Vitia në qendër të diplomacisë rinore botërore, mbahet ceremonia kryesore e Samitit për Paqe dhe të Ardhme të Qëndrueshme
Viti – Vitia është bërë sot arenë e një ngjarjeje me karakter ndërkombëtar, duke pritur ceremoninë kryesore të Samitit Botëror të të Rinjve, ku janë mbledhur të rinj nga vende të ndryshme të botës, ambasadorë, përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare dhe personalitete të jetës publike.
Në ceremoninë e Samitit të 6-të Rinor për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme, pjesëmarrëse ishte edhe ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në fjalën e saj vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe roli që duhet të kenë të rinjtë në ndërtimin e partneriteteve dhe promovimin e paqes.
Osmani theksoi se partneritetet ndërmjet vendeve dhe popujve krijojnë kapacitete më të mëdha për përballimin e sfidave, ndërsa organizimet që bashkojnë të rinjtë nga vende të ndryshme të botës shërbejnë si mundësi për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe ideve të reja.
Duke folur për Kosovën, ajo rikujtoi rrugëtimin e popullit të saj dhe sfidat me të cilat është përballur vendi, duke iu referuar edhe raporteve me Serbinë dhe, siç tha ajo, përpjekjeve që synojnë destabilizimin e Kosovës. Në këtë kontekst, Osmani përmendi edhe rastin e Banjskës.
Sipas saj, mekanizmat që prodhojnë dhe ruajnë paqen janë rezultat i partneriteteve ndërmjet kombeve, ndaj këto partneritete duhet të promovohen dhe të mbrohen.
“Të rinjtë janë promotorë të proceseve dhe duhet të jenë faktorë vendimmarrës. Të ndërtojmë partneritete dhe ta forcojmë aleancën”, tha Osmani.
Në ceremoninë kryesore foli edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili u uroi mirëseardhje delegacioneve dhe përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse, duke e cilësuar organizimin e samitit në Viti si një nder të veçantë për komunën.
Haliti prezantoi edhe aspekte nga historia e Vitisë dhe rrugëtimi i popullit shqiptar në periudha të ndryshme historike, duke përfshirë periudhën e okupimit, luftën dhe procesin që çoi drejt shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Kryetari i Vitisë falënderoi organizatorët, institucionet dhe të gjithë kontribuuesit që kanë bërë të mundur zhvillimin e këtij aktiviteti ndërkombëtar, ndërsa gjatë ceremonisë u ndanë edhe mirënjohje për udhëheqës dhe kontribuues të samitit.
Në kuadër të ceremonisë, fjalime përshëndetëse mbajtën edhe ambasadorja Dr. Andrise Bass, organizatore e Samitit të 6-të Rinor për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme, Shefki Hysa, udhëheqës i Misionit për Paqe dhe Prosperitet në Shqipëri, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe organizatave pjesëmarrëse.
Samiti do t’i vazhdojë punimet edhe në ditët në vijim, përmes aktiviteteve dhe diskutimeve që kanë në fokus paqen, diplomacinë, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe fuqizimin e të rinjve në proceset shoqërore dhe vendimmarrëse.
Për Vitinë, organizimi i një aktiviteti të tillë përbën një mundësi për ta vendosur komunën në hartën e aktiviteteve ndërkombëtare që promovojnë dialogun dhe bashkëpunimin, ndërsa për pjesëmarrësit e rinj, samiti synon të krijojë ura të reja komunikimi përtej kufijve, kulturave dhe dallimeve./rajonipress/


