Mobi Casa

Vetëvendosje, Mustafës: Kryetar na thajte!

/ 2 minuta lexim

Lëvizja Vetëvendosje përmes një aksioni të premten prezantoi nevojën e qytetarëve të Prishtinës për furnizim të rregullt me ujë.

Anëtarë të lëvizjes Vetëvendosje deklaruan të premten se vendi ka burime të mjaftueshme të ujit, ndërsa Prishtina po hyn në verën e trembëdhjetë, gjatë së cilës qytetarët po vazhdojnë të përballen me reduktime të mëdha të ujit.

“Pushtetarët komunalë ka trembëdhjetë vjet që nuk investojnë në rrjetin e ujësjellësit. Ata nuk investojnë në ujësjellës, për arsye se investimi në këtë fushë është investim afatgjatë.

E mendësia e tyre elektorale nuk sheh qytetarë me të drejta e me nevoja, por qytetarët i sheh vetëm si votues. Pushteti komunal investon vetëm në projekte që kanë dukshmëri, e që mund të përfundohen brenda një mandati, në mënyrë që gjatë fushatës së radhës elektorale të lavdërohen me këto projekte”, vlerësuan aktivistë të Vetëvendosjes.

Eco Higjiena

Ata theksuan se qytetarët e Prishtinës kanë të drejtë dhe nevojë imediate për furnizim të rregullt me ujë.

“Kryetari gjatë fushatës së kaluar premtonte 24 orë ujë! E ne sot i themi: “Kryetar na thajte!”, theksuan aktivistët.

“Qytetarët e Prishtinës nuk po kanë ujë për t’i pastruar rrobat e për t’i larë enët e tyre. Edhe shishet për të pirë ujë na janë zbrazur. Prandaj, në shenjë proteste, ne Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, i kemi sjellë sot, para komunës, rrobat e papastra të qytetarëve të pakënaqur, enët e palara dhe shishet e zbrazëta.

Meqenëse pushtetarët tërë kohën po thonë se janë në shërbim të qytetarëve, atëherë le të na i lajnë rrobat dhe enët, le të na i mbushin shishet me ujë, meqë ujin s’po na e sjellin në shtëpitë tona!”, u shprehën anëtarët e lëvizjes “Vetëvendosje”. /Telegrafi/