Viktima të papërgjegjësisë politike

Nga Imer Mushkolaj – Për shkak të papërgjegjësisë së politikës nesër mund të jemi jo vetëm viktima të një fatkeqësie natyrore. Se sa të paaftë e të papërgjegjshëm janë treguar ata që na kanë udhëhequr e na udhëheqin e provojmë çdo ditë. Por rezultatet e testit PISA nuk japin shumë shpresë as për të ardhmen. Sistemi i korruptuar prodhon padituri e arrogancë.

Tërmeti që goditi Shqipërinë, duke shkaktuar dhjetëra viktima e miliona dëme nxori në pah paaftësinë e papërgjegjësinë e shtetit për të parandaluar, menaxhuar e kontrolluar bizneset e papërgjegjshme, të cilat në emër të përfitimeve me çdo kusht, nuk çajnë kokën pse rrezikojnë jetën e njerëzve.

Të pangopur me ndërtime që nuk plotësojnë kritere elementare ndërtimore e arkitektonike, biznesmenë të të gjitha ngjyrave zgjodhën t’u shesin shqitarëve banesa të pasigurta. Jo se nuk ekzistonte droja se në një rast tërmeti do të ndodhte hataja, por u desh të ndodh njëmend për t’i rënë ndërmend shtetit se sa të papërgjegjshme ishin treguar ndër vite të gjitha strukturat përkatëse, teksa kanë lejuar këdo që i është tekur të ndërtojë vend e pa vend, të ndërtojë dhjetë në vend të tre kateve, pa respektuar asnjë rregull elementar, siç ndodh në gjithë botën normale.

Dhe, tërmeti në Shqipëri shkaktoi panik edhe në Kosovë, ku dhjetëra mijëra banesa mendohet të jenë ndërtuar pa përfillur kriteret e duhura, ku mijëra ndërtesa janë dëmtuar me nënndërtime e mbindërtime dhe rrezikojnë të kthehen në varreza masive, në rast të ndonjë tërmeti. Gjithë kjo për shkak të papërgjegjësisë së sktetit, të politikës, të njerëzve që kanë udhëhequr, por nuk kanë parandaluar, menaxhuar e kontrolluar gjithë katrahurën e ndërtimeve, sidomos në Prishtinë.

Nuk ka nevojë të jesh profesionist i fushës për të konstatuar se është ndërtuar aty ku nuk është dashur, se është ndërtuar ashtu siç nuk është dashur dhe trendi i njëjtë po vazhdon. Nuk ka nevojë të jesh profesionist i fushës për të konstatuar se dhjetëra mijëra banorë sot jetojnë në banesa pa pranim teknik dhe, thjeshtë, bëjnë jetë të pasigurt. Me drojën se nesër mund të pësojnë si viktimat në Durrës.

* * *

Mbase në vitet e ardhshme mund të dalin profesionistë e profesionistë të fushës së ndërtimit e urbanizmit, por nëse bazohemi në rezultatet e testit PISA, gjasat janë të vogla. Vlerësimi global nxori Kosovën në fund të pusit, me nxënës që e kanë të vështirë të kuptojnë atë që lexojnë, e që qëndrojnë edhe me keq në shkencë.

Këta fëmijë janë viktima të sistemit, të një sistemi të korruptuar e te ndërtuar mbrapsht së paku tash dy dekada. Janë viktima të papërgjegjësisë politike, të politikanëve të papërgjegjshëm që arsimin asnjëherë nuk e kanë pasur prioritet. Në fakt e kanë pasur prioritet vetëm për të punësuar familjarë e militantë partiakë, për të mbledhur vota, por asnjëherë për cilësi.

Dhe sot gjendemi në situatë dëshpëruese kur në shumicën e institucioneve arsimore më së paku ofrohet dije. S’ka si të jetë ndryshe kur shumicën sish i kanë kapur të padijshmit, ata që të vetmen vlerë e kanë librezën partiake, ata që kanë kryer mastera e doktoratura me bollëk, ndërkohë që shumë nga ta do të dështonin në testin PISA. Ata që nuk dinë mirë as të flasin, as të shkruajnë shqip.

Sot gjendemi në një situatë dëshpëruese kur në institucionet menaxhuese të arsimit më së paku ofrohet menaxhim i duhur e ekspertizë, sepse ato janë të mbushura me njerëz që janë aty vetëm për të gëzuar paga të majme e privilegje – sinonim i arrogancës e papërgjegjësisë qeverisëse.

Sot gjendemi në situatën kur sistemi i vlerave është përmbysur, kur shteti është dorëzuar para të fortëve, para atyre që ndërtojnë ku e si t’u teket pa frikën se do të ndëshkohen nga ligji. Në situatën kur shteti dorëzohet para të paaftëve e të papërgjegjshëmve.

* * *

Në këtë situatë, kur qytetarët të paktën shpresojnë se mund të nis fillimi i fundit të papërgjegjësisë dhe arrogancës qeverisëse, dy partitë që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhje nuk po merren vesh për koalicionin.

Në vend që sa më shpejt të nis dialogu për problemet e shumta dhe të ndërmerren masa për zgjidhjen e tyre, një shoqëri e tërë duhet të preokupohet nëse Isa Mustafa po bëhet president, nëse Vetëvendosja po ia lë LDK’së Ministrinë e Brendshme dhe qysh po ndahet kulaçi qeverisës.

Deri sa këta tipa të merren vesh, natyrisht, dhjetëra mijëra qytetarë do të vazhdojnë të mos ndihen të sigurt në shtëpitë e veta, sistemi arsimor i kapur e i shkatërruar do të vazhdojë të prodhojë nxënës që nuk e kuptojnë atë çfarë lexojnë dhe paaftësia e papërgjegjësia do të bashkëjetojnë me secilin prej nesh. Sepse shteti nuk ekziston për qytetarët, por për pushtetarët. Sepse secili nga ne që sot jemi viktima të papërgjegjësisë e neglizhencës, nesër mund të pësojmë më keq se që e mendojmë. E rëndësishme është t’i akomodojmë ata që papërgjegjshëm po vazhdojnë të abuzojnë me vullnetin e qytetarëve.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).