Vitia përmbyll aktivitetet mjedisore me rastin e Ditës së Tokës

Viti – Aksioni 22 ditor i pastrimit të komunës së Vitisë me moton: “Pastro dhe ruaj”, që është zhvilluar në mbarë territorin e kësaj komune është përmbyllur sot me aktivitete mjedisore për nder të Ditës së Tokës.

Fillimisht kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Visar Demiri, drejtor për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili dhe ushtarë të KFOR-it kanë mbjellë lule në parkun e qytetit “Nijazi Azemi”, Komandat Mjekra në qytetin e Vitisë.

Më pas është zhvilluar edhe një aksion i pastrimit në qytet dhe rrethinë ku kanë marrë pjesë shumë qytetarë dhe përfaqësues të ndryshëm të institucioneve.

Me këtë rast kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka folur për angazhimin e kësaj komune në aktivitetet mjedisore për një Viti të pastër. “Ne tani e 22 ditë kemi zhvilluar aktivitete ambientale. Këtë vit e kemi shpallur serish vit të ambientit dhe mbrojtjes së pyjeve me vendim të kryetari të komunës. Në ambient do të punojmë shumë si komunë për shkak se kemi nevojë dhe pretendojmë me qenë njëra prej komunave me ambientale, më e pastërta për shkak se edhe grante kemi mundësi të fitojmë dhe kemi fituar”, u shpreh Haliti.

Ai tha se ata synojnë që të aktivizojnë të gjithë mekanizmat në çështjet mjedisore që niveli i vetëdijesimit të jetë në nivel e duhur dhe atë për një Viti të pastër.

Kurse Visar Demiri, drejtor për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, tha se këto aktivitete të pastrimit janë të përvitshëm duke potencuar se gjatë këtyre ditëve të pastrimit janë larguar një numër i madh të deponive ilegale të mbeturinave në territorin e komunës së Vitisë dhe atë në 20 fshatra të kësaj komune.

Ai shtoj se vendbanimet e kësaj komune janë pastruar në bashkëpunim me këshillat e fshatrave dhe shkollat dhe mekanizmat e tjerë.

Drejtori Demiri tha se ata do të vazhdojnë të largojnë edhe deponitë e tjera ilegale te mbeturinave që kanë mbetur edhe në fshatra të tjera.

Në këtë aksion mjedisor kanë marrë pjesë nxënës, punëtor të kompanisë së menaxhimit të mbeturinave “Eco-Higjena”, policisë, KFOR-it, punëtor komunal, shëndetësisë dhe të tjerë./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS