“Vetëvendosja”, drejt përçarjes

Përplasja brenda lëvizjes “Vetëvendosje”, ku deputetja e këtij subjekti, Aida Dërguti, në një bisedë me deputetët (në aplikacionin “Viber”) ofendoi ish-liderin e këtij subjekti Albin Kurtin, cilësohet si e ngjashme me konfliktet e partive të tjera, PDK-në e LDK-në, të cilat gjatë rrugëtimit të tyre kishin përfunduar me ndarje, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Kështu mendojnë njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët thonë se komunikimi i publikuar ditëve të fundit tregon mjaftueshëm përçarjet dhe pakënaqësitë nga grupet përbrenda këtij subjekti.
Andaj, sipas tyre, epilogu i tërë kësaj mund të rezultojë me ndarjen e LVV-së dhe me krijimin e një force të re politike.
Mirëpo, pavarësisht publikimit të këtyre bisedave, lëvizja “Vetëvendosje” ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar rreth kësaj çështjeje.
As deputetët e këtij subjekti nuk kanë dashur të lëshohen në komente, duke thënë se kjo është çështje e brendshme e partisë.
LEXO EDHE: Sheikët e Shipitullës
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme është bërë e ditur se lëvizja “Vetëvendosje” do ta mbajë sot mbledhjen e Kryesisë.
Kurteshi: Ka ngjarë diçka që është krejt njerëzore
Ndonëse gjatë ditëve të fundit disa prej deputetëve të LVV-së i dolën në mbështetje deputetes Aida Dërguti e disa të tjerë anuan kah deputeti Albin Kurti, të kontaktuar gjatë ditës së djeshme, ata nuk deshën të flasin rreth kësaj çështjeje.
Megjithatë, pas seancës së djeshme, deputeti Sami Kurteshi, duke thënë se nuk është kompetent të flasë për një gjë të tillë, pohoi se ka ngjarë diçka që është krejtësisht njerëzore.
“Sot të gjitha zhvillimet e tjera mund të adresohen në lëvizjen ‘Vetëvendosje’. Unë nuk jam kompetent dhe as i deleguar nga asnjë organ i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ për të folur për këto gjëra, mendoj se ka ngjarë diçka që është krejt njerëzore në instancën e fundit”, ka thënë Kurteshi pas seancës së djeshme dje para gazetarëve.