Hidromorava

Vitet e humbura të Kosovës

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Blerim Shala- Nga pranvera e vitit 2008 e deri në pranverën e vitit 2012, relacionet Kosovë – Serbi, Perëndim – Prishtinë dhe Perëndim – Beograd, kanë qenë pengji të karierës së një politikani të vetëm: Të Boris Tadiqit, Presidentit të Serbisë.

Njëra prej porosive e cila më së shumti u përmend në ditët e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë prej diplomatëve të lartë perëndimorë që drejtpërdrejtë morën pjesë në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës, ishte ajo që spikatte domosdoshmërinë e gjetjes së një Modus Vivendi (Bashkëjetese), midis Kosovës dhe Serbisë.

Modus Vivendi në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kontekstin e njohur politik, nënkupton disa gjëra, poqëse proceset shikohen me një pikëshimim afatamesëm.

Së pari, që tema e statusit të Kosovës, në kufijtë e definuar nga Propozimi i Presidentit Ahtisaari, ka marrë fund, ajo nuk mund të ri-hapet prej askujt, në asnjë rrethanë.

Së dyti, Serbia nuk do të jetë e detyruar që tash për tash ta njoh shtetin e Kosovës dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike me Prishtinën.

Së treti, Kosova dhe Serbia duhet të vendosin raporte politike të cilat do të kenë domethënien e normalizimit të marrëdhënieve (pa njohje, dhe me largimin e Serbisë nga Veriu i Kosovës).

Së katërti, ky normalizimin gjithsesi do të nënkuptojë që Beogradi nuk do të pengojë assesi integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Së pesti, ky normalizim do të sjellë edhe njohjen e Kosovës nga Greqia, Sllovakia , Rumania , Qipro dhe Spanja, për të mundësuar kështu marrëdhëniet e mirëfillta kontraktuale në mes të Prishtinës dhe Brukselit.

Së gjashti, e tëra do të duhej të rrumbullakësohej me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Së shtati, Serbia do ta njihte Kosovën si shtet para se të bëhej anëtare e Bashkimit Evropian. Atëherë Modus Vivendi do të zëvëndësohej me vendosjen e marrëdhënieve të mirëfillta diplomatike midis dy shteteve.

Tema e normalizimit të raporteve të Kosovës dhe Serbisë në fakt është çelë qayshmoti, menjëherë pas vlerësimit të ICJ-së (Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë), në korrikun e vitit 2010, i cili sqaroi që bërja e shtetit të Kosovës nuk ishte në kundërshti me të Drejtën Ndërkombëtare.

Më parë, autoritetet më të larta të Beogradit ua kishin bërë me dije Washingtonit, Brukselit dhe kryeqendrave të tjera perëndimore, që kjo (ICJ), do të jetë përpjekja e fundit e Serbisë për t’iu kundërvënë pavarësisë së Kosovës dhe që më pas, nëse beteja ligjore do të humbet, Beogradi do të pranojë realitetin.

Pak ditë pas këtij verdikti të ICJ-që që bëri hi dhe pluhur këtë ndërmarrje ligjore të Serbisë, Catherine Ashton, Kryediplomatja e BE-së, pohoi që ka përgatitë një Propozim-Rezolutë që do të duhej të miratohej në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (sepse kjo Asamble edhe pati kërkuar, në tetorin e vitit 2008, mendimin e ICJ-së).

Fundamenti

Përmbajtja e kësaj Rezolute nuk linte vend për interpretime kundërthënëse: Kosova dhe Serbia duhej të nisnin një dialog, i cili kishte për synim normalizimin e relacioneve midis Prishtinës dhe Beogradit, dhe lehtësimin e rrugëtimit të Kosovës dhe Serbisë kah BE-ja.

Serbia , në mënyrë të tërthortë pranonte që puna e Kosovës (pavarësisë së saj), ka marrë fund, dhe që ky dialog, do të jetë një lloj “lënde djegëse” (politike), për përshpejtimin e ndërmarrjes së madhe të anëtarësimit të Kosovës dhe të Serbisë në BE.

Pra, në gushtin e vitit 2010, nga ana e Ashton ishin paraparë të ndodhte dialogu i cili po paralajmërohet që duhet të nisë në vjeshtën e vitit 2012, me 26-27 muaj vonesë.

Në vend të këtij modeli të mirëfilltë të normalizmit të raporteve në mes të këtyre dy shteteve, u zgjodh një tjetër, ai i një Draft-Rezolute të re, të negociuar midis Brukselit dhe Beogradit, e cila pastaj u votua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, me 9 shtator, 2010. Kjo ndodhi sepse nuk u arrit konsensusi i plotë në BE për Propozimin e Ashton-it.

Ne arritëm që të mos përzihemi në punët tona dhe për më shumë, ta relativizojmë shumë ngadhnjimin ligjor në ICJ.

Për ne, për Brukselin, për Washingtonin, siç do të kuptohej për çdo ditë të lume prej gushtit të vitit 2010 e deri më sot, ishte ky një rast i mrekullueshëm për ta ndryshuar kahjen e raporteve të Kosovës dhe Serbisë, për ta mbyllur rrëfimin e gjatë historik midis Kosovës dhe Serbisë.

Serbia i humbi të gjitha betejat e mundshme politike, ligjore, ushtarake (më parë, në vitin 1999), dhe kur pritej tërheqja e saj prej Kosovës, ajo papritmas u shpëtua me shansin e 9 shtatorit të vitit 2010.

Në fakt, që nga pranvera e vitit 2008 e deri në pranverën e vitit 2012, relacionet Kosovë – Serbi, Perëndim – Prishtinë dhe Perëndim – Beograd, kanë qenë pengji të karierës së një politikani të vetëm: Të Boris Tadiqit, Presidentit të Serbisë.

Tadiq, i cili siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, ka qenë një mashtrues ordiner politik, kishte arritë, dhe këtu assesi nuk mund të ketë shfajësim të diplomacisë perëndimore, të lidhë fatin e Kosovës, të integrimit të plotë të Veriut të Kosovës, fatin ndërkombëtarë të Kosovës, me fatin e tij në Serbi, gjithnjë duke dhënë premtime të rreme që do të ndërmarrë veprimet e duhura (veçmas nëse ICJ-së nuk vendosë në dobi të Beogradit), kur të vie momenti i duhur. Ai çast nuk erdhi kurrë, sepse Tadiq asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm të pranojë realitetin në Kosovë. Përkundrazi. Ai jetonte, politikisht, me një kredi të madhe të cilën e përtërinte shpesh në Washington dhe Bruksel, dhe në fund u mor vesh që jo që nuk e ka ndërmend ta kthejë këtë kredi përmes heqjes dorë nga ajo që ishte humbur kahmoti (nga Kosova), por për më shumë, u kuptua që ai e kishte futur Serbinë në borxh politik dhe financiar deri në fyt.

Janë humbur kështu katër vjet tepër të çmueshme për Kosovën si një shtet të ri.

Kosova ka interes jetik (dhe këtu puçen interesat e Kosovës dhe të Perëndimit, por realisht, edhe të Kosovës dhe Serbisë), që ta kompenzojë aq sa është e mundur, kohën dhe vitet e humbura. Mbetja në fuqi e gjendjes pezull në raportet Kosovë – Serbi do të jetë shumë e rrezikshme për Kosovën dhe për gjithë rajonin.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)