Uji Dea

Vetëm zbatimi i ligjit e dërgon vendin përpara, e kurrsesi jo premtimet boshe

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Bekim Thaqi – Zbatimi i ligji në përpikëri, duhet të jetë motoja e cilës do qeveri të ardhshme, dhe baza e çfarëdo programi konkurrues në zgjedhjet e ardhshme para qytetarëve.

Në zgjedhjet e ardhshme që janë paraparë në muajin qershor, partitë politike në Kosovë, duhet vënë, në programet e tyre konkurruese si objektiv të parë zbatimin e ligjit, dhe masat që ato mendojnë se duhet marrë, që më në fund zbatimi i ligjit të vihet në rend të parë dhe të jetë shtyllë e programeve politike.

Në Kosovën e pasluftës kemi parë lloj-lloj premtimesh dhe lloj-lloj zotimesh të ndryshme që asnjëherë nuk e kanë paraparë zbatimin e ligjit seriozisht dhe vazhdimisht i kemi bërë bisht shtetit ligjor. Me një jo-seriozitet të tillë si deri më tani në zbatimin e ligjeve, jemi parë dhe përceptuar nga bashkësia ndërkombëtare si të padenjë dhe me raste kemi qenë edhe të nënçmuar, ku shpeshherë politikanëve tanë iu janë tërhequr veshët nga bashkësia ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e saj në Kosovë.

Qytetarët e vendit e dinë hallin e shtetit të ri të Kosovës dhe shpeshherë e kuptojnë se si vend i dalë nga lufta dhe në një tranzicion paslufte nuk mund të bëhemi “Zvicër” ama nuk e kuptojnë pse p.sh një ligji i thjeshtë/ rregullore, si ai për ndalimin e pirjes së duhanit nuk ka mundësi të zbatohet dhe se nuk ka përpjekje serioze që kjo të bëhet. Nuk e kuptojnë se si Ligji i punës nuk mund të zbatohet në tërësi dhe se nuk zbatohen në tërësi shumë e shumë ligje e rregullore tjera të miratuara nga Kuvendi.

Eco Higjiena

Dhe kjo me gjithë marifetet tjera politike që bëhen mandej shpie në një mosbesim të madh nga ana e qytetareve ndaj partive politike dhe politikanëve dhe humbje e shpresës për ndryshime në të mirë. Për këtë arsye partitë duhet ti lënë anash premtimet boshe dhe të nisen me platforma të reja ku zbatimi i ligjit do të jete alfa dhe omega e çfarëdo ndërmarrjeje si politike ashtu edhe ekonomike, po ashtu, edhe në aspektin e sigurisë dhe luftës serioze kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ligjet i kemi shumë mirë të përafruara me vendet me demokratike të botës , vetëm duan zbatim. Tekefundit po ti kishim zbatuar ligjet ashtu si duhet që prej periudhës së pasluftës e deri me tani punët do ti kishim dukshëm më mirë edhe si shtet edhe si shoqëri dhe tashmë do ishim shumë më të integruar dhe më të pranuar në të gjitha proceset që mëtojmë t`i bëjmë. /rajonipress/

Autori Bekim Thaqi është studiues i shkencave të sigurisë në nivelin Master