Vitia në festën e 28 Nëntorit: Haliti mirëpret fëmijët e çerdhes “Gëzimi Ynë”, në shenjë nderimi për Pavarësinë e Shqipërisë
Viti – Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, qyteti i Vitisë ka nisur atmosferën festive me aktivitete kushtuar kësaj date të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, priti në një takim fëmijët e çerdhes publike “Gëzimi Ynë”, të cilët erdhën të veshur me ngjyrat kuqezi dhe kostume tradicionale shqiptare.
Fëmijët realizuan një fotografi të përbashkët me kryetarin Haliti para hyrjes së Zyrës së Kryetarit, duke sjellë atmosferën e festës dhe simbolikën kombëtare në prag të 28 Nëntorit.
Pas vizitës në komunë, vogëlushët vazhduan aktivitetet festive në sheshin e qytetit të Vitisë, ku kënduan këngë kushtuar 28 Nëntorit, duke shënuar në mënyrën e tyre këtë ditë të veçantë që simbolizon historinë, identitetin dhe krenarinë kombëtare shqiptare./rajonipress/

