Uji Dea

VETTING-u përjashton nga pushteti politikanët banditë

/ 9 minuta lexim

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, ekspertët e sigurisë dhe analistët e politikës, vazhdojnë të theksojnë se për të pasur edhe Kosovë një shtet stabil dhe demokratik, ku sundon ligji dhe drejtësia, domosdoshmërisht duhet një proces VETTING-u gjithëpërfshirës, fillimisht në drejtësi, por edhe në politikën kosovare.

Aliu: VETTING-u do të pastronte sikurse drejtësinë edhe politikën nga krimi dhe korrupsioni

“Një shtet ligjor, që do ta ndërtonte VETTING-u juridik, pra drejtësia, nuk do t’i lejonte të zgjidhen deputetë, ministra, qeveritarë, kryetarë komunash dhe as kuvendarë komunalë dhe administratorë qendrorë e vendorë, njerëz me rekorde korrupsioni e krimi. VETTING-u në drejtësi do ta bënte në mënyrë integrale dhe të pashmangshme edhe dekriminalizimin dhe pastrimin e politikës kosovare. Kjo sepse VETTING-u në drejtësi do ta zhvishte politikën dhe do ta shpronësonte atë si pronare të drejtësisë”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, ekspertët e sigurisë dhe analistët e politikës, vazhdojnë të theksojnë se për të pasur edhe Kosovë një shtet stabil dhe demokratik, ku sundon ligji dhe drejtësia, domosdoshmërisht duhet një proces VETTING-u gjithëpërfshirës, fillimisht në drejtësi, por edhe në politikën kosovare.

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thekson se VETTING-u është një mjet me të cilin spastrohen organet e shtetit, kuptohet në të gjitha fushat, duke filluar nga sistemi i drejtësisë, e deri te politika, duke kaluar edhe te veprimtaria private, te firmat e mëdha të lidhura me politikën e inkriminuar. “Pra, çdo fushë e jetës ka nevojë kohë pas kohe të futet në VETTING. Duhet thënë që sistemi i shtetit ligjor, respektivisht shteti i së drejtës, kurrë nuk mund të ndërtohet nëse vetëm në këtë sistem zhvillohet VETTINGu. VETTING-u pa u futur në politikë, në ekonomi, në veprimtaritë publike, deri në administratë, nuk mund të zhvillohet me sukses vetëm në organet e sistemit të së drejtës. Pse do më pyeste dikush? Përgjigjja ime është: Sepse, ky sistem ndërtohet dhe zhvillohet në mënyrë të lirë, dhe vetëm kur politika mbetet anash dhe nuk ndikon me mjetet e veta të presionit mbi atë sistem ai funksionon si duhet”, u shpreh Kelmendi për “Kosova Sot”.

KAPITI: VETTING-U NË DREJTËSI DO TA ZHVISHTE POLITIKËN DHE DO TA SHPRONËSONTE ATË SI PRONARE TË DREJTËSISË
Edhe sipas analistit Skënder Kapiti, është jetike për Kosovën një reformë radikale në tërë sistemin politikojuridik. “Duhet domosdo një ligj VETTING-u në drejtësi ku po të ketë mundësi të pastrohet i tërë sistemi i drejtësisë, me të gjithë gjyqtarët e prokurorët. Me siguri pothuajse sita e VETTING-ut do t’i nxirrte si krunde juridike, si ndotje korruptive e të kriminalizuara gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjyqësorit kosovar, ashtu sikurse po i skualifikon dhe po e pastron sistemin e drejtësisë VETTING-u në Shqipëri. VETTING-u në drejtësi do ta bënte edhe VETTING-un e politikës. Prandaj, politika kosovare nuk është e interesuar për miratimin e VETTING-ut në Kosovë , kjo sepse me fillimin e funksionimit të ligjit dhe të shtetit ligjor: politika, pushtetarët dhe politikanët në Kosovë nuk do të munden më që ata t’i shpëtojnë drejtësisë, ligjit dhe llogaridhënies së tyre për korrupsionin, për hajdutërinë,për pasurinë dhe për rekordet kriminale të tyre”, u shpreh ai. “Një shtet ligjor që do ta ndërtonte VETTING-u juridik, pra drejtësia, nuk do t’i lejonte që të zgjidhen deputetë, ministra, qeveritarë, kryetarë komunash dhe as kuvendarë komunalë dhe administratorë qendrorë e vendorë njerëz me rekorde korrupsioni e krimi. VETTING-u në drejtësi do ta bënte në mënyrë integrale dhe të pashmangshme edhe dekriminalizimin dhe pastrimin e politikës kosovare. Kjo, sepse VETTING-u në drejtësi do ta zhvishte politikën dhe do ta shpronësonte atë si pronare të drejtësisë, pra nuk do të kishte më një drejtësi politike, një drejtësi avokaturë dhe shërbëtore të politikës”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Mobi Casa

REZISTENCA KOSOVARE NDAJ LIGJIT
VETTING-u për politikën dhe drejtësinë në mënyrë paralele do të duhej zhvilluar sipas analistit Bislim Aliut. “Gjithsesi, VETTING-u është bërë më se i domosdoshëm edhe për politikën kosovare, dhe nëse do të bëhej tani, jam i sigurt që një përqindje tejet e vogël e politikanëve tanë, nga pozita dhe opozita, do të kalonte VETTING-un. Mirëpo, tanimë dihet që me këtë klasë politike, askush nuk pret se këta do të bëjnë VETTING-n në politikë, sepse nuk po e bëjnë as në drejtësi! Sigurisht se një ligj i tillë do të pastronte sikurse drejtësinë, edhe politikën nga krimi dhe korrupsioni, dhe do të merrte frymë të lirë populli nga këta politikanë të pangopshëm dhe tejet të inkriminuar. Politika po i frikësohet një procesi të tillë, sepse derisa në Shqipëri iu dha drita jeshile bërjes së VETTING-ut edhe në politikë, diçka që nuk e ka bërë asnjë shtet në rajon, në Kosovë, politika dhe sistemi i drejtësisë i kanë futur ende veshët në lesh dhe po vazhdon të rezistojë ndaj një procesi të tillë “, tha Aliu për “Kosova Sot”.

MIFTARI: SA MË SHPEJT TË LARGOHET KJO KASTË MAFIOZE POLITIKE, AQ MË MIRË PËR VENDIN TONË PËR POPULLIN TONË
Edhe eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, mendon se një drejtësi e pastruar nëpërmes VETTING-ut, gjithsesi që do të ndikonte me shpejtësi të madhe në pastrimin e politikës, dekriminalizimin e saj, sepse nuk do të pranonte që të bëhej më tutje vegël e politikës së inkriminuar. “Vetting i fuqishëm është i domosdoshëm në drejtësi fillimisht, do të thotë në gjyqësi, por pse jo edhe në politikë, sepse po të kishim mundësi për një tjetër Vetting në politikë, atëherë mbi 90% të njerëzve që merren me politikën nuk do të mundeshin të kalonin Vetting-un, ashtu siç është edhe situata ku afër 100% nuk do ta kalonin si për të dalë si të ndershëm, as gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të kapur nga dora e mafisë politike”, theksoi ai. “Vetting-u është i domosdoshëm si mjet ligjor i pastrimit të sistemit të drejtësisë, njëkohësit edhe i politikës, por nëse politika e bllokon këtë, atëherë ndoshta do të duhej të ndodhë një kryengritje, njëfarë revolte qytetare kundër korrupsionit në sistemin e drejtësi, kundër korrupsionit edhe në politikë, dhe përgjithësisht kundër mosfunksionimit të ligjit. Pra, një revoltë kundër politikës, e cila nuk e qan fare kokën për varfërinë, papunësinë,izolimin dhe mungesës së drejtësisë, mosfunksionimit të ligjit në dobi dhe interes ndaj qytetarëve të thjeshtë të Kosovës”, vlerësoi Miftari. “Sa më shpejt të largohet kjo kastë mafioze politike, aq më mirë për vendin tonë për popullin tonë, pritjet se dikush tjetër do të na pastrojë oborrin tonë nga mbeturinat politike të korruptuara janë të kota dhe jokorrekte, prandaj është koha e fundit që t’ju përvishemi vetë punëve tona”, tha Naim Miftari.

PRETENI: ME URGJENCË KËRKOHET PASTRIMI ME VETTING-UN E GJYQËSORIT E PASTAJ ME EFEKTIN DOMINO DO TË PASTROHET SKENA POLITIKE
Edhe sipas Hasan Pretenit, ish-kreut të Agjencisë Antikorrupsion, Vetting-u në politikë është goxha problematik, prandaj, sipas tij, në prioritet të prioriteteve duhet të jetë Vetting-u në drejtësi, sepse vetëm një drejtësi e pastër dhe e pavarur pastaj mund ta pastrojë edhe politikën. “Të pastrojmë me themel hetuesinë dhe gjyqësinë, të kemi hetues, prokurorë dhe gjyqtarë të pastër dhe pa hipoteka nga e kaluar. T’i pastrojmë ata që vetëm po përfitojnë në kurriz të qytetarit dhe nuk po bëjnë asgjë për të. Me pastrimin e tyre dhe me emërimin e zyrtarëve të pastër, të moralshëm, me integritet dhe të vendosur kombëtarisht, gjithçka do të fillojë mbarë”, u shpreh ai. “Me veprimin efikas të gjyqësorit nuk do të ketë veprime masive korruptive, do të ketë kujdes për shpenzimin e parasë publike dhe qytetari do të ketë adresën e mirëfilltë. Politika do të pastrohet vetëm dhe vetëm me jetësimin e ligjit Antimafia. Vërtetimi i prejardhjes së pasurisë do të pastronte politikën. Secili nga zyrtarët e lartë që kanë ushtruar poste të larta, që nga pas lufta duhet të dëshmojnë prejardhjen e pasurisë, ajo pasuri që nuk mund të vërtetohet-dëshmohet, duhet të konfiskohet dhe t’i kthehet shtetit. Vetëm ky veprim do të largonte dhe do të defaktorizonte mafinë”, shpjegoi Preteni. “Vërtetimi i prejardhjes së pasurisë do të pastronte skenën politike, prandaj definitivisht, me urgjencë kërkohet pastrimi me VETTING-un e gjyqësorit e pastaj me efektin domino do të pastrohet skena politike”, theksoi Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

TË GJITHË T’I NËNSHTROHEN SPASTRIMIT “Pa e zhvilluar VETTING-n edhe në politikë dhe atë në pushtetin shtetëror, nëpër çdo ministri e deri në Kryeministri, në Presidencë, në Kuvend, pastaj në komuna, nëpër kryetar dhe në ansamblet komunale, nëpër bordet publike dhe shtetërore, kudo e deri në firmat private, kurrë sistemi juridik nuk do të shërohet dhe kurrë nuk zhvillohet spastrim në prokurori dhe nëpër gjykata. E them këtë me plot bindje, sepse sistemi politiko-juridik dhe shoqëroro-ekonomik varen dhe ndikojnë në njëra- tjetrën, sepse nuk ka politikë të shëndoshë, pa bazë ekonomike të shëndoshë dhe nuk ka bazë ekonomike të shëndoshë pa pasur drejtësi të shëndoshë”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)