Fundamenti

Vetëvendosje prezanton programin konkret për sportin

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në takimin e sotëm me sportistët, kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi, ka hapur prezantimin para sportistëve gjilanas, duke e cilësuar këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme, pasi që shpaloset programi qeverisës lokal nga Lëvizja VV! në mënyrë konkrete, të detajuar dhe në mënyrë profesionale.

“Ne kemi hartuar programin për sportin në bashkëpunim me njohësit e sportit, sportistët dhe sportdashësit. Kemi bërë një program në përputhje me mundësitë potenciale buxhetore dhe është i realizueshëm. Kemi punuar në ekip dhe nuk jam një nga ata kryetarët të cilët paraqiten se dinë të gjitha, por punën ia kemi besuar ekspertëve të sportit dhe në bashkëkordinim të plotë me ta kemi arritur ta bëjnë një program që do ta nxjerrim sportin sadopak nga kriza dhe do t’u mundësojmë të gjithëve hapësirë për aktivitete sportive. Duke qenë se programi përfshinë mundësitë e ‘xhepit’ tonë komunal, atëherë pa dyshim se qëndrojmë pranë zbatimit të këtij programi dhe atë që do ta prezantojnë përfaqësuesit e nënkomitetit për sport, do ta kenë përkrahjen maksimale nga ana jonë si kryetar i ardhshëm i komunës së Gjilanit” – ka thënë Kurteshi në fjalën e tij hapëse të prezantimit, të një programi të parë të këtij lloji në komunë dhe me gjëra konkrete.

Takimin e nderuan shumë sportistë të dalluar brenda dhe jashtë vendit, ku në mesin e tyre që mori fjalën pas kandidatit Kurteshi për të parin e komunës, ishte edhe legjenda e gjallë e futbollit gjilanas dhe njohës i mirë i sportit, Nehat Osmani.

Ai duke e cilësuar ngjarjen si ndryshe nga në të zakonshmet dhe ndryshe nga përditshmëritë e sportistëve, drejtuar sportistëve të nderuar, adhuruesve të sportit, tifozëve të të gjitha ngjyrave, pyeti se pse jemi mbledhur këtu, duke dhënë përgjigje si në vijim: “Do ta them pra, ne jemi këtu, për të ruajtur unin edhe ashtu të nëpërkëmbur, për të rikthyer shpresën e humbur, ëndrrën e perspektivës dhe të jetës, ne jemi këtu jo për të bërë politikë, por për t’u pamundësuar të tjerëve që me politikën e tyre egoiste të na i mbyllin shtigjet e prosperitetit dhe të sukseseve, ne jemi këtu për të penguar politikën e të paditurve dhe korruptive, të paaftëve dhe interesave të ngushta. Sepse kush më mirë dhe kush më parë se sportistët dinë të dallojnë padrejtësitë, nëpërkëmbjen, barrierat, njëkohësisht kush më mirë dhe kush më parë se sportistët dinë të vlerësojnë dorën e zgjatur, fjalën e dhënë, atë fjalë të sinqertë që do të shpie drejt konditave të realizimit të ëndrrave të tyre, të atij qëndrimi vertikal që është synimi parësor i çdo sportisti rrjedhimisht dhe i çdo njeriu” – u shpreh Osmani, njëri ndër futbollistët më të njohur gjilanas, i cili në fjalën e tij, iu drejtua të pranishmëve për atributet e Kurteshit me këto fjalë: “Ne jemi këtu sepse ju zoti kryetar Ismajl Kurteshi, asnjëherë s’keni vënë interesat e juaja personale para interesave të qytetarëve, dhe ne sportistët këtë e dimë, ne jemi këtu sepse ju zoti kryetar asnjëherë nuk keni zhgënjyer këtë popull, ne jemi këtu para një mendimi të ri politik që ngërthen në vete koncepte moderne të veprimit në këto hapësira, i vjetër në fillet e civilizimit të vet, dhe po aq i ri në përmasa demografike, që të lë përshtypjen se një popull i tërë i Kosovës është në moshë të re.”

RCCOLA

Pas fjalës së futbollistit me nam Nehat Osmanit, u bë prezantimi i programit qeverisës nga Alban Hyseni, ish basketbollist dhe më pas vazhdoi dhe përmbylli prezantimin, Fehmi Sylejmani, ish gazetar dhe njohës i mirë i rrjedhave të sportit. Dytë njëkohësisht kandidatë për asamblenë komunale të Gjilanit.

“Rinovimi i palestrës dhe hapësirës jashtë saj (oborrit); furnizimi i palestrës me pajisje për boks, xhudo, basketboll, tabelë ping-pongu; mbështetja financiare për ekipet e qytetit; ndërtimi i fushës ndihmëse për futboll (finalizimi i fushës në ndërtim e sipër); renovimi i stadiumit të qytetit (rregullimi i hapësirave përreth, ri¬parimi i zhveshtoreve, gjelbërimi përreth, ndriçimi publik deri tek “Inkubatori i biznesit”); ndërtimi apo përshtatja e një objekti (improvizimi) për sportet si: ping-pong, shenjëtari, bouling dhe përshtatja e hapësirës pranë këtij objekti për sporte si: mini-golf, atletikë; hartimi i politikave që do të nxisnin sponzorimin apo financimin e klubeve nga bizneset apo donatorët e ndryshëm; angazhimi i personave adekuat në institucionet përgjegjëse komu¬nale në fushën e sportit; ndërtimi i hapësirave sportive në pjesë të ndryshme të qytetit; takimet e rregullta të komunës me të gjithë përfaqësuesit e sporteve në komunë; bashkëngjitja e një aktiviteti sportiv festivalit kulturor “Flaka e Janarit”, veçmas me lojëra tradicionale; ndërtimi i palestrave sportive në shkollat e fshatrave dhe të qytetit; organizimi i garave sportive dhe rrjetëzimi i ekipeve përfaqësuese në nivel të komunës, duke u përfshirë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme; mbështetja e sportistëve me nevoja të veçanta; ndërtimi i hapësirave rekreative-sportive për të rinjtë me rollerë, skejt-bord etj; ndërtimi i pistës për auto-motor sport, ku do të bëheshin takime, mbledhje dhe gara të ndryshme sportive, me dimensione prej 20 m gjerësi dhe 600 m gjatësi e tjerë e tjerë, do të jenë ndër prioritetet tona të programit qeverisës lokal” – ka shkëputur Hyseni objektivat dhe projektet e përfshira në programin qeverisës lokal për sportin.

Ndërsa Fehmi Sylejmani ka vazhduar prezantimin në paraqitjen e pikave të tjera të programit. “Sistemi i ngrohjes në palestrat sportive të shkollave fillore dhe të mesme; ndërtimi i “Shtegut të Atletikës”, tek stadiumi afër varrezave me ob¬jekte përcjellëse dhe rekuizitat e duhura për të mbajtur garat e nivelit shtetëror, pse jo edhe ndonjë aktivitet ndërkombëtar si dhe në të njëjtin shteg të gjitha sportet e tjera mund t’i kryejnë testet apo mat¬jet, d.m.th. është më se i nevojshëm dhe jo shumë i kushtueshëm; të bëhet një muri ALPIN për t’i mësuar hapat e parë të ngjitjes ku shumë të rinj do t’i rrekeshin këtij sporti ekstrem, pra duhet të zh¬villojmë edhe sportin ekstrem dhe kjo mund të bëhet tek palestra sepse ka hapësirë të mjaftueshme, por kjo mund të bëhet edhe gjetiu; të gjejë mundësi komuna që për çdo vit të dërgojë nga një trajner apo dy në trajnim apo ndonjë seminar jashtë vendit; të përpilohen kriteret për mbështetjen e klubeve; sportistët me rezultate të nivelit ndërkombëtar të stimulohen apo t’i jepet ndonjë bursë për sukseset e arritura në garat zyrtare; të bëhet përpjekje që të sjellim ndonjëherë mjek sportiv, që identi¬fikon problemet e sportistëve; të merren hapa konkret dhe të bëhet përpjekje që fushat të cilat janë të ndërtuara me asfalt të zëvendësohen me ndonjë material tjetër, sepse pasojat janë shumë të mëdha sidomos tek nxënësit e shkollave fillore; për mjetet e dhëna klubeve apo sportistëve të kërkohet llogari se si janë shpenzuar mjetet financiare; do të investojmë në ndërtimin e një shtegu për vrapim te “Pishat” e Zabelit të Sahitagës; ndërtimi i një pishine me standarde të notit (për gara sportive), pra të futet në prioritet të infrastrukturës sportive, ndonëse kjo e fundit duhet të harmonizohet me planet buxhetore të viteve jo të para të buxhetit për shkak se ka një kosto pak më të lartë, e shumë gjëra të nevojshme për sportin, do të jenë pjesë e programit tonë qeverisës lokal, por ne shfaqëm këtu vetëm disa nga to” – ka theksuar Sylejmani, duke shtuar në fund po ashtu se udhëheqës i palestrës së sportit në qeverisjen e VV!-s do të jetë personi që njeh problemet e sportit, e jo drejtues që vijnë nga fusha të tjera.

Në fund sportistët kanë shprehur kënaqësinë e prezantimit të programit për sportin dhe kanë bërë pyetje rreth detajeve të këtyre projekteve të mirëpritura thuhet në njoftimin e VV dega në Gjilan./rajonipress/