RCCOLA

Vizita e Nikoliqit në Luginën e Preshevës

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Nga Nehat Hyseni – Në përvjetorin e 49-të, të themelimit të kompanisë për mobileri “Simpo”, në Preshevë dhe Bujanoc, mori pjesë presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq.

Për ta nderuar këtë përvjetor dhe presidentin e shtetit , nuk mori pjesë njeriu i parë i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, ndërsa në Bujanoc ndodhi e kundërta, kryetari i komunës Nagip Arifi, së bashku me kryetarin e Serbisë Tomisllav Nikolliq dhe kryetarin e kompanisë të “Simpo-s” Dragan Tomiq, kanë vizituar nga afër repartet e prodhimit të kësaj kompanie.

Është paksa absurde dhe mospërfillëse vizita e kryetarit të shtetit në komunat e administruara nga shqiptarët, e të kaloj pranë tyre si para varrezave e mos të takohet me përfaqësuesit e institucioneve lokale.

Ky gjest i presidentit nuk la përshtypje tek shqiptarë e Luginës sa zgjoi kureshtje prania e kryetarit të Komunës së Bujanocit në këtë solemnitet, i cili pothuajse kaloi pa ndonjë publicitet spektakular.

Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, e lidh një miqësi e vjetër me kryetarin e kompanisë të “Simpo-s” Dragan Tomiq, një socialist i përbetuar i ish regjimit të Millosheviqit.

Po të mos ishte një këshilltar i Partisë Socialiste në përbërjen e qeverisjes lokale në Bujanoc, zor se do të kishte funksionuar kuvendi komunal, i cili kishte një fitore shumë të ngushtë.

Ky takim trepalësh, prapa perdeve, në emër të solemnitetit, është një manovër politike për t’ia siguruar partisë së Nagip Arifit edhe dy këshilltarë të partisë së presidentit Nikoliq, në mënyrë që Kuvendi Komunal i Bujanocit, të jetë stabil, efikas dhe përgjegjës.

Fundamenti

Nuk thuhet kot e mira kthehet me të mirë. Në vitin 2006 kur Nagip Arifi ishte kryetar komune, në mandatin e parë, fabrikës Simpen iu dha leja të ndërtohet në Bujanoc, ndërtimi i së cilës pat kushtuar 5 milion euro, me një sipërfaqe prej 20 mijë metra katror.

Ndërtimi i kësaj fabrike në Vranjë, nuk u lejua nga autoritetet komunale, për shkak gazrave të rrezikshme që lëshon prodhimi i sunxherave me pluhurin “soften” në atmosferë. Në rast avarie në këtë fabrikë, pasojat për qytetarët e Komunës së Bujanocit do të ishin të papara.

Sektori joqeveritar dhe shoqatat që merren me ekologji, atë kohë, ngritën shqetësimin për ndërtimin e kësaj fabrike, mirëpo udhëheqja komunale e pat injoruar dhe mohuar një rrezikueshmëri të tillë.

Ndërkaq, Kompania “Simpo”, ka të punësuar 5000 punëtorë në jug të Serbisë dhe Zubin Potok, prej tyre janë shumë pak shqiptarë. Dikur, në këtë kompani, kishte më shumë shqiptarë të punësuar, mirëpo gjatë luftës në Kosovë ata u përjashtuan si tepricë teknologjike. Kjo kompani në Kosovë paraqitet me firmën Simkos.

Është një karakteristikë e mediumeve lokale në Bujanoc, të cilat nuk i dhanë një publicitet vizitës së presidentit Nikoliq në Luginë, e aq më pak pranisë së Nagip Arifit në këtë solemnitet.

RTV Bujanoci, bujanoci.net dhe titulli.com, janë tri dritare informative pushtetare, të cilat këtë vizitë e heshtën a desh u bënë copa cila prej tyre e para ta marrë lajmin zyrtar për arritjen e marrëveshjes për zgjerimin e koalicionit të partisë së Nagip Arifi me dy këshilltarë të presidentit Nikoliq. Ja ku qëndron filozofia e një vizite të paparalajmëruar!