Vetëm VETTING-u nën kontrollin 100% amerikan spastron drejtësinë
Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë, duke parë reagimet e fundit të fuqishme ndaj institucioneve të Kosovës lidhur me mos funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe duke konstatuar ndikimin e thellë politik në këtë sistem, mendojnë dhe vlerësojnë se ndërkombëtarët e kanë kuptuar tanimë dhe janë të bindur thellësisht se drejtësia e kapur tërësisht nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale është problemi më i madh në Kosovë.
Kelmendi: Me të tillë gjyqtarë e prokurorë është lejuar që të trashet krimi i organizuar dhe të mos ndëshkohen bosët e inkriminuar të nivelit të lartë të pushtetit
“Meqenëse në Kosovë problematikat më të rënda dhe më shqetësuese janë krimi i organizuar dhe korrupsioni, detyrimisht dhe pashmangshmërisht duhet që edhe Kosova të miratojë VETTING-un. Ashtu sikurse në Shqipëri, VETTING-u duhet të kontrollohet e të monitorohet rreptësisht për një periudhë të gjatë kohore nga SHBA-ja, deri në përgatitjen e një brezi të ri gjyqtarësh e prokurorësh, të aftë profesionalisht, të pastër moralisht dhe pa trashëgimi nga kjo lloj “plejade” gjyqtarësh e prokurorësh të ndotur politikisht dhe me rekorde korrupsioni, krimi dhe injorance”, thotë analisti Skënder Kapiti për gazetën “Kosova Sot”
Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë, duke parë reagimet e fundit të fuqishme ndaj institucioneve të Kosovës lidhur me mos funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe duke konstatuar ndikimin e thellë politik në këtë sistem, mendojnë dhe vlerësojnë se ndërkombëtarët e kanë kuptuar tanimë dhe janë të bindur thellësisht se drejtësia e kapur tërësisht nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale është problemi më i madh në Kosovë.
Ajo që tani kërkohet nga mendjet e shëndosha kosovare është që të rritet presioni më i fuqishëm i ndërkombëtarëve te njerëzit e politikës për të hequr dorë nga ndikimet që i bëjnë drejtësisë, sepse duhen reforma të thella në drejtësi për të bërë distancim të plotë mes politikës e drejtësisë dhe pushtetet të funksionojnë të ndara. Për të arritur këtë, ekspertët e kësaj fushe dhe njohësit e zhvillimeve politike mendojnë se çelësi kryesor është Ligji VETTING, zgjidhja e vetme për të kthyer sundimin e ligjit në Kosovë, edhe atë një VETTING nën kontrollin 100% amerikan, duke e bërë një sistem drejtësie puro të ri dhe nga e para!
Kapiti: Pa sundim të ligjit, Kosova po kërcënohet nga krimi dhe korrupsioni
Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Skënder Kapiti, thotë për gazetën “Kosova Sot” se VETTING-u në Kosovë do të ishte ngjarja më e madhe, më e rëndësishme dhe më e domosdoshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe kjo mund të arrihet si proces vetëm falë angazhimit të faktorit ndërkombëtar. “VETTING-u do të ishte reforma jetike në Kosovë, sepse pa drejtësi, pa sundim të ligjit dhe të drejtësisë, shteti dhe pavarësia e Kosovës do të kërcënohen nga krimi, korrupsioni dhe nga paqëndrueshmëria politike dhe shoqërore.
Shtetin e mban drejtësia dhe për këtë historia botërore ka treguar dhe na mëson se mbretëritë dhe perandoritë më të mëdha botërore, si ajo romake, bizantine, otomane dhe madje edhe perandoritë komuniste si Bashkimi Sovjetik p.sh., kanë rënë kur degradoi drejtësia, kur padrejtësitë çuan në kalbjen, rrënimin e rënien e tyre”, theksoi analisti Skënder Kapiti. Madje ai thotë se për model do të duhej të merreshin edhe zhvillimet në Shqipëri.“Ta marrim si shembull edhe Shqipërinë, e cila vetëm prej dështimit të sistemit të drejtësisë kryesisht dhe mosndërtimit të shtetit ligjor ajo nuk ka bërë përpara prej rreth 30 vjetësh, as në zhvillimin ekonomik, juridik, demokratik dhe as në integrimin euroatlantik akoma deri më sot. SHBA-të, aleati strategjik i shqiptarëve, ndërhynë dhe këmbëngulën me të madhe për miratimin e VETTING-ut, me qëllim që Shqipëria të plotësonte standardet dhe kushtet që BE-ja ua kishte vënë Shqipërisë dhe shqiptarëve për integrimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Dhe, këto kushte të vëna nga BE-ja për Shqipërinë janë luftimi i krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, gjë të cilën e bën vetëm ligji dhe funksionimi i shtetit ligjor. Prandaj, meqenëse edhe në Kosovë problematikat më të rënda dhe më shqetësuese janë krimi i organizuar dhe korrupsioni, detyrimisht dhe pashmangshmërisht duhet që edhe Kosova të miratojë VETTING-un, ashtu sikurse në Shqipëri, VETTING i cili duhet të kontrollohet e të monitorohet rreptësisht për një periudhë të gjatë kohore nga SHBA-të, deri në përgatitjen e një brezi të ri gjyqtarësh e prokurorësh, të aftë profesionalisht, të pastër moralisht dhe pa trashëgimi nga kjo lloj “plejade” gjyqtarësh e prokurorësh të ndotur politikisht dhe me rekorde korrupsioni, krimi dhe injorance”, theksoi analisti Skënder Kapiti.
Ndërkombëtarët të lëvizin nga fjalët në vepra
Edhe profesori i së drejtës, Blerim Burjani, thotë se këto gjëra nuk janë të panjohura për ndërkombëtarët, prandaj ata duhet të lëvizin tani nga fjalët në vepra.“Kjo është e ditur kaherë se drejtësia nuk vlen për raste të njerëzve të involvuar në pasurim të pabazë, që nuk i kap drejtësia. Dihet mirëfilli kaherë se bartësit e pushtetit kanë përlot vepra që janë ndesh me ligjin. Ata e bëjnë nepotizmin apo mbipunësimin e pandashëm nepotist, partiak, dhe format e tjera të korrupsionit.
Ka përplot fenomene të kësaj natyre dhe pa ndërhyrje të organeve të drejtësisë, prokurorisë e as policisë, nuk ecet para. Këto gjëra funksionojnë kështu prej vitit 2007 pa ndalë dhe kanë ardhur veç duke u trashur. Tash beteja po bëhet cila parti po fillon për të punësuar më shumë njerëz të vet në punë. Me këtë i ka humbur kuptimi plotësisht bërjes së politikës për nxitje të sundimit të ligjit dhe barazisë në punë e kudo tjetër. Pra, pa vetting s’ka gjë nga pritja për sundim të drejtë ligjor. Mirëpo tash për tash po shihet që ky ministër i drejtësisë dhe komplet PAN-i janë kundër vetting-ut. Këta e dinë se duhet një kontroll i policisë dhe fillimi i hetimeve në të gjitha ndërmarrjet publike rreth nepotizmit për të ndalur urgjent këtë dukuri”, theksoi analisti Burjani për “Kosova Sot”.
Edhe analisti politik Arsim Haziri thotë për gazetën se ndërkombëtarët vazhdimisht kanë hetuar dhe me kohë janë të informuar mjaftueshëm për rrjedhat e zhvillimit në fushën e sundimit të ligjit, por është çështje tjetër në vete pse nuk kanë insistuar më shumë që gjërat të vihen në binarët funksionalë.“Ata gjithnjë janë përpjekur për të ndikuar në orientimin e vendit drejt perspektivës perëndimore, por pak ia kanë arritur, pasi nuk ka pasur gatishmëri të politikës.“Kjo përditshmëri po e minon dinjitetin qytetar e po maksimizon efektin kriminal dhe kjo duhet të përfundojë, prandaj edhe duhet të pasohet me presione direkt të ndërkombëtarëve, protestave të njëpasnjëshme, si dhe në fund me ndëshkim kolosal me votë”, theksoi analisti Arsim Haziri.
Kelmendi: Kjo drejtësi fatkeqësisht nuk u shërben ligjit dhe së drejtës, por padrejtësisë
Analisti dhe publicist Naim Kelmendi theksoi për “Kosova Sot” se lirisht mund të themi se që nga paslufta kemi një kastë politike për interesa të veta, të lidhur ngushtësisht me mafio-oligarkët dhe nëntokën e krimit të organizuar në sistemin e drejtësisë.“Kjo ka bërë që këta të mos mund të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë dhe në njëfarë forme kjo luftë është bërë mision i pamundur në Kosovë, ngase kjo drejtësi fatkeqësisht nuk u shërben ligjit dhe të drejtës, por padrejtësisë.
Me të tillë gjyqtarë e prokurorë është lejuar që të trashet krimi i organizuar dhe të mos ndëshkohen bosët e inkriminuar të nivelit të lartë të pushtetit. Prandaj, sigurisht se janë evidente dhe të njohura dështimet në organin e akuzës pa lënë anash edhe gjykatat që ndoshta edhe mund të jenë të korruptuara, duke i rrëzuar shumë shpesh disa nga aktakuzat e ngritura që përbëjnë ndoshta raste potenciale të veprave të ndryshme për t’u gjykuar. Ndërkombëtarët janë këtu dhe po i shohin këto gjëra, prandaj po shihet që pa një ligj VETTING-u nuk mund t’i dilet në krye betejës kundër së keqes. E keqja mund të luftohet vetëm përmes një vetting-u me kontrollin e qind për qind të amerikanëve, sikundër po ndodh me vetting-un në drejtësi në Shqipëri”, theksoi analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.
Miftari: Shumica e politikanëve tanë, lakmitarë e të korruptuar
Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë për “Kosova Sot” se ndërkombëtarët e kanë të njohur kaherë brishtësinë e drejtësisë, por disi edhe atyre ju ka konvenuar që t’i heshtin gjërat, kinse në funksion të një lloj kompromisi për stabilitet dhe veprim më të ngadaltë – hap pas hapi. “Kjo mënyrë veprimi pastaj ka bërë që të zgjerohen rrjetet kriminalë në bashkëpunim dhe bashkëveprim të vendorëve e ndërkombëtarëve. Ndërkombëtarët nuk e kanë kuptuar vetëm sot se drejtësia e Kosovës është e kapur nga politika e korruptuar, e cila e njëjta përbën edhe krimin e organizuar, pasi ndërkombëtarët e dinë shumë mirë se qysh nga paslufta politikanët shqiptarë të Kosovës shumica janë njerëz lakmitarë, të korruptuar dhe kriminelë.
Por, fatkeqësisht, edhe shumë ndërkombëtarë, zyrtarë edhe njerëz me detyra diplomatike në Kosovë, janë edhe vetë pjesë e korrupsionit dhe vijnë në Kosovë me nga një titull zyrtar, por kthehen në vendet e tyre pas kryerjes së ‘misionit diplomatik’ si njerëz shumë të pasur, si multi-milionerë. Kjo ndodh, pse jo, kur politikanët e Kosovës i korruptojnë vetë këta ndërkombëtarë për të vazhduar e vjedhur së bashku popullin e Kosovës, prandaj nuk ka lindur rastësisht varfëria, izolimi dhe ikja e rinisë dhe kuadrove të shkolluara shqiptare të Kosovës jashtë. Shpresoj të ketë lëvizje pozitive pas deklaratave të fundit të ambasadorëve të huaj.
Deklaratat e fundit të ambasadave britanike, amerikane dhe gjermane, nëse nuk janë vetëm për konsumim politik dhe diplomatik, janë për t’u përshëndetur, por i kisha lutur këta ambasadorë që kritikat e tyre të implemenohen edhe në vepra, pasi kanë fuqi diplomatike të luftojnë me presion diplomatik e politik për ndryshime pozitive, që të luftojnë drejt për ta fituar betejën, që Kosova ta ketë një gjyqësi, prokurori, polici, inteligjencë të pavarur, të luftojnë që në Kosovë të sundojnë ligji e drejtësia, por jo mafia politike. Qeveritë e partitë e korruptuara vijnë e shkojnë, ndërrohen, mirëpo gjërat për popullatën nuk ndryshojnë, por vetëm po përkeqësohen më shumë për çdo ditë të re që po vjen. Por, unë mendoj se edhe pa një vetëdijesim real të vetë neve, qytetarëve të Kosovës, dhe pa një VETTING të fuqishëm në drejtësi e në polici… të ndikuar nga këto tri ambasada me ndikim, gjërat nuk do të ndryshojnë vetvetiu kurrën e kurrës”, theksoi analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


