Hidromorava

Viti me dy dysha

/ 5 minuta lexim

Nga Milaim Shefkiu – Kaloi edhe një vit, i cili për shumëkënd do të konsiderohet njëri nga vitet më rënda të dekadës së fundit. Një vit i mbrapshtë, i cili sipas parashikuesve, është dashtë të përfundojë me kataklizëm, por ja që parashikimet dolën iluzione, dhe jeta do të vazhdojë sipas ritmit “pagan” ashtu që të gjithë njerëzit, në veçanti shqiptarët, do të vazhdojnë të sillen rreth “hiçit”.

Vitin me “dy dysha”, shqiptarët në Ballkan në veçanti në Kosovë, e kanë kaluar me shumë mund. Duke ia bërë një rezyme nga retrospektiva këtij viti, po del se ngjyra e zezë ka dominuar mbi të bardhën. Na kanë ndodhur më shumë skandale sesa progres. Të paktën kështu është reflektuar në opinion.

Nëse bazohem në deklaratat e fundvitit që kanë dhënë dhe po japin në vijimësi përfaqësuesit e institucioneve, padyshim që ka qenë një vit me plot suksese, sepse ata që janë brenda gjithmonë gotën e shohim gjysmë të mbushur.

Shqiptarët, para 5-6 vjetësh, në një sondazh ndërkombëtar kanë dalë populli me optimist në botë, përkundër fukarallëkut, papunësisë galoponte, të ardhurave të ulëta etj. Ndërsa, sipas një sondazhi botuar një javë më parë nga “IDRA Research & Consulting”, çdo i dyti kosovar dëshiron të jetojë jashtë vendit, në mërgim. Nëse është kështu, cila është e vërteta? Kush janë ata optimistë që duan të thyejnë këmbët për të ikur nga ky vend. Sipas kësaj logjike, Kosova më nuk është atraktive për të rinjtë. Ky është një zhgënjim i madh dhe një fenomen që duhet të studiohet. Derisa para 5-6 vjetësh kemi qenë populli më optimist në botë në vinin 2012, ky optimizëm ka rënë përtokë.

Këtë vit qytetarët nuk kanë arritur ta “menaxhojnë” durimin, sepse zhgënjimi ka qenë shumë i madh, pasi “qumështi u doli mbi përshesh”.

2012-ta ka qenë një vit plot më skandale, shantazhe, kërcënime, protesta e pakënaqësi, burgosje, që Kosovës i kanë dhënë një hije të keqe në opinionin ndërkombëtar. Imazhi i saj disa herë është përlyer dhe sfondi është dukur krejtësisht i turbullt. Këto njolla kanë ndikuar që Kosova të ndëshkohet nga Bashkimi Evropian, duke mos ia ndezur dritën e gjelbër për marrëveshjen e Stabilizim-Asoccimit me BE-në.

Fidanishtja

“Një djalë e dërgoi nënën e vet te mjeku dhe kur mjeku e pyeti se ku po i dhemb, ai i thoshte: ”Pyetëm ku nuk po i dhemb!” duke ia bërë me dije se nuk ka vend që nuk i dhemb.Edhe në Kosovë, në nuk ka institucion, departament, subjekt politik, agjenci, katund, shehër e mëhallë që nuk ka pasur probleme me thes.

Nga ajo që mund të krenohemi është se për një vit i kemi ndërtuar dhjetëra kilometra autostradë, që ia ka dhënë hijeshi vendit, pavarësisht çmimit shumë të lartë të ndërtimit. Kanë ndodhur edhe disa njohje, prapa me shumë llafe e muhabete, jo unë e prura jo ti s’e prure, si dhe lirimi nga Haga i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Kanë ndodhur edhe disa zhvillime pozitive, por kryesisht pak të vërejtura.

Sipas një fjale popullore “nën hijen e lisit të madh nuk rriten lisat e vogël”. Kjo i bie se nën hijen e skandaleve të mëdha nuk është vërejtur ndonjë zhvillim, pavarësisht raportit të Bankës Botërore, se në Kosovë ka pasur ngritje ekonomike. Të mirat kanë mbetur nën hijen e skandaleve të mëdha, duke filluar nga kodi penal, respektivisht dy nenet vrasëse për gazetarinë, të cilat nisën në vitin e kaluar dhe përfunduan me miliona probleme këtë vit. Të këqijat vazhduan me skandalin e pasaportave, protestat e Vetëvendosjes, grushtimi i deputetëve në Kuvend, korrupsionin që ka lëshuar rrënjë, skandali i përgjimeve e deri të dalja kaçak e Xhabir Zharkurt, kryetarit të Kaçanikut.

Por, nuk janë vetëm këto. Të tilla ka plot në Kosovë. Këto të zeza kanë ndikuar që pothuajse të gjitha organizatat ndërkombëtare kanë dhënë mesazhe negative për Kosovën. Nga ato organizata që i mbrojnë të drejtat e njeriut, deri të organizatat anti-korrupsion, homoseksualizëm, radikalizëm…

Meqë jemi popull me shpresë, prapë dëshirojmë të paktën, që viti i ardhshëm, të jetë më i mirë, më i begatë, më me pak korrupsion, më me pak hajna, më me pak demagogë dhe më me shumë njerëz të sinqertë e të përgjegjshëm. Ky vit me dy dysha, nënkupton se nuk kemi ngelë, por kemi kaluar pa meritë…