Uji Dea

Viti i marrëzisë së madhe

/ 20 minuta lexim

Aventura presidenciale rrezikon shtetësinë e Kosovës

Nga shumë skandale, plani i Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës cilësohet si më i madhi, më i rrezikshmi dhe me pasoja afatgjata për breza e breza të tërë

Viti 2018 do të shënohet në kalendarin historik të shtetit të Kosovës si një vit me një mal skandalesh, ndoshta më të mëdhatë në jetën institucionale dhe politike të këtij shteti, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot. Vendi është përballur me një regjim të egër, qeverisje arrogante dhe mbi të gjitha me një president, që ka vënë në pikëpyetje gjithçka që është arritur me shumë sakrifica e mund, nga breza të tërë. Si edhe viteve të kaluara, skandalet ndodhin, por përgjegjësia nuk adresohet, sepse drejtësia mbetet e kapur dhe shërbëtore e mafio-oligarkëve që udhëheqin Kosovën.

• PROKURORIA E KAPUR AMNISTON PROTAGONISTËT E AFERËS “PRONTO”

Më 6 prill të vitit që po e lëmë pas, ditë e premte, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë publike aktakuzën për rastin e njohur, i njohur në opinionin publik dhe medie si skandali “Pronto”, ku politikanë, zyrtarë, ministra, etj., dëgjohen në përgjimet telefonike, duke vendosur për punësime të ndryshme, pa përfillur procedura e kritere ligjore, por duke përdorur veprimet kriminale. Ndonëse afera “Pronto” zbardhi një cikël shkeljesh në të cilën janë të përfshira të gjitha partitë, kush më shumë e kush më pak. Reagimet kundër këtij rasti dhe gjykimet e opinionit publik kanë qenë shumë të ashpra duke kërkuar hetim dhe gjykim të ashpër të këtij rasti. Mirëpo, me zbardhjen e aktakuzës të gjithë janë zhgënjyer. Analistët politikë dhe ekspertët e fushës kanë konsideruar se subjekti kryesor që ka lënë vulën e vet në degradimin e shtetit të Kosovës , është Partia Demokratike e Kosovës, e cila ndërtoi një sistem të tërë klientelist, kriminal e korruptiv, të inkriminuar, militant, jomeritor, duke e goditur shtetin në secilën shtyllë pushteti të tij, dhe për këtë arsye patën theksuar se ngritja e aktakuzës ndaj disa prej pjesëtarëve të klanit “Pronto” është lajm i mirë për vendin, por dilema loja po vazhdon me mos dhënien e epilogut ndaj këtij rasti, prandaj tani dilema është se çfarë aktakuze mund të jetë kjo, pasi në nismë janë përjashtuar kokat dhe autoret e aferës “Pronto”, shefat e klanit “Pronto”, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, që nuk janë pjesë e aktakuzës, edhe pse në përgjimet e publikuara kuptohet qartazi që Adem Grabovci ishte e është vetëm një zbatues e ekzekutues i urdhrave të tyre të kundërligjshëm. Edhe ky vit po mbaron pa i dhënë verdiktin këtij rasti nga ana e Gjykatës dhe nuk dihet se çfarë fati do të ketë në vitin tjetër.

• LAMTUMIRË, LIBERALIZIM!

Lajm i keq për qytetarët e Kosovës, para përmbylljes së vitit 2018, ishte zvarritja edhe për dy vjet të tjera e mundësisë së liberalizimit të vizave. Ky lajm i keq veç ishte paralajmëruar në raportin e fundit për vitin 2018 nga Parlamentit Evropian, dhe ai ishte një grusht tjetër i rëndë për politikën e inkriminuar qeverisëse të Kosovës, ngase po ky raport e vërteton se në Kosovë nuk funksionon lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, dhe se niveli i korrupsionit është akoma në rritje. Prandaj, pasojat dihet kush i vuan, do të vazhdojë të vuajë populli, tërësisht i shkelur dhe i mbyllur në geto, pikërisht për shkak se në Kosovë nuk sundon ligji, nuk luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni e mafio-oligarkët e politikës dhe të bizneseve të pista që bashkësundojnë. Vulosjen e këtij lajmi dëshpërues për qytetarët e Kosovës e bëri Komisionari Evropian për Dialog dhe Zgjerim, Johannes Hahn, i cili erdhi në Prishtinë më 3 dhjetor dhe deklaroi se afati më optimal i liberalizimit të vizave për kosovarët mund të jetë viti 2020.

• DËMI I GYLENISTËVE, SKANDALI ME AUTOR THAÇIN

Një hije e zezë që i mbetet shtetit të Kosovës e shënuar në kalendarin e vitit që po lëmë pas, është dhe deportimi i 6 qytetarëve turq nga Kosova në Turqi. Të gjitha dyshimet e opinionit publik dhe analistëve, por edhe nga debati i zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, e kanë nxjerrë përgjegjës për këtë veprim presidentin Hashim Thaçi. Këto dyshime janë bazuar duke analizuar pozicionimin e presidentit turk Erdogan karshi aksionit për depërtimin e 6 gylenistëve, ngase Erdogan po e sulmonte kryeministrin Haradinaj dhe po e mbronte presidentin Thaçi. Sipas vlerësimit të analistëve që i është bërë kësaj situate, nga ky pozicionim i vetë presidentit turk, është thënë se realisht është kapur në akt flagrancë gati direkt presidenti Hashim Thaçi, i cili për këtë operacion do të ketë qenë i njoftuar, për të mos thënë që e kreu drejtpërdrejt dhe kryesisht me mentorët e tij në Ankara.

• SHPEND AHMETI SHPËRBLEN ME QINDRA MIJËRA EURO KOMPANITË E PARAJSËS FISKALE TË BLERIM DEVOLLIT

Një nga rastet skandaloze të raportuara në medie gjatë vitit që po mbetet pas ka qenë edhe për shpërblimin që iu ka bërë kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, me mijëra euro, kompanive në parajsat fiskale që lidhen me Blerim Devollin. Gjatë javës së parë të muajit janar dhe në muajin shkurt është raportuar se si kanë dalë në shesh faktet e marrëveshjes kriminale që i bëri Shpend Ahmeti në jahtin e Blerim Devollit, pas provave po rezultojnë në kontrata milionëshe sërish për Blerim Devollin, konkretisht për kompaninë e tij në parajsën fiskale në Maltë, edhe atë me tender njëburimor. Kjo marrëveshje edhe ka bërë që analistët ta shtrojnë pyetjen se si po jep tender njëburimor miliona eurosh Shpend Ahmeti për kompaninë e tanimë bashkëortakut Blerim Devollit në parajsën fiskale me emrin ABRAZEN LTD nga Malta. Si dihet, Komuna e Prishtinës e ka bërë publik fituesin e tenderit për “Furnizimi me qumësht për nxënësit e shkollave -niveli i ulët prej klasës I-V. Qumësht UHT, paketimi: 250ml, në ambalazh aseptike të Tetra Pakut. Yndyra:2.8g-3.5g,laktozë:4.6g, kalcium 120mg. Qumështi i sterelizuar në temperaturë 137C0 dhe i homogjenizuar me 2.8 për qind-3.5 yndyrë”. Fitues i këtij tenderi me vetëm një ofertues e kundërligjshëm është kompania “Abrazen” L.L.C. , pronare e së cilës është kompania ABRAZEN LTD në Maltë! Tenderi peshon 733.698,00 euro dhe kjo kompani ka qenë ofertuesi i vetëm,pra tender njëburimor, ose i fshehtë, jopublik e kriminale!!! Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve -ARBK, kjo kompani është në pronësi të kompanisë malteze “Abrazen” LTD. Ndërkaq, persona të autorizuar në këtë kompani janë: Fatmir Pula, drejtor ekzekutiv dhe anëtar i Bordit, Ernest Jusufi, anëtar i Bordit, Shpresa Mustafa, kryetare e Bordit, dhe Valon Basha, anëtar i Bordit -sekretar – agjent i regjistruar. Dokumenti i siguruar në ARBK-ja nga gazeta “Kosova Sot”, dëshmon se të gjithë këta janë punëtorë me gjurmë e fakte të Blerim Devollit edhe në kompanitë e tij të tjera. Sipas të dhënave të ARBK-së, Valon Basha është person i autorizuar tek kompania “Devolli Energy”, pronar i së cilës është “Devolli Group”. Ernest Jusufi është drejtor në “Devolli Distribution” SHPK, pronar i së cilës është Blerim Devolli. Jusufi është edhe drejtor i qumështores “VITA”. Ndërkaq, Blerim Devolli për t`i humbur gjurmët fëlliqësirave dhe krimit ekonomik për mbi 10 vjetët e fundit, të gjitha pasuritë e tij i ka kaluar në parajsa fiskale.

• PRAPASKENAT E RREZIKSHME TË DIALOGUT

Fillimi i vitit 2018 shënohet me fillimin e zbardhjes së projektit të ri për bisedimet më Serbinë, në mes të presidentëve Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq, një projekt si marrëveshje finale historike për pajtim mes dy shteteve, që ka për agjendë edhe shkëmbimin e territoreve, rihapjen e statusit të Kosovës në këto bisedime, të kamufluar kinse bëhet fjalë për demarkim të vijës kufitare Kosovë- Serbi dhe jo ndarje e shkëmbim në kuptimin klasik.

Mobi Casa

Analistët politikë e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin me shqetësim të madh idenë për këmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje finale e çështjeve të hapura rreth statusit në mes të dy vendeve. Madje, ata theksojnë se ekziston rreziku që për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale, me Hashim Thaçin dhe të tjerët, mund ta bëjnë ndarjen e Kosovës edhe zyrtarisht me Republikën e Serbisë, madje pa vonuar shumë në proces dialogu. Në këtë lojë është i kyçur mentori e miku i mirë i Thaçit dhe Vuçiqit, Baton Haxhiu dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ky projekt shihet i nisur qëllimisht, sipas Prof. Enver Bytyçit, për t’i shpëtuar Hashim Thaçi Gjykatës Speciale, prandaj e ka ndërmend ta shesë atdheun! Ai ka thënë se është krejtësisht i bindur se Batoni është kushti i Aleksandër Vuçiqit për Hashimin dhe Edin dhe në këtë Pazar humbëse do të mund të dalë Kosova, kurse fituese e dyfishtë vetëm Serbia. “Është e pamundur të fitojë Kosova nga ndarja e Kosovës. Nga ky akt antishqiptar e antikombëtar fiton vetëm Serbia. Çfarë fiton Serbia? Fiton pasuritë marramendëse që gjenden në territorin e Kosovës! Fiton moskthimin e rreth 20 mijë shqiptarëve të shpërngulur nga veriu i Mitrovicës më 1999 dhe që ende jetojnë si refugjatë në Kosovë! Fiton një dalje strategjike për t’u mbrojtur nga ndonjë lëvizje separatist e Sanxhakut! Fiton një terren plus, prej nga do të provokojë Malin e Zi! Fiton një pikë strategjike për kontrollin e territorit të Kosovës!”, ka theksuar në intervistën ekskluzive për gazetën “Kosova Sot” analisti, historiani dhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi. Sipas Bytyçit, kjo do të thotë se Beogradi është i vetëdijshëm për rolin kërcënues dhe presionin që luan “lëkura e ujkut” me emrin Gjykatë Speciale të udhëheqësit e luftës në pushtetin e sotëm, dhe ky presion duket qartë se ka një qëllim të vetëm: Zgjidhjen e konfliktit përmes ndarjes së Kosovës. Opsioni i ndarjes si qëllim i bisedimeve Thaçi- Vuçiq është elaboruar shumë gjatë vitit edhe në shtypin botërorë. Për një rrezik të tillë ka shkruar edhe gazeta londineze “THE GUARDIAN”. Sipas gazetës prestigjioze londineze “THE GUARDIAN”, që thirret në diplomatë dhe politikanë, Republikës së Kosovës po i përgatitet një skenar i tmerrshëm: Veriu i Kosovës pritet t’i bashkohet Serbisë, në këmbim të ulëses së Kosovës në Kombet e Bashkuara! Sipas “The Guardian”, përfaqësuesit diplomatikë kanë treguar se ndarja e Kosovës është në tryezën e bisedimeve, është në një modalitet tepër të rrezikshëm: ku Veriu i bashkohet Serbisë, në këmbim të ulëses së Kosovës në OKB. Edhe gazeta vjeneze “Der Standard” i është shtuar listës se medieve ndërkombëtare që raportuan për takimet të ashtuquajturat të fshehta fillimisht,Vuçiq-Thaçi, për ndarjen e tkurrjen e Kosovës.

Sipas kësaj gazete, Gjermania parandaloi ndarjen e Kosovës, të cilën e synonte presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Gazeta edhe më tutje dyshon se Thaçi e Vuçiqi po takohen nëpërmjet kanaleve të tyre fshehta për të çuar përpara planet e tyre të vjetra e ogurzeza. Po ashtu, gjatë vitit që po e përmbyllim, një rrezik të tillë për këmbim territoresh me Serbinë, të cilin shefi i shtetit kosovar po e kamuflon me shprehjen kinse ‘korrigjim kufijsh”, e ka alarmuar edhe ish-diplomati amerikan dhe njohësi i çështjeve ballkanike Daniel Server, sipas të cilit shkëmbimi i territoreve me Serbinë është i rrezikshëm dhe çon në fundin e shtetit të Kosovës. Edhe Daniel Server paralajmëron se synimi i Thaçit për të tregtuar disa ose të gjitha komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë për territorin e shumicës shqiptare në Serbinë Jugore, apo “korrigjimi i kufijve”, siç po e quan Hashim Thaçi, është një ide e keqe dhe çon në fundin e shtetit të Kosovës. Tentativa për copëtimin e territorit të Kosovës në bisedimet Thaçi- Vuçiq ka alarmuar edhe ish- kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili duke reaguar kundër lansimit të idesë Thaçi- Vuçiq për korrigjimin e kufijve me Serbinë, ka thënë se korrigjimi i kufijve është i tëri një produkt i kuzhinës së Beogradit dhe kjo ide e Thaçit involvon edhe Edi Ramën së bashku. Sipas Berishës, Thaçi po e copëton Kosovën dhe do t’ia falë Serbisë katër komuna të Republikës së Kosovës.

• PRESIDENTIT I REFUZOHEN MEDALJET KOMPROMETUESE

Në fillim të vitit që po mbetet pas, presidenti Hashim Thaçi pati filluar me ndarjen e dekoratave të shumta, në krye të përvjetorit të 10 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për figura të ndryshme publike e politike, të cilat ai i ka konsideruar si meritor dhe kontributdhënës për lirinë dhe pavarësisë e shtetit. Mirëpo, jo të gjithë i pranuar ato dekorata. Figura të shquara të jetës publike dhe akademike i kanë refuzuar dekoratat e presidentit Thaçi, e ku në atë karvanin e kritikuesve dhe të refuzuesve për dekoratat që po ndante presidenti Hashim Thaçi, në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së Kosovës, është rreshtuar edhe shkrimtari i madh dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Rexhep Qosja. Ai e ka kritikuar rëndë presidentin Hashim Thaçi, duke vlerësuar se ai bëri dekorime ashtu siç bëjnë regjimet e vendeve pseudo-demokratike, të cilat duan t’i heshtin apo për t’i kthyer njerëzit e caktuar në anën e tyre. Këtë kritikë të njërës nga penat më të shquara të letrave të Kosovës, e cilësuan si shumë me vend dhe madje tepër të qëlluar edhe opinionistët dhe analistët e politikës. Madje, sipas analistëve, me këto dekorata që po i shpërndan presidenti, sikur Babadimri dhuratat për fëmijë, Hashim Thaçi vetëm sa po përpiqej të fitojë përkrahjen tërësisht të humbur në opinionin publik, politik e akademik. Sipas opinioneve të ndryshme, këto dekorata, shumica e tyre, po jepeshin për t’i bërë individë të caktuar që të heshtin, për të blerë përkrahës, lavdërues e servilë. Për aq më keq, dekorata po u jepeshin edhe agjentëve të UDB-së, të cilët kontribuuan në të kaluarën në maltretimin, burgosjen dhe vrasjen e qytetarëve në Kosovë.

• HARADINAJ IA TRASH MONOPOLIN DEVOLLËVE

Me plot skandale është identifikuar gjatë vitit që po mbetet pas edhe Ministria e Infrastrukturës. Duke filluar nga data 20 prill, Ministria e Infrastrukturës, përmes një vendimi, edhe më shumë e ka trashur monopolin për homologim të Shkëlqim Devollit. E tëra kjo ka ndodhur, ngase Ministria e Infrastrukturës tashmë ia ka ndërprerë punën Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për atestimin e veturave. Me këtë vendim Ministria e Infrastrukturës ia ka rritur punën afaristit Shkelqim Devolli, edhe përkundër faktit se ka një kontratë të kundërligjshme, por edhe kundërkushtetuese dhe tepër kriminale për homologim në Qendrën e Automjeteve të Kosovës, duke ia mundësuar që nga data 20 prill e këtij viti, t’i kenë të garantuara së paku edhe rreth 300 mijë euro qarkullim nga ‘A-testimi”, përveç të hyrave dhjetëra milionëshe të garantuara nga homologimi monopolizuar antikushtetues dhe antiligjor i automjeteve. Por, deri më sot ka mbetur një mister i madh se si Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar biznesin e Shkëlqim Devollit pa asnjë konkurs, për të bërë edhe “Atestimin e automjeteve”, që tash me ligjin e ri do të quhet ‘Homologimi individual i mjeteve rrugore që importohen si dhe atyre të riparuara, përpunuara dhe të përmirësuara. Andaj, nga njohësit e kësaj fushe shtrohet pyetja se si ia ka mundësuar kjo Qeveri aktuale edhe një mundësi tjetër shtesë klanit të madh e të inkriminuar “Pronto” dhe Shkëlqim Devollit, duke ia rritur të hyrat e kompanisë se tyre “Euro-Lab” që operon me Qendrën e Automjeteve të Kosovës, pasi do të jetë sërish e vetmja kompani e autorizuar për të bërë këtë çështje, me monopol antikushtetues dhe antiligjor. Drejtues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës kanë kundërshtuar Urdhëresën Administrative të Ministrisë së Infrastrukturës pasi ata thotë se Udhëzimi Administrativ për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore është në kundërshtim me Ligjin e Konkurrencës. Kryetari i Komisionit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka deklaruar se ata kanë dërguar komente në draftin e këtij udhëzimi, duke konstatuar se ky udhëzim bie ndesh me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga ministria e udhëhequr nga Pal Lekaj.

• HAJVALIA GATE- ZHVATJA MILIARDËSHE

Në javën e parë të muajit shkurt të vitit të kaluar është zhvilluar një takim “pune”, një darkë në shtëpinë e Behgjet Pacollit në Hajvali, e që nga opinioni publik është me shqetësim për planet biznesore që janë biseduar në atë takim në mes të Pacollit dhe krerëve të shtetit. Analistët politikë e kanë parë me sy shumë kritikë dhe dyshim të madh “konakun” që iu bëri në shtëpinë e vet private Behgjet Pacolli partnerëve të koalicionit qeverisës në krye me presidentin Hashim Thaçi, si ne stilin e “odave te burrave”, siç u tha me iniciativën e Hashim Thaçit, kabinetit qeveritar dhe Kadri Veselit. Madje, është raportuar nga ky takim se një propozim skandaloz ka dhënë presidenti Hashim Thaçi, në darkën e përbashkët te zv. kryeministri Behgjet Pacolli,ku prezent ishin, përveç presidentit Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj me ministrat e kabinetit qeveritar. Në takim, sipas raportimeve, Hashim Thaçi ka kërkuar një propozim, që dyshohet të jetë i krijuar bashkë me Pacollin dhe agjentët e tyre, që të gjitha institucionet e vendit,përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës të zhvendosen larg zemrës e qendrës së Prishtinës, me saktësisht në fshatin Hajvali. Sipas analistëve politikë, ky propozim, që dikur ka qenë ide e ish- presidentit historik Ibrahim Rugova, si projekt për pallatin presidencial dhe qeverinë, tani është vjedhur nga ideatorët e rinj për qëllime biznesi të pistë, ngase dyshohet që ndërtuesit e mundshëm për këto objekte shtetërore janë kompanitë e ndërtimit të treshes Thaçi-PacolliDevolli,të cilët edhe ka kohë që i kanë bashkuar “forcat” në ndërtim, dhe po qëndrojnë “në këmbë të mbrëma ” ,ku edhe kontrollojnë çdo gjë.

• ISH-KONGRESMENI AMERIKAN I QUAN MAFIOZË THAÇIN E HARADINAJN

Në prill të vitit që po lëmë pas, 22 dhe 23 prill, mediet janë bombarduar me një akuzë të rëndë të ish-kongresistit amerikan Joseph DioGuardi, në adresë të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt. Sikur është raportuar, ish-kongresisti amerikan Joseph DioGuardi në një deklaratë për medie i ka quajtur duke i emërtuar “mafiozë”, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, të cilëve, sipas tij, u intereson vetëm pushteti dhe fuqia që u jep pushteti dhe kështu ata për shume vjet po dëmtojnë popullin e tyre. Madje, ai ka folur edhe për arsyen e refuzimit të dekoratës që i është ofruar. Duke folur për pakënaqësinë e tij ndaj krerëve të shtetit, pavarësisht kontributit të madh që ka dhënë në funksion të lobimit për Kosovën, kongresisti DioGuardi ka deklaruar se Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj janë mafiozë. “Atyre nuk u intereson asgjë për popullin, por vetëm paratë, pushteti dhe fuqia që u jep pushteti. Kosova e Shqipëria nuk janë në gjendje të mirë mu për shkak të elitës politike, e cila mendon që gjithçka mund të blihet me para. Ata u munduan të më blejnë edhe mua. Më ofruan para vetëm që të dilnin në fotografi me mua dhe të thoshin se kemi mbështetjen e DioGuardit…Unë nuk dua dekorata. Nuk dua medalje. Nuk marrë dekorata nga liderë të korruptuar”, ka thënë i zhgënjyer ish- kongresisti amerikan Joseph DioGuardi nga Amerika mike e Kosovës. Po ashtu, DioGuardi akuzon presidentin, Hashim Thaçi se e ka paguar me para të taksapaguesve kosovare 2 milionë e 300 mijë euro, ish-senatorin Robert Dole vetëm që t’i shkruajë parathënien e librit të tij, “Në State, Modern Stateman”.

• QEVERIA MEGALOMANE, POZITA TË KOTA, ME KOSTO MILIONËSHE

Qeveria “Haradinaj”, për nga fryrja e kabinetit qeveritar, ka gjasa të mbetet model historik për shumë gjenerata të ardhshme politike të qeverisjes së vendit. Për këtë lloj zhvatje të buxhetit të shtetit, me kabinet qeveritar që, përveç ministrave, nuk i dihet saktësisht numri i zëvendësministrave dhe i koordinatorëve të imagjinuar kot së koti, janë edhe qytetarët, të ngulfatur deri në fyt nga zhvatja, korrupsioni dhe krimi të organizuar, për çka edhe kanë rënë në një depresion të madh, kanë humbur tërësisht besimin se do të ketë një jetë më të mirë. Mirëpo, ky kabinet megaloman është kritikuar disa herë edhe nga faktorët ndërkombëtarë. Këtë e ka bërë edhe Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, në adresimet e saj publike për medie, Nataliya Apostolova, e cila duke folur për përbërjen e re të kabinetit të Qeverisë së Kosovës, ka deklaruar se është shqetësuese numri i zëvendësministrave, për pagat e të cilëve shkojnë rreth 75 milionë euro, prandaj ajo ka thënë se 75 milionë euro që shkojnë për pagat e tyre është më mirë të shpenzohen për reforma të mirëfillta. Ajo ka theksuar se Kosova është vendi që i ka 80 zëvendësministra, dhe nuk dëshiron që të bëjë krahasime me vendet e tjera, por kur shpenzohen 75 milionë të buxhetit të shtetit do të dëshironin të shohin se këto para do të përdoren për reformë të mirëfilltë e jo për paga.

(Kosova Sot)