Fundamenti

Vetëvritet me plumb në gojë në sy të miqve, djali i nënprefektit

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Korçë – Vetëvritet me plumb në gojë djali i nënprefektit të Bilishtit, me detyrë inspektor i sektorit të Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Korçës. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë me dije se Dornjel Milo i ka dhënë fund jetës në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në makinën e një kolegu të tij.

Mësohet se 33-vjeçari ka qëlluar veten pas një feste të organizuar me shoqërinë e tij në një nga ‘pub’-et e qytetit juglindor. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, hetuesit e çështjes deklaruan se dyshohet që Milo u vetëflijua për shkak të depresionit. Ndërkohë që familjarët pohuan se Dornjeli nuk është vetëvrarë dhe se ngjarja ishte aksidentale.

Ngjarja

Në orët e vona të mbrëmjes të së premtes Dornjel Milo, efektiv i Sektorit të Antitrafiqeve në policinë e Korçës ka shkuar në një ndër ‘pub’-et më të njohura të këtij qyteti me shoqërinë e tij. Ai ka ndenjur për disa orë aty dhe më pas së bashku me miqtë ka hipur në makinë për t’u kthyer në banesë. Por sapo është ulur në sediljen e pasme të mjetit, 33-vjeçari ka nxjerrë pistoletën e shërbimit dhe ka vrarë veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 03:00, në lagjen nr.7 të qytetit të Korçës.

Sipas burimeve policore, 33-vjeçari, i cili prej vitesh punonte si inspektor në sektorin e Antitrafiqeve, nën shoqërinë e dy kolegëve të tij dhe të dy mikeshave janë argëtuar për disa orë në një ‘pub’ në qendër të qytetit. Mësohet se të rinjtë kanë festuar së bashku në shoqërinë e muzikës dhe alkoolit, ndërsa festa është mbyllur me një fund tragjik. Pasi kanë dalë nga ‘pub’-i, Dornjel Milo me një birrë në dorë është ulur në sediljen e pasme të makinës së një kolegu të tij. Në çast ai ka nxjerrë armën e shërbimit dhe e ka shkrepur në gojë. Për pasojë 33-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Të tmerruar shokët dhe shoqet e viktimës kanë sinjalizuar policinë, e cila ka mbërritur shpejt në vendngjarje. Sipas ekspertëve të çështjes, viktima ka qëlluar veten me një plumb në gojë, çka vërtetohet edhe nga një gëzhojë e gjetur në vendin e ngjarjes. Pas kryerjes së veprimeve paraprake, policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes. Blutë deklaruan se dyshojnë që inspektori i Antitrafiqeve mund të jetë vetëvrarë nga depresioni. Ndërkaq, ekspertiza mjeko-ligjore vërtetoi se 33-vjeçari nuk ka qënë i dehur në momentin e vetëflijimit, pavarësisht konsumit të alkoolit. Trupi i pajetë i Dornjel Milos u dërgua në banesën e tij, në qytetin e Bilishtit rreth orës 13:00. Po të njëjtat burime sqaruan se janë marrë në pyetje familjarët dhe kolegët e 33-vjeçarit, të cilët janë bërë dëshmitarë okularë të ngjarjes.

RCCOLA

Dëshmitë e kolegëve

“E kishim pushim. Ngaqë nuk ishim në shërbim vendosëm të shkonim në ‘pub’. Sigurisht që nuk ishte hera e parë. Festuam të gjithë së bashku dhe absolutisht nuk vumë re asnjë shqetësim tek Dornjeli. Me pak fjalë, ai ishte si zakonisht, i çiltër dhe i qeshur. Gjatë gjithë kohës ka qënë aktiv. Kur u larguam, ai hipi në makinë. Nuk foli fare, nxori pistoletën dhe ndodhi ajo që ndodhi. Nëse do e kishim vënë re, patjetër që do e ndalonim, por gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe pa e kuptuar. Jemi të tronditur, ende nuk e besojmë atë që ndodhi”, ka deklaruar në polici, një prej kolegëve të 33-vjeçarit.

Familjarët

Ndonëse policia e Korçës në një komunikatë zyrtare e ka klasifikuar ngjarjes si vetëvrasje, një tjetër variant pretendojnë familjarët e viktimës. “Dornjeli nuk është vetëvrarë, ngjarja ka qënë aksidentale. Ai nuk ka pasur kurrë probleme me depresionin dhe as probleme të tjera. Arma i është shkrepur aksidentalisht, teksa ai e ka pasur për një moment në dorë”, tha njëri nga të afërmit e 33-vjeçarit. (BalkanWeb)