UBT

Viti i cenimit të miqësisë me aleatët

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Viti 2017, nga aspekti i brendshëm është cilësuar si vit i zgjedhjeve. Një vit që ka dëshmuar jostabilitetin funksional të institucioneve, rënien e një qeverie dhe ngritjen e një qeverie të re, që mblodhi në vete spektrin politik, të njohur si krahu i luftës.

Por, nga aspekti i jashtëm, ky vit sfidoi një prej vlerave më të mëdha që e kishte krijuar shtetësinë e Kosovës – miqësinë e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.

Mospërfillja e vazhdueshme e kërkesave të aleatëve për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe sidomos përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, nga vetë diplomatët ndërkombëtarë, u cilësuan si veprimet që e cenuan partneritetin dhe miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet aleate të Bashkimit Evropian.

Problemet me akuzat për krime lufte, nisën që më 4 janar kur autoritetet franceze ndaluan liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një prej ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai u ndalua mbi bazën e një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, me akuzën për krime lufte.

Haradinaj u mbajt fillimisht në paraburgim dhe më pas u lirua me kusht nga gjykata franceze në Colmar. Kurse, lirimi i plotë i tij ndodhi më 27 prill, pasi që Gjykata në Colmar refuzoi kërkesën e Serbisë për ekstradim bashkë me akuzat e autoriteteve serbe për krime lufte.

UBT

Me t’u kthyer në Prishtinë, Haradinaj, ndër tjera, u zotua se nuk do të lejojë që Kosova të ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke pretenduar se me anë të saj, Kosova do të humbë 8 mijë hektarë tokë.

Ishin pikërisht polemikat e shumta rreth ratifikimit apo dështimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që çuan në rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit, Isa Mustafa.

Procedura e rrëzimit të Qeverisë kaloi përmes votimit të mocionit të mosbesimit në Kuvend, ku ndër ata që e votuan rënien e Qeverisë ishin edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo në koalicionin e atëhershëm qeverisës.

Për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë votuan 78 deputetë, kundër tij votuan 34, kurse abstenuan 3 deputetë./zeri/