‘Vitin e ardhshëm, 4.1% rritje ekonomike’

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Komisioni për buxhet ka vendosur sot që t’i rekomandojë Kuvendit ta miratojë në lexim të parë Projektligjin për buxhetin për vitin 2014. Ministri i Financave Besim Beqaj paralajmëroi rritje stabile ekonomike për vitet e ardhshme, si dhe rritje të pagave.

Me votën kundër të nënkryetarit të Komisionit për Buxhet Naser Osmani nga LDK si dhe me abstenim të anëtarit Xhevdet Neziraj nga AAK, projekt-buxheti ka kaluar nga Komisioni për t’i rekomanduar Kuvendit për miratim në lexim të parë.

Nënkryetari Osmani kishte disa mospajtime në lidhje me Fondin për pjesën e veriut që të mbahen në Bankën Komerciale, pastaj për ri-destinimin e 5% të mjeteve të buxhetit pa miratimin e Kuvendit, apo ri-destinimin e mjeteve nga kryetarët e komunave pa miratim nga asambleistët komunalë. Për këtë të fundit, ministri Beqaj tha se ka qenë kërkesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që t’iu lihet më shumë fleksibilitet menaxhimit të buxheteve komunale.

Kurse për sa i përket shqetësimit që mjetet për veriun të mbahen në Bankën Komerciale që sipas deputetit Osmani, është bankë e dyshimtë, ministri Beqaj u përgjigj:

“Sa i përket Bankës Komerciale, është një keqkuptim këtu. Ne kemi kërkuar që për grumbullimin e mjeteve për integrimin e Komunave të Veriut të jenë të mbledhura në Bankën Komerciale, e cila është licencuar konformë rregullave të Republikës së Kosovës. Kjo bankë është përzgjedhë nga Komisioni Europian dhe nuk është banka komerciale në veri por është NLB-ja.”

Eco Higjiena

Ministri i Financave Besim Beqaj, njëherit tha se projeksionet për rritje ekonomike në vitin 2014 janë në shkallën prej 4.1% si dhe mesatarja për 3 vitet e ardhshme është 4.6%.

Ministri Beqaj po ashtu tha se janë paraparë rritje të mjeteve për paga e mëditje:

“Buxheti për paga e mëditje pritet të ketë rritje të konsiderueshme nga 435 milionë euro në 484 milionë euro. Ky buxhet reflekton zotimin e qeverisë për rritje të pagave të gjithë shërbyesve civilë duke marrë parasysh performancën dhe efektivitetin e punës së tyre”, tha ai.

Sipas projektbuxhetit, të hyrat buxhetore do të jenë një miliard e katërqind e pesëdhjetë e tetë milion euro, ndërsa shpenzimet do të jenë një miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milionë euro.