UBT

Vitia përkujton dëshmorët

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Viti – Me rastin e 5 majit ditës së dëshmorëve të Komunës së Vitisë sot janë shënuar aktivitetet e ndryshme kulturore, artistike si dhe Sportive. Gjithashtu në shënimin e kësaj dite është mbajtur edhe një seancë solemne si dhe një akademi përkujtimore ku janë përkujtuar gjithë dëshmorët e rënë të kësaj komune. Gjithashtu gjatë ditës së sotme Institucionet Komunale të Vitisë, shoqërisë civile, përfaqësues të partive politike, qytetarë etj, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Viti si dhe në memorialët e dëshmorëve.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë seancës solemne që është mbajtur sot tha se 5 maji dita e dëshmorëve të Komunës së Vitisë përkujton sakrificën e lavdishme të popullit. ”Është një gjë e denjë dhe e drejtë, të përkujtohen veprat e atyre që dhanë më të shtrenjtën Jetën, për lirinë që sot e kemi. Por jo vetëm që me 5 Maj të kujtojmë dëshmorët, por në vazhdimësi ti kujtojmë ata duke i shërbyer vendit me integritet, mirëkuptim dhe respekt për njëri tjetrin dhe në këtë mënyrë i nderojmë ata, i nderojmë familjet e tyre dhe nderojmë gjithë kombin tonë.” u shpreh Haliti.

Ndërkaq Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira tha se falë sakrificës e të gjithë atyre djemve dhe vajzave që më sakrificën e tyre sublime bënë të mundur që ne sot të frymojmë lirshëm. ”Këta djem e vajza të mbushur me atdhedashuri e më etje për liri të cilët shtrënguan armën e tyre drejtë fushave të betejave ku edhe ranë për të mos vdekur kurrë” u shpreh Pira.

Ndërkaq në Akademinë përkujtimore kreu i Komunës së Vitisë Sokol Haliti ka folur edhe për sakrificën e shumë heronjve të luftës dhe penës. ”Historia e kombit shqiptar ka nxjerrur shumë heronj lufte e heronj paqeje, por edhe heronj penës, mendimesh e idesh. Këta heronj, ishin sy patrembur, urrenin padrejtësitë dhe shtypjet ndaj kombit të vet dhe ishin të gatshëm që për lirinë dhe për sigurimin e triumfit kombëtar të bënin sakrificën më të madhe, të jepnin jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe si rrjedhim edhe për atë që besonin se do të ishte një e ardhme më e ndritur e kombit shqiptar” theksoi kryetari Haliti.

RCCOLA

Gjatë kësaj akademie kanë folur edhe Muharrem Xhemajli, Kryetari i OVL –UÇK-së për Kosovë, si dhe përfaqësuesi i OVL-UÇK-së për Viti Milaim Abazi si dhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëve. Ndërkaq pas kësaj akademie DKRS-ja e Vitisë në bashkëpunim me grupet artistike ka shfaqur një program kulturor dhe artistik si dhe është hapur një ekspozitë që trajton temën e trashëgimisë shpirtërore të dëshmorëve të kësaj komune.

Ndërkaq poashtu gjatë ditës së sotme ka qenë e paraparë të zhvillohen gara sportive në futboll të vogël në mes të Komunës së Vitisë me OVL-UÇK-në si dhe ndeshje rivale mes ekipit të Gjimnazit dhe Teknikës dhe atë në kategorinë e meshkujve dhe femrave.

Gjithashtu janë mbajtur edhe garat në shenjëtari. Poashtu gjatë ditës së sotme një delegacion i kryesuar nga kryetari i Komunës, Sokol Haliti ka vizituar gjitha memorialët e kësaj komune duke vendosur kurore lule gjithashtu ata kanë vizituar disa nga familjet e dëshmorëve./rajonipress/