Vitia kërkon zgjidhje për problemet me ujin, Hasan Aliu takon drejtuesit e KRU “Hidromorava”
Viti – Zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ka pritur në takim përfaqësuesit e Kompanisë Rajonale të Ujërave (KRU) “Hidromorava”, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e furnizimit me ujë të pijshëm në disa fshatra të kësaj komune.
Në takim, ku morën pjesë edhe bashkëpunëtorë të Aliut, drejtuesja e KRU “Hidromorava”, Elhame Ramadani, e shoqëruar nga dy inxhinierë, si dhe përgjegjësi i degës së kësaj kompanie në Viti, Kemur Mustafa, është diskutuar për problemet e furnizimit dhe gjendjen e rrjetit të ujësjellësit.
Fokus i veçantë i takimit kanë qenë Sadovina e Jerlive, Sadovina e Çerkezëve, Tresteniku, Sllatina e Epërme dhe Sllatina e Poshtme, ku janë evidentuar nevoja për ndërhyrje dhe përmirësim të furnizimit me ujë.
Përfaqësuesit e institucioneve kanë vlerësuar si të domosdoshëm bashkëpunimin ndërmjet Komunës së Vitisë dhe KRU “Hidromorava”, me synim që problemet e evidentuara të adresohen dhe banorëve të këtyre lokaliteteve t’u sigurohet furnizim më i qëndrueshëm me ujë të pijshëm.
Takimi synon të shërbejë si hap drejt koordinimit të mëtejshëm institucional për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe zgjidhjen e vështirësive me të cilat përballen banorët e këtyre fshatrave./rajonipress/


