Eko Higjiena

Viktimat e Shefave!

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Adrian Çollaku – Drejtori i përgjithshëm i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Latif Merovci, janë dy viktimat e fundit të shefave në politikë. Derisa i pari ka gjasa të “digjet” për t’ia shpëtuar fytyrën shefit të vogël, Besim Beqajt dhe shefit të madh, Hashim Thaçit për privatizimin skandaloz të distribucionit të KEK-ut që u “shit” për vetëm 26.3 milionë euro, i dyti, u “dogj” me gjasë për t’i shpëtuar relacionet me ndërkombëtarët.

Edhe laiku më i madh e di se si ka ardhur deri në këtë shkallë gjendja me faturat e energjisë elektrike. Rritja e çmimit të energjisë elektrike vitin e kaluar për rreth 10 për qind ka bërë që shumica e konsumatorëve kosovarë të mos kenë mundësi t’i përballojnë faturat, sidomos gjatë muajve të dimrit kur edhe rryma është më e shtrenjtë si dhe shpenzimi më i madh. Pa përmendur këtu fryrjet e faturave nga ana e punëtorëve të KEK-ut, që u dëshmuan në shumë raste.

Pos kësaj rritjeje të çmimit të energjisë, nga 1 prilli i këtij viti pritet që rryma sërish të shtrenjtohet, të paktën edhe për 10 për qind. Madje, shtrenjtimi nuk do të ndalet as me kaq. Çmimi i energjisë elektrike do të rritet nga viti në vit, dhe këtë e kemi të garantuar me kontratën për privatizimin e distribucionit të KEK-ut ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë turke “Limak & Calik”.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe sejmeni i tij, Besim Beqaj, pos që e kanë falur distribucionin e KEK-ut, duke e shitur për vetëm 26.3 milionë euro, që është një vlerë qesharake, janë përkujdesur që ta rrjepin qytetarin e Kosovës. Tërë ato miliona euro që do t’i investojë konzorciumi turk, e me të cilin fakt janë krenuar aq shumë drejtuesit e Qeverisë së Kosovës, do t’i ngarkohen konsumatorit kosovar. Secili investim që e bën privatizuesi i distribucionit të KEK-ut, do të faturohet në faturat e energjisë elektrike. Që i bie që tërë 300 milionë eurot që do të investohen për 30 vjet, do t’i paguajmë, unë e ju, ne konsumatorët.

Në tërë këtë skandal, që mund të quhet pa asnjë dyshim ndër skandalet më të mëdha të kësaj qeverisjeje, është strategjia paksa nëse mund ta quaj ashtu më e butë e rrjepjes së qytetarëve. Qytetarët e Kosovës, këto 300 milionë euro nuk do t’i paguajnë ta zëmë për 5 deri në 10 vjet, se mund t’i “ngarkojë” shumë, por do t’i paguajnë për 30 vjet.

FIDANISHTJA

Dhe tani kur kanë nisur të dalin në sipërfaqe pakënaqësitë e shumta, e që do të rriten aq shumë, sa mund të shkaktojnë edhe ndonjë trazirë sociale, Besim Beqaj e ka një zgjidhje – shkarkimin e drejtorit të KEK-ut, Arben Gjuka. Ndoshta kjo taktikë edhe u “pi ujë” për një kohë, por ky problem rrënjët i ka diku tjetër – te privatizimi skandaloz i distribucionit, gjë që po dëshmohet çdo ditë e më shumë.

Edhe Latif Merovci, i cili pati fatin e ngjashëm si Gjuka, mund të jetë djegur nga Shefat. Ndonëse zyrtarisht u tha se zëvendësdrejtori i AKI-së, Latif Merovci, kishte dhënë dorëheqje duke mos i bërë publike arsyet, për koincidencë ishte pikërisht i dyti i spiunëve kosovarë, ai i cili u përplas me EULEX-in për Ligjin për përgjimet. Gazeta “Zëri” kishte raportuar se si kishte komunikuar Merovci me ndërkombëtarët, duke thënë se “atij nuk ia ndien se cilat janë praktikat më të mira evropiane”, që detyroi më pas ambasadorët e Kuintit të mblidheshin me kryeministrin Thaçi për këtë çështje. Përplasja kishte të bënte me Qendrën Administrative Elektronike, e cila do të kontrollohej ngaAKI-ja, çka shtyri ndërkombëtarët në Kosovë të dalin haptas kundër “Ligjit gestapo” siç e quajtën mediet.

Në të dyja rastet, si Arben Gjuka, ashtu edhe Latif Merovci, kanë rënë viktimë e Shefave.

Ata, Shefat pra, për ta ruajtur veten e tyre dhe pozicionin që kanë, japin gjithçka, por natyrisht duke filluar nga më të padhembshmit. Madje, kjo është edhe logjika e funksionimit të tyre. Sepse, sikur Shefat të jepnin, ata me të cilët kanë bashkëpunuar vazhdimisht, dhe kanë hyrë në lojën e njëjtë, atëherë gjasat janë shumë të mëdha që të bjerë e tërë piramida e pushtetit.

Këtë më së miri e dëshmon, rasti i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ku kryeministri Thaçi pavarësisht skandaleve të panumërta që i dolën në shesh, nuk e pati guximin që të ndërmarrë as hapin më të vogël për ta ndëshkuar atë.