Vjehrri vrau nusen, babai i italianes: Të ekzekutohet

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka kërkuar burg përjetë për 68-vjeçarin Engjëll Ucaj, i cili më 30 janar të vitit të kaluar vrau djalin e tij 27-vjeçar Sokol Ucaj si dhe bashkëshorten 24-vjeçare, shtetase italiane Gulia Baldassari. Në konkluzionet përfundimtare të paraqitura dje para trupit gjykues, organi i akuzës rindërtoi dinamikën e ngjarjes dhe paraqiti faktet dhe provat që vërtetojnë se Engjëll Ucaj e ka kryer veprën penale dhe me dashje.
Në fillim të seancës 68-vjeçari Ucaj kërkoi të procedohet me gjykim të shkurtuar duke pranuar aktet e prokurorit pa asnjë kontestim dhe akuzën. Por prokurori i çështjes Millan Laskaj ka kërkuar që gjykata të mos e pranojë këtë kërkesë duke e argumentuar me faktin e rrezikshmërisë së lartë shoqërore të krimit për të cilin akuzohet. Megjithatë trupi gjykues ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar. Më 30 janar të 2013-ës Engjëll Ucaj vrau me 5 plumba automatiku djalin e tij Sokolin si dhe bashkëshorten e tij italiane Giulia Baldassari. Sokol Ucaj ishte kthyer prej 2 vitesh nga emigracioni dhe jetonin në të njëjtin apartament me prindërit e tij, citon BalkanWeb.
Paraditen e 30 janarit dy bashkëshortët e moshuar Engjëll dhe Raimonda Ucaj e kishin denoncuar të birin në polici për dhunë fizike ndaj nënës së tij. Pasi është mbajtur për pak orë, Sokol Ucaj është kthyer në banesë ku ka debatuar dhe ka qëlluar me grusht babain e tij, i cili më pas ka marrë automatikun dhe ka qëlluar mbi të dhe 24-vjeçaren italiane. Në seancën e djeshme gjyqësore kanë marrë pjesë edhe prindërit e Giulia Baldassarit, të cilët kanë tentuar të hyjnë në gjykatë me bluza, në të cilat ishin stampuar foto të dy të rinjve të vrarë, por nuk janë lejuar nga policia. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Giovanni Baldassari, babai i 24-vjeçares ka reaguar ashpër ndaj vendimit për gjykim të shkurtuar ndaj 68-vjeçarit Ucaj. Ai është shprehur se autori meriton të digjet i gjallë në karrige elektrike. /Indeksonline/