqejve tu të blertë humba
rrëzë buzëve diku mbeta
shikimesh u shtangova

Kot më preke
nën qiellin e hapur më nxore
po s’ më shpërgjume
pa më puthur parreshtur një jetë të lume

( 2 nëntor 2015 )

RILIND PRAPË AJO NDJENJË
( variant final )
Sa vjeshta kanë ardhur e shkuar
ti s’ je shfaqur
a unë syve tu të shkruar
veten time kam kërkuar

Shpresash nuk jam braktisur
as kur trungjesh jam prerë
a degësh thyer

Kam shprushur nëpër lule
e s’ të kam parë
në çdo pëshpërimë ere
damarëve jam tharë

Gjetheve të rëna skutave diku je fshehur
e nuk të kam gjetur
Në një nga ditët e vona të kësaj stine
papritur syve të mi si ëndërr mbine
krejt çka pata mbet pas shpine

Ç’kisha për t’ thënë harrova
liqejve të shpirtit tënd treta
brenda buzëve diku mbeta
u gurëzova

Kot më preke
nën qiellin e hapur më nxore
e s’ më shpërgjume

Puthmë
puthmë parreshtur një jetë të lume
(t ‘më ) rilind prapë ajo ndjenjë e shkrumueme
( 2 nëntor 2015 )

PA ATË STINË QË SYSH KE NDRY

Kur s’ të shoh
të ndjej
aq thellë sa pushtohem i tëri prej teje

A ti e gjallë s’ ndjehesh

Strukur diku
në një cep të jetës sime vështron

Vargjet m’i lidh nyje
përmes heshtjes sate
tej vetes sime i kodon

E unë sillem mbështillem
ulem ngritem
hapësirën e vetmisë duarsh s’e zë dot

Të çajë nëpër mjegull
pa ty s’ frymoj

Si nuk e jep një shenjë a një zë
më pret mua
mungesën
a tjetërkë

Boshësia e kësaj mesnate vallëzon pa pra

Pa atë stinë të blertë që sysh ke ndry
nuk rrihet më
( 3 nëntor 2015 )

NË PRITJEN TËNDE ARDHJA IME ISH FSHEHUR

Duke pritur ardhjen time
mbete vetëm me pritjen

A do më falësh njomëz e dashur
për sytë e murosur kutisë magjike
për gishtat e përthyer n’ tastaturë
për ato pulse zemre
e ofshamash shpirti
që zjarmuan brendësisë sate

Duke kërkuar atë fjalë të pashprehur
në pritjen tënde ardhja ime ish fshehur
( 4 nëntor 2015 )

LINDUR JEMI PËR T’U DASHURUAR

Depërton thellë pjesëve të mia të nëndheshme
si shiu i vjeshtës sime
deri në fundin e rrënjëve

Aty nisin e pupthojnë piptha të rij si Ti
poreve të mia shpërfaqen e buzëqeshin
drojshëm si ata sy

Më do a s’ më do jetë
nëpër çdo pranverë provojmë fatin luleve që s’ preken

Dilema ime dhe jotja zgjohet përherë me një pikëpyetje

A ne ecim e ecim
duke e kërkuar njëri – tjetrin
deri atje ku e harrojmë dhe veten

Si një gjeth i këputur vjeshte
në mëshirë erërash mbesim
skutash si ëndrra mëngjesi tresim
nëse vonohemi e s’ puthemi që herën e parë
me afsh të papërmbajtshëm
si t’ ish hera jonë e mbramë

E dashur
diçka brenda nesh kurrë s’ është shuar

Lindur jemi për t’u dashuruar
( 5 nëntor 2015 )

ME DIÇKA TË HIDHUR MË ËMBËLSO

Më provoko me diçka të bukur nesër
e dashur
me diçka që është si Ti

Një diell qiellit të kaltër
ag e terr diellzoi syve të mi

Faqja e njomë
ndezi timin gji

U përzjarra deri në hi

Sytë u mbyllën për një ëndërr
nata në pritje u ngri

Sa yllësia livadhit të kaltër u shtri

E dashur
nesër me diçka të hidhur më ëmbëlso
( 7 nëntor 2015 )

NËN QIELLNAJËN E SYVE TU

Përpak do t’ kisha harruar
sikur mos t’ishin ata sy

Qiellnaja e pafundshme
u rrotullua brenda teje
dhe kjo zemra ime e vockël
që pulson për Ty

Drejt meje hapëron
mesditës me diell
si më e ëndërrta dashuri

Damarët e jetës dridhen
fjalët s’ di në ç’vend ngecin
kur përballë më rri

Qenia ime e brishtë vërshon kah Ti

Nën qiellanën e syve tu
përmotshëm mbillen dhe sytë e mi
( 8 nëntor 2015 )

LULJA E SYVE TË MI

Stina më e blertë e jetës
ka zënë vend në sytë e Tu
për sytë e mi

E ec e mos i duaj
e ec e mos i ruaj

Sa herë shihem në këtë stinë jete
vetja më duket më i ri
krejt i ri

Lermë o Zot veç aty të rri
( 8 nëntor 2015 )

KUR T’MERR ETJA KUR KE URI

Shprushe atë stinë bleroshe që t’ rri anash
atë puhi buzësh fshehur nëpër dej
e shihe si shpërthejnë ato kokrra drite
pas qelqeve mbetur
mëngjeseve buzëgase sikur diej
Dhe eja nesër siç ishe dje
aty te ajo fole e shpirtit tënd
në daç si grishëz poreve të mia çukit
në daç si flutur nën lëkurën time pusho

Sa shumë kemi për të thënë e dhënë
e sa pak oh sa pak për t’ marrë
kjo jetë na ikën sa hap e mbyll sytë

Më mbaj fort siç më ke nxënë
mos më lësho dhe po më ftoi kush
hapësirave të paprekura përpush përpush

E fluturo pastaj qiellit tim e tëndit nëpër kaltëri
kthe tek unë kur t’ merr etja kur ke uri
ma fal atë buzëgaz sall dashuri
( 10 nëntor 2015 )

MESDITË

Dymbëdhjetë kumbime kumbuan
e ti një shenjë kund s’e shfaqe

Buzët u mbyllën

Zemra kumbinin e trembëdhjetë s’ e priti
pas teje u nis
( 11 nëntor 2015 )

E POROSITIM DHE NJË JETË TË DYTË

UBT

N’ pauzë
s’ di a jam me ty a me vargun që më gërryen
pse ende s’e kam shkruar

Një mjellmë e virgjër më grishë
liqejve të blertë për t’ notuar

Tymnaja e stinëve të ikura
më nyjëzon për gjuhe
as për t’i folur nuk më lë

Dy zogj drite më braktisin në çast
hapësirave tua pa fund enden
brenda e jashtë

Sa hyjnë sa dalin
e prapë kthehen
nëpër çdo pore tënden prehen

E dashur
n’ pauzë jemi duke i pirë mungesat tona
e’ s’ di si harruam për t’i lidhur këmbësh
akrepët e kësaj kohe që ikën shpejtë
si ëndrrat tona të panxëna

E porosisim dhe nga një jetë të dytë
për t’ ia nisur bashkë prej fillimit
( 11 nëntor 2015 )

NESËR

Tifo bëj vetëm për Ty
se
Kosova e Shpirtit tim
je Ti

Qenie e virgjër dashurie
( 12 nëntor 2015 )

DUKE NEMUR ÇASTIN QË NA HARROI

Ke vu faqen e majtë mbi xhamin e ftohtë
me sytë hedhur nga unë më shikon ngrohtë
përmes një buzëgazi që valëzon i qetë
sikur më thua po dora jote pse nën të s’ u gjet

Pyes dhe unë duke nëmur çastin që na harroi
vonë u njohëm aq vonë sa koha na kalëroi
tash hamë veten me fjalët që eterit tresin
sall gjurmët e kësaj dashurie do mbesin
( 13 nëntor 2015 )

OKSIGJENI I BUZËVE TUA

Bocat me oksigjen avulluan
në një Planet të panjohur

E dashur
ma rikthe atë jetë të ikur
përmes buzëve tua

Ky Planet ku jemi
nuk rron dot pa mushkëritë e mia
( 14 nëntor 2015 )

I PAFAJSHMI LUM

Nuk ka faj lumi pse ndjek tatëpjetëzat
Fajtori i përhershëm jam unë
që s’ arrita t’ ia mësoj përpjetëzat

Dhe dashurisë s’ ia hoqa që s’ ia hoqa brengat
( 15 nëntor 2015 )

BORXHI

Më kërkon falje
pse nuk ma kthen me të njejtën masë
dashurinë
ajo flutur që digjet netëve
pas dritave mashtruese

Falur e kam që pa lindur
se të njejtës masë
borxh i kam ngelur dhe unë
( 15 nëntor 2015 )

N’ ATË STREHË SHPIRTI PRAPË MË PRIT

Gjethe bliri pa zhurmë bien
mbi trupin e barit
jeshil

Buzët e lagura prej vese
zënë e ngrohen
nën ngjyra argjendi

Një ëndërr nate
skaj syrit tënd gjumin trandë
një shenjë pa zë të thot
dil

Nëse pakëz ma ke hatrin
vetëm atë perde t’ syrit largoje
e mendjen mos e vraj

N’ atë strehë shpirti prapë më prit
( 16 nëntor 2015 )

RREZON SALL DASHURI

Ajo ta ndreq ditën në të sosur

Kur t’i ke fjetur mendjen se mund të të shfaqet
ajo (k)then rrugën për të ta falur një copë herë
stinën më të blertë të jetës
përmes syve të saj

Një trokitje e lehtë si ai puls zemre
të shprushë nga përgjumja

Pasditja përmes buzëve të saj
drithëron trupit tënd
nëpër secilën pore
thithë frymë

Dhe pak aromë jete
nga shtati i saj i njomë

Me një të prekur
ajo të bën tjetër njeri
të kthen në jetë përsëri

Se rrezon sall dashuri
( 16 nëntër 2015 )

DITA PA TY

Hapësirave të trupit tënd skutlohem
si një gjeth i vonë vjeshte
I tharë erërash
trazohem e përplasem
dhe nga një pëshpërimë buzësh

Nga vetëtima reshë nuk digjem
prej syve tu s’kam ku fshihem

Shirave lahem e shplahem
borërash mbulohem nuk ngrihem
sall prej këpucave tua grisem

Kur kalon pranë meje e një shikim s’ ma falë
zemra rishtas prej vendit do për t’më dalë

Dita s’ është e plotë
nëpër gjysma sa herë më ha
kur brenda vetes ty nuk t’ ka
( 19 nëntor 2015 )

ASNJË FJALË MOS MA THUAJ

Desha t’i dëgjoj njëherë
njëherë të vetme sall fjalët që s’m’i thua

Fjalët që i pres si i eturi një pikë ujë

Po në këtë rrëmujë
as fjala më e ëmbël nuk bën bujë

E dashur
asnjë fjalë
ama asnjë fjalë mos ma thuaj

Druaj se ma rrënon krejt atë ëndërr jete
që n’ shpirtin tim për Ty e ruaj
( 21 nëntor 2015 )

E NUK GJETA DHE NJË SI TI

Shi i vonë vjeshte
brij k’tij mali t’ përmallshëm e t’ etshëm
më zuri

I vetëm pa ty
me ‘i grusht floksh në kry
deri në palcë më qulli për k’ta dy sy

E zjarr i zemrës sate nuk më mori në gji

Mes gjethesh u struka
nën çufrraja si një shpend i shkruar
lagur rrobash e buzësh shkrumuar

Prita se po ndalet ky shi
e po shfaqesh ti
si rreze e harruar për sytë e mi

E diela e kësaj vjeshte
me pritjen time treti nëpër shi

Diku mes stinës a një romani të ri
je ti

Eja merrmë si një gjeth i lagur
fshehmë faqeve të palexuara
si jotja dashuri

U qulla e u thava pas teje
e nuk gjeta dhe një tjetër si ti

Le t’ më lagë tej palcës ky shi
vjeshta nuk ç’vjeshtohet
pa mua e pa ty
( 23 nëntor 2015 )

SA TA PIJ ME FUND SHIUN QË RA

Prit sa ta pij me fund shiun që ra
dhe qeshjen tënde
që në pështymën e ditës së ikur u la

Prit se kjo natë ende në dysh nuk u nda
dhe ai bari i kësaj vjeshte s’u tha që s’u tha

Do të nisem pastaj
kah nuk isha kurrë do të gjej
gishtrinjëve të mi të të përthej
pikë për pikë ta shuaj etjen nëpër dej

Prit… derisa mungesa ime syve tu
të shkëlqejë
( 24 nëntor 2015 )

GJUMË TË ËMBËL POEZI

Ajo njomëz nuk fluturoi sonte kah zemra ime
flatra të ngrira mbetën nën një re me shi
kujt t’ ia dëshiroj një natë të mirë
gjumë të ëmbël kujt t’i falë
veç ti më mbete Poezi
me një paqe të trazuar
e pa(k) Dashuri
ajo ku treti
s’e di
brenda meje diku apo te Ti
( 25 nëntor 2015 )

DERISA T’MË FALESH TI

Një guralec i fshehur brenda këpucës
heshturazi më vret nën këmbë
njejtë si ai gjeth i fërfëlluar erërash
fshehur nën timen mëngë

Ma gërvishë një pjesë t’ lëkures
të qetë për t’ mos më lënë
njejt si ti që as nuk më ke ndërmend

Kjo qenia ime e parehatshme
mornicash moti mbushet
nuk zë vend

Nën borën e kësaj veshte që ra mbrëmë
mbetur kam
si një grimcë molle diku nëpër dhëmbë
a poreve të trupit tënd

Nxirrmë ngadal
më shumë mos më lëndo

Vetëm atë faqe të njomë
gjuhën tënde të ëmbël
ma afro

Borën që më ngroh
derisa t’ më falesh ti
mos e dëbo
( 29 nëntor 2015 )

DASHURIA IME PRAPË RILINDË

Nuk e shoh këtë qiell që m’rri përmbi
as ditën që m’ vjen pa ty

Tej xhamave sa shikimi u thy
e zemra u ndry
në ata sy

Theje edhe i’herë qafën kah unë
t’ mos shterrojë kjo bunë
prej mishi e gjaku jam dhe unë

Nëse them s’ ndjeva gjë kur t’ pashë
dije që po t’ gënjej

Sa herë u shprushë kjo botë
trupit tim nëpër këta dej
s’ di si të ta rrëfej

Me çka tjetër të të bindë
falë teje dashuria ime prapë rilindë
( 3 dhjetor 2015 )

FATI IM

Përrnajës së blertë dimër e verë
që nuk trembet nga asnjë erë
i them përherë
me fat jam pse ty të kam

Ajo heshtë fjalë nuk nxjerr
fatin e saj natë e ditë tjerr
asgjë nga fati im nuk merr

Dhe prapë vazhdoj ta dua
( 6 dhjetor 2015 )

ËNDRRA QË ENDE S’E KEMI PARË

Tash zgjohet në mua
ajo aromë e fshehur trupit tënd
më trazon si jugu buzë pranvere
e m’i çelë sytë për t’ parë

Ku mbete njomëza ime
ëndërr e blertë mbuluar me mjegull
nisu pas meje përpjetë Udhës Çepurit
te ajo Majë Kodre na presin gjurmët e lashta
eshtra e rrashta mbuluar me dhe e dushk e barë
dhe një Ëndërr që ende s’e kemi parë
…………………………………….
( 8 dhjetor 2015 )

SHPIRTI SËRISH DO TË PIKOJË

As mbrëmë si tash këtë mëngjes
prej mendjes nuk të largova as edhe një çast
dhe në gjumë humbur ëndrrash diku
të kam folur përçart

Vetëm vargjet që pikuan nga shpirti
me një të prekur gabim për dreq
u tretën diku shportave të eterit
e më lanë keq tepër keq

Po shpirti im do tështrydhet
sërish do t’ pikojë
atë baladë të (n)djeshme
si ty do ta kërkojë
( 11 dhjetor 2015 )

MË MJAFTON TI

Brenda Teje jam
nga zanafilla e këndej

Hiç nuk po më dilet jashtë

Mjegull ftohtë e krahnezë
më grithet fyti me pak
më mirë askund s’ e kam
shporeti kërcëllen nga drutë
nxehtë si për veti
vetëm një kafe shpie më mungon
dhe Ti që nuk lajmërohesh pa shenjë

Pastaj e kujdesshme je nuk harron
një natë të mirë ma dëshiron
Me çelës mbylli derën
me çarçaf të bardhë sytë
nis e ëndërroj sikur jam me Ty

Pas pak bëjmë dashni

Kurvat asnjëherë nuk i kam provuar
më mjafton ti
( 16 dhjetor 2015 )

ASGJË NUK MUND TË TË JAP MË SHUMË

Çlirohu prej natës së gjatë të kësaj stine
prej ëndrrës lazdrane që reprizohet syve tu
me trupin tim të zbardhur nga krahneza

Kthemë aty ku isha rrajë Çepurit e Rrezes
tek ai frashër trupdrejtë e lëkurëdendur
e i lëmuar prej duarsh tua të njoma

Nuk më kanë rënë krejt gjethet
as lulet e zverdhura që m’i dhuroi pranvera
lotët e këtij qielli presin të borëtojnë mbi mua

Ngritu dëbomë prej asaj blertësie që më mban peng
prej asaj dhome ku i vetmi shpend i zënë jam unë
se ndryshe nuk mund të dal t’i prekë shtigjet e majat

Asgjë nuk mund të të jap më shumë
se këtë dashuri që s’ di të shterrë krojeve të zemrës
e këtë ditë që nuk nis as mbaron pa ty

Shpërgjume këtë botë të errur larg trete
prej asaj qiellnaje që mban në vete
përveç teje asgjë tjetër nuk dua prej kësaj jete
( 19 dhjetor 2015 )/rajonipress/

Sabit Rrustemi