Vit i vështirë ekonomik

Nga Enis Veliu – Dy projektet më të mëdha në vend, ndërtimi i termocentralit të ri “Kosova e re” dhe ndërtimi i Qendrës së skijimit në Brezovicë, nuk u realizuan as gjatë vitit 2015, edhe pse për to u diskutua shumë. Për të parin u fol dhe u shpenzua shumë, gati për një dekadë.
Gjatë rrugës, disa herë u rrit dhe u zvogëlua kapaciteti i prodhimit, u shpenzuan miliona euro për ekspertë vendorë e ndërkombëtarë. Në fund Qeveria e Kosovës shpalli fitues të tenderit një kompani amerikane, por që në start pak shpresa ka për një përfundim të shpejtë të procedurave për të filluar më pastaj me procesin e ndërtimit.
E për të dytin (Brezovicën), vitin e fundit u folën fjalë të mëdha, por në fund po shihet pak “dritë në fund të tunelit”.
Një vit më parë Qeveria e Kosovës shpalli si fitues të tenderit për Brezovicën një konsurcium francez. Por, kaloi një vit e në fakt asgjë konkrete nuk është bërë me këtë projekt. Zvarritjet e njëpasnjëshme në mungesë të mjeteve po e devalvojnë edhe këtë projekt, njësoj sikurse ka ndodhur me ndërtimin e termocentralit të ri.
Mungesa e seriozitetit dhe ndryshimet e njëpasnjëshme në projekte të mëdha larguan nga vendi ynë kompani të mëdha, sidomos në sektorin e energjetikës, dhe në vend të tyre erdhën konsorciume ndërkombëtare ku mbrapa tyre si zakonisht qëndrojnë njerëz të fuqishëm të politikës.
Vitin që po e lëmë pas do ta mbajmë mend gjatë si vit të rëndë ekonomik. Investitorët e huaj gjatë këtij viti investuan vetëm në patundshmëri dhe ndërtim, që në të shumtën e rasteve askush nuk i di pronarët e godinave gjigante, ndërkaq investimi në sektorë të rëndësishëm, siç është bujqësia dhe të tjerë, ka rënë edhe më tutje.
Situatën e rëndoi edhe më shumë mosfunksionaliteti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për muaj të tërë. Në gjysmën e vitit, AKP-ia thuajse ka qenë totalisht pasive në mungesë të anëtarëve të bordit.
Gjatë këtij viti institucionet e vendit kanë dështuar në luftën ndaj informalitetit dhe korrupsionit edhe pse për këto të dyja është folur shumë, por si zakonisht në fund ka fare pak progres.
Niveli i lartë i korrupsionit po ua mbyll rrugën investitorëve të huaj që po tentojnë të investojnë një pjesë të kapitalit të tyre në vendin tonë. Në të shumtën e rasteve ata para se t’ia nisin punës duhet të paguajnë “tallin” të fortëve të politikës, e nëse nuk e bëjnë këtë, ata kthehen duarthatë në vendet prej nga kanë ardhur.
Edhe më tutje një numër i madh i lokaleve që janë blerë nga biznesmenë të ndryshëm evropianë, përmes procesit të privatizimit, mbahen të uzurpuara, madje në listë të uzurpatorëve gjenden edhe zyrtarë të lartë të institucioneve të shtetit, por, çuditërisht, organet e drejtësisë kanë mbyllur sytë karshi tyre.
Andaj është koha e fundit kur gjykatat duhet ta shtojnë efikasitetin e tyre, duke i shqyrtuar në afat të duhur kohor, sidomos lëndët që kanë të bëjnë me investitorë të huaj.