UBT

Vitet nuk lënë gjurmë në fytyrën e tyre

/ 5 minuta lexim

Kohët e fundit duket se kirurgë dhe linja të ndryshme kozmetike premtojnë një lëkurë gjithmonë rinore. Që të jesh e bukur së pari duhet të ndihesh e tillë dhe më pas të kujdesesh për veten. Personazhet publike që “Shekulli” ka zgjedhur të sjellë këtë fundjavë, vërtetojnë se që të jesh e bukur nuk do të thotë patjetër të kryesh një ndërhyrje kirurgjikale, apo të bësh trajtime të shpeshta lëkure.

Majlinda Keta

Ajo është një grua në karrierë, një nënë e përkushtuar dhe një pedagoge e mirë. Edhe pse vitet ikin ajo mbetet po aq e bukur dhe e freskët sa dikur. E kontaktuar nga “Shekulli” Majlinda na tregon se freskinë e ka në saj të ushqimeve bio. “Një trajtim fytyre një herë në vit, e bëj me këmbënguljen e estetistes sime. Unë urrej të qëndroj gjatë shtrirë me dikë te koka që më bën ojna-sojna. Fakti që nuk kam pirë kurrë duhan dhe që nuk konsumoj alkoolin, por jam pasionante e frutave, lëngjeve dhe ëmbëlsirave, mund të ketë ndikuar”-shprehet ajo. Ajo është një provë e qartë që tregon se edhe pa shumë trajtime mund të kesh një paraqitje të kuruar.

Eli Fara

Është këngëtarja që vazhdon të ruajë akoma bukurinë e spikatur femërore edhe pse për pak vite kap të pesëdhjetat. Eli rrëfen për “Shekullin” se bukuria përbëhet nga shumë faktorë, një prej tyre është energjia pozitive. “Sukseset në karrierë të zbukurojnë dhe kjo varet sigurisht nga puna që bën, mënyra si e bën dhe sigurisht varet sa sukses ke. Nëpërmjet tyre transmetohet bukuri. Mundohem të jem e kujdesshme për të mbajtur lëkurë të pastër, duke bërë trajtime të fytyrës vetë, ndërsa ushqimet sigurisht që i zgjedh në cilësi dhe sasi”, u shpreh bukuroshja korçare. Manjola Nallbani Mbahet mend gjatë të gjithë karrierës së saj muzikore, si biondja simpatike që edhe sot është e tillë. Edhe pse është nënë e dy vajzave ajo vazhdon të ruajë linjat trupore në mënyrë perfekte, njësoj si ato të një 20-vjeçareje.

Manjola Nallbani.

E kontaktuar nga “Shekulli” këngëtarja tregon se nuk është e fiksuar pas trajtimeve në qendra estetike, por u shpreh se linjën e kremrave që përdor e ka shumë të shtrenjtë dhe efikase. “Nuk kam marrë mundimin që të bëj pastrimeve dhe sidomos këtu, por përdor kremra shumë cilësorë. Përpiqem që të jem e kujdesshme me ushqimet, ha gjithmonë vetëm një pjatë dhe ëmbëlsirat nuk para më pëlqejnë”, -rrëfen Manjola.

Mobi Casa

Valbona Selimllari

Pothuajse të gjithë kanë bindjen se është Miss-i më i bukur ndër vite. Edhe pse vitet kalojnë dhe mosha bën të sajën, ajo vazhdon të ketë freskinë dhe bukurinë e para 23 viteve, kohë në të cilën u shpall edhe “Miss Shqipëria”. Ajo tregohet aq modeste sa këtë fakt nuk e pranon, por thekson se bukuria nuk vjen në saj të palestrës, apo trajtimeve. “Mendoj se vitet po ikin dhe me duhet të filloj të trajtohem, sepse unë tashmë nuk rinohem, por aktualisht përdor vetëm kremin dhe një larës. Ndërsa me ushqimet bëj kujdes dhe nuk e teproj”- u shpreh bukuroshja Valbonë.

Zerina Kuke

Një zonjë e vërtetë, një gjyshe dhe një grua në karrierë, e cila mjafton të vendosë një buzëkuq të lehtë në buzë, për të shkëlqyer e gjitha. Në fillim kur kontaktuam e Zerinën, refuzoi të përgjigjej pasi me thjeshtësinë e saj, na tregoi se ka shumë personazhe të tjerë në karrierë dhe më të bukur se ajo. Ndoshta ajo nuk dëshiron ta konsiderojë veten të tillë pasi vitet i rëndojnë mbi supe, por ndonjëherë bukuria është thjesht një shkëlqim sysh. Zerina na tregoi se nuk merret absolutisht me trajtimet e fytyrës, thjesht është diçka gjenetike, por të rëndësishme janë edhe ushqimet që duhen përdorur.

Silvana Braçe

Në vitet ‘80 dhe ’90, Silvana Braçe ka qenë një nga fytyrat më të njohura të televizionit shtetëror. Falë elegancës dhe tonit të saj të ëmbël me të cilin drejtonte praktikisht të gjitha programet variete të TVSh-së, brenda një kohe të shkurtër u bë “zonja” e këtij televizioni. Vitet nuk kanë ndonjë domethënie për të, ajo është e ëmbël akoma. Ajo na tregoi se kurrë nuk është munduar të bëjë diçka për të qëndruar e re. “Asnjëherë nuk kam bërë asgjë për trupin apo fytyrën time, nëse vitet do të më rrudhin apo të humbasin freskinë e rinisë, kjo është diçka normale. Këto janë stadet e jetës, askush nuk mund t’i ndryshojë dot”, tha ajo për “Shekullin”.