RCCOLA

Vihet gurthemeli i urës në fshatin Breznicë

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, sot kanë vendosur gurthemelin e urës në fshatin Breznicës, urë kjo e cila lidh qytetarët e Kamenicës me ata të Bujanocit dhe Luginës së Preshevës.

Kastrati tha se me ndërtimin e kësaj ure, do të lehtësohet qarkullimi i qytetarëve të Kamenicës dhe atyre të Bujanocit e Luginës së Preshevës.
“Sot për mua është një nga momentet dhe emocionet më të veçanta ku sot dy komuna nga shtete të ndryshme po arrijnë të ndërtojnë një urë, për krijimin e kushteve më të mira për qytetarët e kësaj pjese, shpresojmë se ky do të jetë vetëm njëra nga investimet e para në mes të komunave”, tha ai.

Kastrati premtoi se projektet e përbashkëta do të vazhdojnë përsëri, dhe se për këtë projekt kanë kërkuar edhe ndihmën e qeverisë.
“Do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera të përbashkëta ky është vetëm fillimi. Për ndërtimin e kësaj ure kemi kërkuar edhe ndihmën e Qeverisë, por për shkak të rrethanave arritëm që së bashku me Komunën e Bujanocit ta realizojmë së bashku si dy komuna”, shtoi Kastrati.

Uji Dea

Edhe kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, tha se ndjehet i lumtur që për herë të parë po e realizojnë një projekt të përbashkët me Komunën e Kamenicës.
“Jam shumë i lumtur që për herë të parë po e realizojmë një projekt të përbashkët me Komunën e Kamenicës. Kjo urë nuk do t’i lidh vetëm dy fshatra por do të lidh dy komuna dhe dy shtete. Kjo është arsyeja se pse ka një rëndësi të posaçme ky projekt i përbashkët. Së bashku me kryetarin Kastrati do të vazhdojmë realizimin e projekteve të tjera që qytetarët ta kenë jetën më të mirë, lirë dhe më me perspektivë”, tha Arifi.

Ndryshe ky projekt i realizuar në mes të dy komunave kap vlerën mbi 52 mijë euro, prej të cilave 41 mijë euro janë investuar nga Komuna e Kamenicës dhe pjesa tjetër nga Komuna e Bujanocit./rajonipress/